Kujtohet Xhemail Mustafa, Maxharraj “tërthorazi” jep detaje për vrasësit

Politika

Kujtohet Xhemail Mustafa, Maxharraj “tërthorazi” jep detaje për vrasësit

Nga: Naile Ejupi Më: 23 nëntor 2023 Në ora: 17:00
Xhemail Mustafa

Të enjten janë bërë 23 vjet që nga vrasja e atdhetarit dhe bashkëpunëtorit të presidentit historik, Ibrahim Rugova, Xhemail Mustafa.

Figura e Mustafës është kujtuar sot me homazhe, por edhe me minutë heshtje nga Kuvendi i Kosovës.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku me bashkëpunëtorë, kanë bërë homazhe pranë varrit të Xhemail Mustafës.

Abdixhiku, veprimtarin Mustafa e cilësoi ikonë të lëvizjes politike të viteve të 90-ta.

‘’Xhemail Mustafa ishte pijetar i shumë proceseve në kohët më të vështira të Kosovës, mik i ngushtë i presidentit Ibrahim Rugova e këshilltar politik, atdhetar, profil shumë dimensional i shkrimtarit, publicistit e gazetarit. Roli e po ashtu edhe kontributi i tij në rrugën për liri dhe pavarësi është i paharrueshëm për LDK-në dhe historinë e Kosovës. Vrasja e Xhemail Mustafës vazhdon të mbetet ende goditje e rëndë për familjen, Lidhjen Demokratike dhe demokracinë e Kosovës”, ka theksuar Abdixhiku.

Ndërsa, presidentja e vendit, Vjosa Osmani, duke e kujtuar Mustafën ka thënë se ai ishte “më shumë se një politikan, një bartës i së vërtetës dhe njeri me virtyte, duke e vënë gjithë potencialin e tij intelektual në shërbim të luftës për liri e pavarësi”.

Ajo theksoi se vrasja e tij na i kujton sfidat e ashpra me të cilat u përball shoqëria jonë atëkohë.

“Trashëgimia e tij do të jetojë përherë në zemrat tona, teksa vizioni i tij për Kosovën e pavarur është testamenti i përmbushur. Autorët duhet të vihen para drejtësisë, ndërkaq kujtimi për Xhemën do të jetë i përhershëm!”, ka thënë Osmani.

Xhemail Mustafa u kujtua dhe kujtohet, nderohet edhe u nderua ndër vite, por asgjë më tepër, vrasësit e tij ende nuk janë gjetur.

Hetuesit e EULEX-it dyshonin se dhjetëra anëtarë të LDK-së ishin vrarë vetëm pse ishin kundërshtarë të PDK-së. Pavarësisht këtyre dyshimeve, LDK-ja për vite të tëra ka qeverisur me PDK. Vrasjet me motive politike riktheheshin në kujtesë në kohë fushatash, ndërsa sa ishte në pushtet nuk ka bërë ndonjë veprim konkret për zbardhjen e tyre.

Profesori shqiptar në Amerikë, Binak Maxharraj, thotë në një shkrim për gazetën “Bota sot”, ka kujtuar atdhetarin Xhemail Mustafa, duke thënë se atë nuk kanë pasur mundësi ta vrisnin ata kundër së cilëve luftoi me mendje, dije dhe pendë, por e vranë tjerët.

“Xhemail Mustafa ishte një burrë i madh i kombit, kolos i cili se bashku me presidentin Dr. Ibrahim Rugova rrezatuar si yll polar që kurrë nuk shuhen. Xhemail Mustafa ishte krahu i djathtë i Presidentit Rugova në rrugëtimin e LDK për lirinë e Kosovës. Nuk iku nga Prishtina kurrë as gjatë pushtimit dhe terrorit që bëhej mbi popullin shqiptar, por qëndroi stoikisht edhe gjatë luftës në Prishtinë. Nuk frikësohej nga çetnikët e Millosheviçit. Pas luftës lidhur me qëndrimin e tij në Prishtinë e shkroi librin mitik ”Një lutje për Prishtinën”. Pas luftës në vend që të gëzoi lirinë dhe të çon përpara kauzën e LDK ndoshta diçka e papritur por e menduar dhe e planifikuar mire e vranë të madhin Xhemail Mustafa. Nuk mundën ta vrasin ata kundër së cilëve luftoi me mendje, dije dhe pendë.

E vranë disa tjerë tanë para derës së shtëpisë në sy të familjarëve. Këtë e bënë ata për të ia këputur një krah presidentit Ibrahim Rugova, i cili tha se me vrasjen e Xhemës mbeta pa njërin krahë”, deklaron Maxharraj.

Image
Binak Maxharraj

Ai shton se figura e Mustafës forcohet përherë, kjo pasi e donte Kosovën, luftoi me mendje, me dije për lirinë e saj.

“I tillë ishte Xhemail Mustafa një patriot, atdhetar që tërë jetën e shkriu për Kosovën dhe LDK të cilën e themeluan së bashku me President Rugovën.

Por, LDK-ja e Rugovës, asgjë nuk bëri për zbardhjen e vrasësve të Xhemës, ata ishin tanët. Bile këtë nuk e bënë ani pse do të duhej diçka të bënin, sepse ishin vazhdimisht në pushtet, në koalicion me PDK, AAK bile edhe kishin ministri të veçanta nga të cilat mund të lëviznin diçka.

Në këtë përvjetor të vdekjes së Xhemail Mustafës kujtimi për të është i madh. Figura e tij forcohet përherë në mendjen e popullit si një njeri patriot dhe atdhetar i pa shuar, si njeri që e donte Kosovën, luftoi me mendje, me dije për lirinë e saj që se lanë ta gëzojë”, shtoi Maxharraj.

Xhemail Mustafa është vrarë më 23 nëntor të vitit 2000 në Prishtinë. Teksa po hynte në banesën e tij në lagjen “Dardania”, ishte qëlluar me armë zjarri nga dy persona.

Mustafa, vdiq në moshën 47 vjeçare, duke lënë prapa gruan, vajzën, Berianën dhe djalin, Besianin. Vrasja e Mustafës, konsiderohet një nga vrasjet më të rënda me motive politike, në një fushatë sistematike, sulmesh, e vrasjesh të anëtarëve të Lidhjes Demokratike të udhëhequr nga, Ibrahim Rugova.

Hetimet për vrasjen e tij në fillim i kishte udhëhequr Policia e UNMIK-ut dhe KFOR-i.

Sipas versionit të parë të dhënë në atë kohë nga Policia e UNMIK-ut bazuar në deklaratat e dëshmitarëve, Xhemail Mustafa ishte nga dy persona në hyrje të banesës së tij në lagjen Dardania, teksa kthehej nga puna.

Ajo që dihet është se vrasja e Mustafës, është nën hetimin dhe juridiksionin e Zyrës së Prokurorit të Specializuar. Vrasjet me motive politike janë një nga pistat e hetimeve që po kryen kjo prokurori me seli në Hagë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat