28 nëntori, thelbi historik dhe kombëtar i gjithë shqiptarëve

Politika

28 nëntori, thelbi historik dhe kombëtar i gjithë shqiptarëve

Armirë Shaqiri Nga Armirë Shaqiri Më 28 nëntor 2023 Në ora: 14:23
Foto ilustrim, ikonat e kombit shqiptar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, Ismail Qemali e Isa Boletini

Sot, kudo ku ka shqiptarë, ka festë. 

Në Shqiptari po festohet 111-vjetori i krijimit të shtetit shqiptar.

Vuajtjet e Shqipërisë ishin të mëdha. Deri në arritjen e Pavarësisë ajo kaloi shumë sfida.

Ajo çfarë karakterizoi Shqipërinë ishte etja e pashuar për liri, për pavarësi, duke vendosur me ngul që ta shpallin shtetësinë e tyre.

Por, si është Shqipëria dhe si janë shqiptarët sot, 111 vjet pas shpalljes së pavarësisë?

Profesorët për “Bota sot” flasin për rëndësinë e festës, duke mos anashkaluar edhe disa çalime, të cilat realisht bëjnë politikanët shqiptarë anë e kënd ku udhëheqin.

Mehazi: “28 Nëntori” është festë e përgjegjësisë së turpshme për shkak se tokat e shqipes u ndanë në kufij 

Image
Sulejman Mehazi

Profesori nga Maqedonia, Sulejman Mehazi në një përgjigje për “Bota sot” ka thënë 28 nëntori është thelbi për ekzistimin e popullit shqiptar.

“28 Nëntori” për popullin shqiptar është më tepër se simbolikë shekullore shtetërore, është thelbi historik dhe kombëtar i gjithë shqiptarëve, pa këtë thelb nuk do mund të ekzistonte ky popull i përvuajtur dhe i copëtuar nga fqinjët serbo-greke të cilët dhe pas këtij thelbi të "28 Nëntorit" kanë copëtuar trojet tona në pjesë e thërrime duke tkurrur dy të tretat të tokave shqiptare”, thotë ai.

Tutje, profesori shprehet se thotë se kjo festë e ka përgjegjësinë për bashkim dhe jo për përçarje. 

"28 Nëntori" për politikanët, intelektualët, shkencëtarët, artistët, patriotët e mirëfilltë dhe shqiptarët në përgjithësi e ka kuptimin e simbolikës së përgjegjësisë së bashkimit e jo të përçarjes. "28 Nëntori" më shumë e ka kuptimin e përgjegjësisë kombëtare sesa shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë në Vlorë”, nënvizon ai.

Ai duke folur për rëndësinë e kësaj feste, Mehazi nuk harroi të përmend edhe vendet të cilat iu copëtuan Shqipërisë së “28 Nëntorit”, që sipas tij, kjo festë i bie të jetë festë e përgjegjësisë, sepse Ismail Qemali shpalli mëvetësinë, në Vlorë për t'u bashkuar e jo për t'u copëtuar.

“Vlera e përgjegjësisë së "28 Nëntorit" është s'e ç'u bë e ku shkoi Çamëria e Janina e udhëhequr nga Ali Pashë Tepelena që pa farë dhembje ia lamë Greqisë, a nuk është përgjegjësi e madhe "28 Nëntori" që për fajin e politikanëve e intelektualëve tanë s'u bë Shqipëria e bashkuar, kujt i mbeti Shkupi, Tetova, Gostivari, Kumanova, Kërçova Struga, Dibra, Manastiri që RMV-ja lehtësisht na mori? 

"28 Nëntori" është përgjegjësi për këtë copë vend të quajtur Shqipëri, ku është përgjegjësia e Shqipërisë së Edi Ramës për Kosovën?, kujt i mbeti Bujanoci, Presheva e Medvegja? 

Ku mbeti Mitrovica e Çakorri? Ku mbeten kishat e Deçanit e Ujmani? \"28 Nëntori" është datë historike e humbjeve e jo të mburrjeve festive, për shkak se pas shpalljes së Pavarësisë e zvogëluam Shqipërinë duke e zmadhuar Serbinë dhe Greqinë.

Ismail Qemali shpalli mëvetësinë, në Vlorë për t'u bashkuar e jo për t'u copëtuar, shkurt e qartë "28 Nëntori" është festë e përgjegjësisë së turpshme për shkak se tokat e shqipes u ndanë në kufij”, përfundon ai për “Bota sot”.

Hasani: Flamuri, një simbol qëndrese dhe krenarie, që në vetvete ngërthen tërë qenien e kombit 

Image
Refik Hasani

Edhe profesori Refik Hasani për “Bota sot” ka folur mbi rëndësinë e festës së shqiptarëve. 

Ai thotë se kjo festë ka histori të lavdishme dhe kontribute tejet të veçanta, dhe janë kthesa të rëndësishme historike që lidhen me flamurin, me kombin 

“Data 28 nëntor për ne shqiptarët, është dhe ka vlerat më të larta historike, është  vlerë e veçantë e kombit tonë, që festohet jo vetëm në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni të Veriut, në Mal të Zi, Greqi, Arbreshët e Italisë, por gjithandej Amerikës dhe Evropës. 

Muaji nëntor, është karakterizuar me ngjarjet më të mëdha, të cilat kanë vlera historike kombëtare. 

Kjo datë ka histori të lavdishme dhe kontribute tejet të veçanta, dhe janë kthesa të rëndësishme historike që lidhen me flamurin, me kombin, këtu është vlera e 28 nëntorit. Flamuri, një simbol qëndrese dhe krenarie, ngjyrat e kuq e zi, pasqyron, sakrificat tona shekullore për liri e pavarësi. 

Kjo është festa e flamurit që duke filluar më herët ditën e flamurit, organizohen manifestime të ndryshme, fillimisht duke u intonuar himni i flamurit, por edhe duke kënduar këngë për heronjtë tanë Kombëtar, në këtë ditë bëhet përurimi i shumë objekteve, lëshohen në përdorim projekte, prehen shirita përurues.

Në hapësirat tona shqiptare institucione e objekte stolisen, e dekorohen me flamurin tonë më të mirë në botë. Diaspora e jonë në gjithë globin gjithnjë e më shumë po organizojnë aktivitete të ndryshme në shënim të kësaj date, por edhe duke i kënduar krye heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, Ismail Qemajlit, Adem Jasharit, etj”,
thotë ai. 

Sipas tij, kjo datë bashkon shqiptarët kudo që janë, madje vetëm duke i mbrojtur hapësirat tona me gjithë diasporën, pastaj cilësinë në arsim, ekonominë, kulturën, shkencën, dhe ky është një investim drejt bashkimit të kombit shqiptar. 

Kjo festë bashkon shqiptarët kudo që janë, duke sintetizuar bukurinë, bujarinë, trimërinë e mbi të gjitha sakrificat shekullore. Flamuri i jonë, në këtë rast data 28 nëntori, është një ndër datat simbolike, që ishte dhe vazhdon të mbetet, simboli që na bashkon gjithë shqiptarëve, jo vetëm në hapësira tona shqiptare, por na bashkon gjithë shqiptarët në globin tokësor.  Aty sintetizohen për bukuri: Bujaria, besnikëria, trimëria, burrëria e mbi të gjitha, sakrificat shekullore. 

Flamuri i jonë, ishte dhe mbeti që gjithë na bashkonte, ishte simboli dhe fryma atdhetare, ishte dhe do të mbesë për jetë e mot fryma e bashkimit kombëtarë  dhe do të na bashkon edhe më shumë, kur tani përveqë Shqipërisë londineze kemi edhe Republikën e Kosovës,  dhe shqiptarët në Maqedoni të Veriut të avancuar, kur nëpër Evropë gjithë kemi kuadro të shkolluara, që po na përfaqësojnë.   

Duke u krenuar me lavdinë e historisë, duke i mbrojtur hapësirat tona me gjithë diasporën, duke ngritur cilësinë në arsim, duke  zhvilluar  ekonomikisht, duke investuar në kulturë, arsim e shkencë,  ky është kontributi drejt bashkimi të kombit shqiptarë”, potencon Hasani. 

Më tej, ai thotë se kombi ynë ka histori të lavdishme me vlera historike kombëtare dhe ndërkombëtare.

“Kombi shqiptar me histori të lavdishme dhe kontribute të veçanta në historinë e shoqërisë njerëzore, që nga lashtësia në ditët tona, krenohet dhe mbron me dinjitet historinë e tij.

Për shqiptarët, muaji nëntor, është karakterizuar me ngjarjet më të mëdha. Ato kanë vlera historike kombëtare dhe ndërkombëtare.  

Që nga 28 Nëntori i vitit 1443, kur Gjergj Kastrioti-Skënderbeu ngriti flamurin në Krujë, e deri në ditët e sotme, nëntorët kanë sjellë për shqiptarët ngjarje të mëdha dhe kthesa të rëndësishme historike që lidhen me flamurin, me kombin.

Dhe, përherë i pandryshuar, kuqezi. Ngjyra që flasin shumë. Toka mëmë e larë me gjak. Në mes shqipja dykrenare plot kujdes e krenari. Atdhetarët tanë nuk pushonin së vepruari. Me penë e me pushkë, brenda e jashtë. Çetat çlirimtare kishin mbushur malet. Qielli i Shqipërisë përflakej nga betejat e pareshtura. Vlorës, këtij djepi të shqiptarizmës i takoi fati ta përgatiste edhe terrenin e shpalljes së Pavarësisë. Në gjakun e derdhur brenda viteve 1910-1912 zuri embrion shteti i vockël shqiptar…Plaku i urtë vlonjat, Isamail Qemali, me atdhetarë të tjerë, duke ndjerë rrezikun, nxitonin pa u ndalur. -O sot, o kurrë! - thanë ata, dhe vraponin nëpër Evropë. Atdheu ishte në zgrip të zhbërjes, andaj lypsej trimëri e mençuri…”, përfundoi ai. 

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat