Një letër pozitive për Kosovën/ A do të reflektojë më në fund BE-ja për heqjen e sanksioneve? Këto janë parashikimet

Politika

Një letër pozitive për Kosovën/ A do të reflektojë më në fund BE-ja për heqjen e sanksioneve? Këto janë parashikimet

Nga: M.Lakna Më: 13 dhjetor 2023 Në ora: 16:16
Foto ilustrim

Kryetarët e Komisioneve të Jashtme Parlamentare të disa shteteve mike i kanë shkruar shefit të Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell dhe ndërmjetësit të dialogut, Miroslav Lajçak. Letra thekson urgjencën e adresimit të disa çështjeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë si dhe nevojën urgjente për largimin e masave ndaj Kosovës.

Letrën është e nënshkruar nga kryetarët e Komisioneve të Jashtme Parlamentare të Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Çekisë, Irlandës, Lituanisë, Estonisë, Letonisë, Belgjikës, Kroacisë, Danimarkës, Italisë dhe Bullgarisë.

Nga ana tjetër, Bashkimi Evropian vazhdon të mbajë qëndrim të pandryshuar për sa i përket sanksioneve të vendosura ndaj Kosovës.

Publicisti Gani Qarri e konsideron si shumë pozitive letrën e kryetarëve të Komisioneve të Punëve të Jashtme të vendeve evropiane për largimin e masave.

Image
Gani Qarri

“Gëzon jashtëzakonisht shumë fakti, se përveç reflektimit pozitiv ndërkombëtar të kohëve të fundit, në raport me Kosovën, edhe 13 kryesues të komiteteve për punë të jashtme nga vende të ndryshme të BE-së, u kanë bërë thirrje Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme e Siguri, Josep Borrell, si dhe emisarit të BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, që t’i largojnë të gjitha masat ndëshkuese të BE-së, ndaj Kosovës, si dhe të bëhet një hetim i plotë për sulmin terrorist të bandave kriminale serbe në krye me krye terroristin Milan Radojçiq, me 24 shtator në Banjë të Zveçanit, ku në pritën e zënë prej tyre, u vra qëllimisht edhe rreshteri policor tani hero i Kosovës, Afrim Bunjaku.

Letra e Komisioneve të Jashtme Parlamentare, është nënshkruar nga Kryetarët e Komisioneve të Jashtme Parlamentare të disa shteteve mike, të cilat pothuajse në vijimësi kanë mbështet të drejtën dhe janë vendosur në krah të Kosovës, si Britania e Madhe, Gjermania, Çekia, Irlanda, Lituania, Estonia, Letonia, Belgjika, Kroacia, Danimarka, Italia e deri te Bullgaria etj, në të cilën flitet për urgjencën e adresimit të realitetit aktual ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe nevojën urgjente për largimin e masave, të padrejta të BE-së ndaj Kosovës”, theksoi Qarri.

Qarri theksoi po ashtu se normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, përveçse do të jetë në fokus të samitit evropian, pritet të jetë edhe një nga çështjet kryesore të diskutimeve edhe në takimin ndërmjet udhëheqësve të gjashtë vendeve të rajonit dhe Bashkimit Evropian, ku bëhet presion dhe kërkohet nga të dy palët angazhim konstruktiv për normalizimin e marrëdhënieve.

“Prandaj ardhmëria evropiane e Ballkanit Perëndimor dhe normalizimi i raporteve Kosovë -Serbi, pritet të jenë çështje me shumë rëndësi e diskutimeve në takimin ndërmjet udhëheqësve të gjashtë vendeve të rajonit dhe Bashkimit Evropian edhe në takimin e 13 dhjetorit në Bruksel, ngase normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, vlerësohet të jetë një prej çështjeve thelbësore edhe për qëndrueshmërinë e paqes afatgjate dhe sigurinë në mbarë rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Kurse arsyeja madhore, që letra e Kryetarëve të Komisioneve të Jashtme Parlamentare të disa shteteve, dërguar shefit të Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell dhe ndërmjetësit të dialogut, Miroslav Lajçak, është se ajo me të drejtë thekson urgjencën e adresimit të çështjeve relevante ndërmjet Kosovës dhe Serbisë si dhe nevojën urgjente për largimin e masave ndëshkuese, të vendosura padrejtësisht nga BE, vetëm ndaj Kosovës.

Po ashtu, edhe në projekt deklaratë, theksohet se u bëhet thirrje të dyja palëve që në tërësi dhe pa parakushte të zbatojnë marrëveshjen e arritur në Bruksel dhe aneksin e Ohrit, në përputhje me kërkesat e BE-së për përmbajtja nga veprimet e njëanshme, që mund të çojnë në tensione të reja dhe dhunë, si dhe tërheqje nga retorika e cila nuk është në përputhje me normalizimin e marrëdhënieve, ndërmjet të dy vendeve, që është themel i qëndrueshmërisë politike të gjithë rajonit dhe garanci për përparimin e të dyja palëve në rrugëtimin e tyre drejt integrimeve evropiane!”, potencoi analisti.

Në fund, Qarri theksoi se letra e kryetarëve të komisioneve është akt i shumëpritur dhe shenjë që BE-ja të reflektojë në heqjen e masave ndaj Kosovës.

“Kështu që letra e nënshkruar nga kryetarët e Komisioneve të Jashtme Parlamentare të Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Çekisë, Irlandës, Lituanisë, Estonisë, Letonisë, Belgjikës, Kroacisë, Danimarkës, Italisë, Bullgarisë etj, përveç ndihmesës për uljen e tensioneve në veri të Kosovës, është akt i shumëpritur dhe një shenjë tejet e mirë, që BE-ja, të reflektojë në kuptimin pozitiv të fjalës dhe përfundimisht edhe masat e vendosura padrejtësisht, të hiqen ndaj Kosovës”, përfundoi ai.

Më 12 dhjetor Këshilli i Bashkimit Evropian ka miratuar konkluzionet për secilin shtet të Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe Republikën e Kosovës.

Në konkluzionet e Këshillit, përmenden edhe masat që Bashkimi Evropian ka vendosur ndaj Kosovës si rezultat i mosplotësimit të kërkesave të Përfaqësuesit të Lartë të bëra publike më 3 qershor.

Në konkluzione thuhet se BE-ja është duke i mbajtur në fuqi masat ndaj Kosovës për shkak të mungesës së veprimeve për të de-eskaluar situatën në Veri të Kosovës dhe kanë thënë se Brukseli mirëpret faktin që janë marrë disa veprime në atë drejtim.

Gjithashtu në konkluzë të Këshillit thuhet se BE-ja qëndron e gatshme që t’i heq këto masa në rast të progresit në përmbushjen e kushteve ekzistuese të BE-së. Këshilli ka rikujtuar se s’do ta lë në harresë çështjen e plotësimit të kushteve dhe do t’i rikthehet për trajtim bazuar në raportine Përfaqësuesit të Lartë, Josep Borell.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat