“Problemet” me Marrëveshjen e Ohrit, zbardhen qëllimet e Serbisë ndaj Kosovës – ja pse refuzon t’iu përmbahet obligimeve!

Politika

“Problemet” me Marrëveshjen e Ohrit, zbardhen qëllimet e Serbisë ndaj Kosovës – ja pse refuzon t’iu përmbahet obligimeve!

Arife Morina Nga Arife Morina Më 16 dhjetor 2023 Në ora: 16:02
Rundi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë i zhvilluar më 14 shtator në Bruksel.

Më 27 shkurt, Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për normalizim të marrëdhënieve.

Pajtueshmëria për aneksin e zbatimit është rritur në Ohër të Maqedonisë së Veriut, më 18 mars.

Ndërkombëtarët kanë kërkuar nga Kosova dhe Serbia që urgjentisht të zbatohen marrëveshjet e arritura brenda këtij ankesi.

Megjithatë, Serbia ka shprehur rezerva në pjesën e cila ka të bëjë me obligimet për zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë (Marrëveshja e Ohrit).

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, “ka shprehur qëndrimin nacional”, por ka përsëritur se “Serbia e ka mbështetur deklaratën”.

Në dokumentin me qëndrimin e Serbisë, thuhet se ajo “në përgjithësi, me rezerva, përshtatet me deklaratën e samitit BE-Ballkani Perëndimor si një deklaratë politike dhe dokument joobligues ligjor”.

Më tej, bëhet e qartë se kjo ka të bëjë me pjesën e obligimeve për zbatimin e Marrëveshjes me Kosovën.

“Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të raporteve dhe Aneksi i zbatimit, siç i referohet në këtë deklaratë, konsiderohet e pranueshme vetëm në kontekstin në të cilin nuk përfshin de facto apo de jure njohjen e Kosovës”, thuhet në dokumentin ku Serbia ka shprehur qëndrimin e saj.

Më këtë qëndrim, Serbia e vë hapur në dyshim zbatimin e obligimeve të Marrëveshjes së Ohrit, prandaj edhe mund të konsiderohet se dialogu mes dy vendeve mund të hyjë në një fazë stagnimi.

Duket, qartë se shteti serb nuk ka interes për normalizim të marrëdhënieve me Kosovën, si e tillë shpresohet që bashkësia ndërkombëtare të marrë masat e duhur ndaj politikave dhe udhëheqësve serbë.

Azemi: Beogradi nuk është i intresuar për dialog me Kosovën

Image
Emin Azemi.

E për këtë çështje, në një prononcim për “Bota sot” foli profesori dhe publicisti, Emin Azemi.

Fillimisht, tha se shteti serb nuk e pranon Kosovën, kësisoj nuk do e zbatojë as Marrëveshjen e Ohrit, pasi këtë e konsideron si humbje për të.

“Serbia, gjegjësisht lidershipi i saj, nuk do të pranojë kurrfarë marrëveshje që e largon atë nga Kosova. Edhe Marrëveshja e arritur në Ohër, për kreun serb, Vuçiqin, konsiderohet një humbje për Serbinë, ndonëse Kosova nuk mund të themi se del aq e fituar me këtë marrëveshje. Por, mendësia politike serbe tash e disa dekada është projektuar si narracion i gjithçkaje që asocion me shtet ndërtimin e Kosovës. Për rrjedhojë, edhe kjo marrëveshje do të trajtohet në dritën e kësaj dioptrie…”, u shpreh ai.

Krahas kësaj, publicisti vlerëson se shteti serb nuk është i interesuar për dialog, dhe se negociatat me Kosovën i përdor për dy qëllime të saj.

“Beogradi nuk është i intresuar për dialog me Kosovën. Politika serbe Kosovën e përdor për dy qëllime: e para për të defokusuar vëmendjen publike brenda dhe e dyta për t'i paraqitur serbët e Kosovës si viktima të pavarësisë së Kosovës. Rrjedhimisht, Beogradi nuk i ka interesat e serbëve në qendër të dialogut, por e ka Kosovën si pjesë të Serbisë, ku serbët lokal i përdor si mjet shatazhi. Vetëm duke e shantazhuar Kosovën përmes fabrikimit të vuajtjeve të serbëve, Beogradi mundohet të ruaj status-quon, sepse çdo shtendosje e situatës nuk i konvenon lidershipit serb në Beograd”, përfundoi Emin Azemi për “Bota sot”.

Mehmeti: Nuk më habit qëndrimi i Serbisë

Image
Faton Mehmeti

Kurse, analisti politik, Faton Mehmeti në bashkëbisedimin e tij me “Bota sot” tha se nuk është i befasuar me këtë qëndrim të shtetit serb, pasi në vazhdimësi nuk ka zbatuar marrëveshjet që ka nënshkruar me Kosovën.

“Nuk më habit qëndrimi i Serbisë, e njohur tashmë për qasjen e saj destruktive dhe mos mbajtjen e premtimeve. Kjo është Serbia e vërtetë, nënshkruan por nuk i zbaton ato, e tillë është edhe deklarata e tyre për mos zbatim të marrëveshjes së Ohrit”, u shpreh ai.

Sipas analistit, fajtor për këtë është edhe Bashkimi Evropian, shkaku i qasjes së butë dhe mos ndëshkimit të Serbisë për veprimet e saj ndaj Kosovës.

“Fajtore në këtë mes është BE që i beson dhe vazhdon me “ledhatu xhelatin”. Nuk mund të ketë vazhdimësi të bisedimeve pa sanksione ndaj Serbisë, vetëm presioni e detyron Serbinë të ndryshojë dhe të zbatojë marrëveshjet e arrritura. Derisa, BE nuk ndërmerr masa nuk besoj se mund të ketë avancim në këtë drejtim”, përmbylli Faton Mehmeti për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat