Thirrja e fortë e deputetes britanike për largimin e sanksioneve ndaj Kosovës, analistët kritikë ndaj BE-së – kërkohet ndëshkimi i Serbisë

Politika

Thirrja e fortë e deputetes britanike për largimin e sanksioneve ndaj Kosovës, analistët kritikë ndaj BE-së – kërkohet ndëshkimi i Serbisë

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 16 dhjetor 2023 Në ora: 18:46
Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiq

Që nga tensionet e muajit maj të viti 2023 të cilat i krijoi Serbia në veri të Kosovës, vendi ynë është ndëshkuar nga BE, kurse Serbia, agresorja nuk është ndëshkuar fare.

Por tash, me krijimin e draft-asociacionit, nga disa vende të BE-së dhe nga deputetja më e zëshme e parlamentit britanik, Alicia Kearns, po kërkohet që të hiqen këto masa të padrejta ndaj Kosovës.

Madje, ajo ka kërkuar t’u jepet fund masave negative ndaj Kosovës.

“Janë kryesuesit e komisioneve për punë të jashtme në tërë Evropën që kërkojnë t’u jepet fund masave negative që BE në mënyrë të njëanshme ia vendosi Kosovës para disa muajve dhe në thelb ne kërkojmë edhe një herë që të rikthehet drejtësia në proces dhe që BE t’i heqë këto masa negative”, tha deputetja Kearns.

Ndërsa, 12 shtetet nënshkruese të letrës janë: Belgjika, Bullgaria, Republika Çeke, Kroacia, Danimarka, Estonia, Gjermania, Letonia, Lituania, Irlanda, Italia dhe Britania e Madhe.

“Është jetike që komuniteti ndërkombëtar të refuzojë irredentizmin dhe agresionin dhe të riafirmojë mbështetjen për pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës”, shkruajnë nënshkruesit, duke kërkuar rifillimin e “bashkëpunimit të plotë” me qeverinë e Kosovës.

Mehazi: Janë për t'u lavdëruar vetëm 12 shtete të BE-së

Profesori Sulejman Mehazi, në një përgjigje për “Bota sot” ka thënë se është befasuese se pse BE ende po mban këtë qëndrim në raport me Kosovën, duke mos i hequr masat kundër saj.

Sipas tij, është habi e madhe edhe se disa shtete të BE-së të jenë kundër Kosovës duke përkrahur politikën agresive të presidentit serb Vuçiq, i cili vazhdimisht provokon paqen në Kosovë, madje e quan absurde atë që BE-ja të mos e vërejë se pse presidenti i Serbisë, Vuçiqi, nuk ka nënshkruar asgjë në Ohër dhe në marrëveshjen paqësore.

Image
Profesori Sulejman Mehazi

“BE-ja në vend që të sanksionojnë Serbinë, e cila hapur e qartë anon nga Rusia, vazhdon dhe më tej të miratojë "masa të kthyeshme dhe të përkohshme" ndaj Kosovës, e cila në Banjskë, qeveria dhe policia e Kosovës, shpëtoi Ballkanin Perëndimor nga përhapja e luftës në Evropë, si është e mundur që Vuçiqi në emër të asociacioneve serbe e në urdher të Rusisë, në veri të Kosovës donte të kallte shtetet ballkanike, kurse në anën tjetër Kosova të saksionohet e izolohet dhe mëtej vetëm pse kryeministri i Kosovës nuk vepron sipas dëshirave serbe.

Është për t'u habitur se si është e mundur që një grup shtetesh të BE-së të jenë kundër Kosovës duke përkrahur politikën agresive të presidentit serb Vuçiqit i cili vazhdimisht provokon paqen në Kosovë, Mal të Zi dhe Bosnjë-Hercegovinë dhe se Serbia është nxitësja kryesore për të destabilizuar rajonin. BE-ja në vend që të shtrëngojnë, dënojnë e izolojnë Serbinë bëjnë të kundërtën duke mos ia larguar masat ndëshkuese Kosovës.

Është absurde që BE-ja e mençur të mos e vërejë se pse presidenti i Serbisë, Vuçiqi, nuk ka nënshkruar asgjë në Ohër dhe në marrëveshjen paqësore të planit franko-gjerman me rastin e dialogut përfundimtar mes Kosovës dhe Serbisë dhe se mos nënshkrim i Vuçiqit a nuk është shenjë e përhapjes së luftës në Kosovë, a nuk janë argumentuese sulmet terroriste të serbëve në Banjskë që me anë të kryekrimininelit serb Radoiçiq, Kosova ishte në prag të një lufte të re jo vetëm në veri, por edhe në Evropë”, thotë ai.

Derisa, për shtetet mbështetëse thotë se janë për t’u lavdëruar, megjithatë, kjo na jep një mesazh se BE-ja është e përçarë.

“Janë për t'u lavdëruar vetëm 12 shtete të BE-së në krye me Gjermaninë që janë kundër miratimit të "masave të kthyeshme" ndaj Kosovës, përkundër shteteve tjera të BE-së të cilët përkrahin vazhdimin e masave ndaj Kosovës, kjo na bën me dije s'e BE-ja është e përçarë dhe në duart e pasigurta për të mbajtur paqë në Ballkanin Perëndimor, jo kurrsesi BE-ja nuk mund të mbajë paqe në Kosovë duke mikluar Serbinë luftënxitëse dhe duke izoluar Kosovën që seriozisht është për një marrëveshje paqësore me Serbinë.

Qartë vërehet se shtetet e BE-së që përkrahin "masat e kthyeshme dhe të përkohshme” kundër Kosovës, janë proruse-serbe, janë për trazira e mosmarrëveshje e kurrsesi për paqe e marrëveshje përfundimtare të dialogut Kosovë-Serbi”, përfundon ai.

Kelmendi: Masat nuk kanë për qëllim vetëm organizimin e asociacionit, por edhe dobësimin e Republikës së Kosovës

Edhe profesori Muhamet Kelmendi, thotë se masat ishin të padrejta dhe qëllimi i treshes, ka qenë edhe dobësimi i Kosovës, jo vetëm formimi i asociacionit.

Image
Muhamet Kelmendi

“Është e qartë se masat e vendosura ndaj Republikës së Kosovës nga ana e BE-së dhe të SHBA-së janë të padrejta dhe shkojnë në kundërshtim me politikën e zbatuar ndaj shteteve tjera.

Ndaj Kosovës u vendosën masat si rezultat i drejtpërdrejtë i punës të z. Borrell, z Lajçak dhe të z. Eskobar. Qëllimi ishte dhe është dobësimi i Republikës së Kosovës. Të gjendur para aktit të kryer, si BE, ashtu edhe SHBA-ja i miratuan masat e propozuara nga kjo treshe. Masat janë të padrejta”, deklaron ai.

Tutje, Kelmendi thotë se asociacioni është i padrejtë për Kosovën, sepse edhe shteti serb ka minoritete dhe asnjë prej tyre nuk ka asociacion.

“Ndërlidhja e masve dhe të vizave me asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë është akti më i padrejtë i bërë në kontinent. Serbia ka disa minoritete. Asnjë prej tyre nuk ka asociacion. As shqiptarët dhe as qytetarët e Sanxhakut nuk kanë asociacion. Ndaj tyre, askush nga BE dhe në SHBA nuk interesohet. Serbia ka bërë me qindra masakra dhe gjenocid. Edhe tash armatoset dhe kërcënon Ballkanin me luftë. Po përgatiten për bashkimin e botës serbe në një shtet. Serbia kreu agresion terrorist ndaj Kosovës dhe nuk ka masa. Ndaj Kosovës u vendosën këto masa”, shprehet ai.

Po ashtu, ai thotë se ende nuk kemi ndonjë kërkesë zyrtare nga treshja për të hequr masat ndaj Kosovës.

Profesori, deklaron se mosvendosja e masave ndëshkuese edhe ndaj Serbisë, tregon anshmërinë e treshes ndaj Serbisë.

Kurse, për Asociacionin thotë se do të themelohet dhe Kosova para tij do të gjendet keq, sepse ky asociacion do të nxitë luftë.

“Vazhdimi i masave ndërlidhet përsëri me këtë treshe. Ende nuk kemi kërkesë zyrtare nga z.E skobar, z Borrell dhe z. Lajçak për të hequr masat ndëshkuese ndaj Kosovës Këta nuk bënë kërkesë për masa ndëshkuese as ndaj Serbisë. Kemi vetëm deklarime gojore nëpër takime dhe jo një veprim konkret juridik për heqjen e masave ndaj Kosovës dhe vendosjen e masave ndaj Serbisë. Veprimi i tillë shpjegon anshmërinë e kësaj tresheje ndaj Serbisë. Shteti serb nuk ndëshkohet. Ndëshkohet Kosova. As kriminelët e luftës Vuçiq e Daçiq nuk ndëshkohen. Bashkëpunohet me kriminelët. Kjo e tregon karakterin e këtyre ndërmjetsuesve dhe qëllimin ku e kanë. Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë po themelohet. As këtë nuk e morën për bazë për të hequr masat ndëshkuese. Kosova me asociacion do të gjendet keq. Asociacioni do të bëhet mjet i luftës së Serbisë kundër Repubikës së Kosovës. Pas asociacionit pritet lufta e armatosur midis Kosovës dhe Serbisë. Serbia do të bëjë agresion terrorist ndaj Kosovës. Këtë do ta mundësoi asociacioni”, përfundon ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat