Zbardhen koordinimet në prapaskenë, avokati serb ‘godet’ Lajçakun e Vuçiqin – ka një pyetje të rëndësishme që lidhet me Kosovën

Politika

Zbardhen koordinimet në prapaskenë, avokati serb ‘godet’ Lajçakun e Vuçiqin – ka një pyetje të rëndësishme që lidhet me Kosovën

Nga: A.M. Më: 16 dhjetor 2023 Në ora: 20:34
Miroslav Lajçak

Dialogu Kosovë-Serbi vazhdon të jetë në fokus të zhvillimeve politike në vend.

I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, ditë më parë njoftoi se ka progres në zbatimin e disa marrëveshjeve të arritura në dialogun ndërmjet të dyja palëve.

Krahas kësaj, Lajçak, ka bërë të ditur se në Bruksel po përgatiten për raundin e ri të bisedimeve në mes të Kosovës dhe Serbisë në nivel kryenegociatorësh.

E për këtë çështje, në një prononcim për “Bota sot” foli avokati serb, Çedomir Stojkoviq.

Së pari, ai kritikoi qasjen e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq ndaj dialogut me Kosovën, derisa tha se nëse vazhdohet në këtë mënyrë vështirë se do ketë progres në negociata.

“Negociatat e pafundme në të cilat pala serbe shprehimisht thotë se as nuk dëshiron ta njohë Kosovën dhe as nuk dëshiron ta lejojë Kosovën të bëhet pjesë e Kombeve të Bashkuara, nuk çojnë në asgjë. Gjatë fushatës parazgjedhore në Serbi, presidenti Vuçiq tha se “Kosova ishte dhe do të jetë përgjithmonë pjesë e Serbisë”. Po ashtu, presidenti Vuçiq thotë se nëse Marrëveshja e Ohrit bëhet kusht për negociata për anëtarësim në BE, atëherë Serbia nuk do të dëshirojë të anëtarësohet në BE. Me këtë ai thotë qartë se për të nuk është në fuqi Marrëveshja e Ohrit, sepse në të kundërtën nuk do ta kishte problem nëse zbatimi i saj bëhet një nga kriteret për anëtarësim në BE.

Mirëpo, ai e kundërshton, gjë që e bën të qartë se nuk ka dashur asnjëherë të zbatohet marrëveshja, prandaj as nuk e ka nënshkruar. Në rrethana të tilla, lind pyetja se ku po çojnë këto negociata? Fatkeqësisht, kur bëhet fjalë për marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, historikisht, imponimi i vetëm i zgjidhjes ka çuar në njëfarë progresi. Prandaj nuk jam optimist se negociatat do të japin fryte”, deklaroi avokati serb.

Image
Çedomir Stojkoviq.

Krahas kësaj, Stojkoviq kritikoi edhe Lajçakun dhe rolin e tij në dialog, ku tha se me të si ndërmjetësues nuk mund të pritet marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë.

“Në të njëjtën kohë, ndërmjetësi Lajçak vjen nga një vend që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, prandaj pyetja e madhe është se si të pritet përparim në negociata?! Nëse Perëndimi nuk dëshiron që Kosova të jetë një shtet i njohur ndërkombëtarisht, atëherë nuk nevojiten negociata të mëtejshme. Nëse Perëndimi dëshiron që Kosova të jetë shtet i pavarur dhe anëtare e organizatave ndërkombëtare, OKB-së dhe BE-së, atëherë është e qartë se kjo nuk do të arrihet përmes negociatave me Serbinë, sepse Serbia këtë e thotë qartë përmes të gjithë përfaqësuesve të saj”, theksoi ai.

Ndër të tjera, avokati serb komentoi Marrëveshjen e Ohrit, për të cilën beson se Vuçiq nuk do ta nënshkruajë dhe zbatojë atë.

Sipas tij, duke parë këto gjëra, mund të thuhet se negociatat kanë ngecur.

“Duhet të jemi të vetëdijshëm se Aleksandar Vuçiq shpalli zgjedhjet në Serbi për të fituar kohë përmes procesit zgjedhor në Serbi për të shmangur presionin për shkak të moszbatimit të Marrëveshjes së Ohrit, sulmit terrorist në Banjskë, të koordinuar nga Serbia. Nuk mendoj se ky takim duhet të mbulojë takimin e Kurtit me Vuçiqin, por mbi të gjitha mendoj se është aty për të treguar se palët po bëjnë diçka, ndërsa në fakt procesi ka ngecur. Dhe në marrëdhëniet ekzistuese nuk shoh se si do të vazhdojnë. Presidenti i Serbisë e lidhi Marrëveshjen e Ohrit, por refuzoi ta nënshkruajë dhe tani pretendon se nuk do ta bëjë kurrë atë që shkruhet në atë marrëveshje: Kosova do të bëhet pjesë e OKB-së dhe organizatave ndërkombëtare. Aleksandar Vuçiqit i është dhënë shumë besim dhe nuk kuptohet që Marrëveshja e Brukselit ka qenë maksimumi i tij dhe nuk do të shkojë përtej kësaj”, përmbylli Cedomir Stojkoviq për “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat