Ky mund të jetë “fati” i Asociacionit me rizgjedhjen e Vuçiqit

Politika

Ky mund të jetë “fati” i Asociacionit me rizgjedhjen e Vuçiqit

Nga: Naile Ejupi Më: 18 dhjetor 2023 Në ora: 22:27
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Të dielën janë mbajtur zgjedhjet e jashtëzakonshme në Serbi dhe në bazë të rezultateve partia e Aleksandër Vuçiqit pritet të marrë një mandat tjetër katërvjeçar.

Rezultatet janë duke u kundërshtuar nga koalicioni “Serbia kundër dhunës”, madje ata kanë organizuar protestë dhe kërkojnë anulimin e tyre.

Zgjedhjet në Serbi vijnë pas një viti të turbullt me tensione të brendshme, por edhe pa zgjidhje në dialogun Kosovë- Serbi.

Aleksandër Vuçiq i cili ka përfaqësuar Serbinë në bisedimet me Kosovën, ishte kritikuar nga opozita atje, por një “lavdërim” nuk ka as në Kosovë.

Qasja e Vuçiqit është duke u kritikuar, sidomos mos nënshkrimi i tij për marrëveshjen e normalizimit të raporteve.

Në marrëveshje për normalizim përfshihet edhe çështja e asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, marrëveshje këtë që Vuçiq kërkon ta formojë në kundërshtim me kushtetutën e Kosovës.

Ndryshe nga dëshira e Vuçiqit, ndërkombëtarët tashmë ua kanë propozuar palëve një formë të statusit, formë kjo që sipas ShBA-së dhe BE-së është në pajtim me kushtetutën e Kosovës dhe nuk është një Republikë serbe brenda saj, prandaj analistët thonë se ky duhet të jetë “fati” i tij.

Analisti politik, Gani Qarri, thotë se nëse draft statuti i asociacionit aktual nuk ndryshohet, atëherë është i dedikuar për zbatimin e një autonomie politiko-territoriale, që në fakt i bie, të shkruhet një Kushtetute e dytë e Kosovës, e cila do të vlejë vetëm për serbët.

“Versioni më i ri, i draft-statusit të asociacionit i propozuar nga BE, thuhet të jetë më i përafërt me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës, pastaj edhe miratimi i tij, parashihet të bëhet, pas pranimit të komenteve nga palët si dhe marrjen e mendimit pozitiv nga Gjykata Kushtetuese, gjë që e ka vërtetuar edhe ambasadori amerikan, Hovenier se mund të ketë përmirësime në asociacion, por jo, komente apo propozime kundërshtuese me kushtetutën e Kosovës, siç shprehet ai. Megjithatë, edhe draft-statuti aktual i asociacionit, me autorizimet kushtetuese dhe përmbajtjet shtetërore që përmban, duke filluar nga përfaqësimi politik, arsimi, kultura, mjedisi hapësinor, zhvillimi ekonomik, rezoluta 1244, arbitrazhi etj, sipas Dr. Enver Hasanit, të gjitha këto nene kanë të bëjmë me autonomi dhe jo me politikat ekonomiko-territoriale, sepse për të qenë draft-statuti sipas Kushtetutës, do të duhej ta kishte parametër aktgjykimin e vitit 2015, i cili aktgjykim është eliminuar dhe në preambulën e statutit, është futur rezoluta 1244 , ndaj nëse ky draft-statut nuk ndryshohet dhe përshtatet në përputhje me Kushtetutën, është i dedikuar për zbatimin e një autonomie politiko-territoriale, që në fakt i bie, të shkruhet një Kushtetute e dytë e Kosovës, e cila do të vlejë vetëm për serbët, sipas Dr. Hasanit”.

Image
Gani Qarri

Ai kërkon që qeveria e Kosovës të mos pranojë të dialogojë me Serbinë edhe për asociacionin dhe as të lejojë që ajo të përzihet më tej në çështjet e brendshme të saj.

“Në fakt z.Hovenier të mërkurën që lamë pas, e ka konfirmuar edhe një herë se Pozicioni i SHBA-së për asociacionin është i qartë, se ai nuk guxon të jetë nivel i tretë i pushtetit, i cili duhet të formohet në përputhje me Kushtetutën aktuale të Kosovës, në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe pa kompetenca ekzekutive, sepse ne nuk e duam edhe një Republika Sërpska dhe një diçka që ka ndikim negativ në funksionimin e shtetit të Kosovës. Prandaj ekipi i Lajçakut i cili me mbështetje të SHBA-së, e kanë përgatitur këtë draft, i kanë konsultuar edhe partitë opozitare, ua kanë dërguar edhe atyre dokumentin e draft-statutit dhe i kanë lënë Qeverisë së Kosovës të hapur mundësinë për komentet e sugjerimet e saj, dhe siç siguron ambasadori i SHBA-ve, vetëm Gjykata Kushtetuese mund të vendosë për kushtetutshmërinë e draft-statutit të propozuar. Në anën tjetër, edhe ish i dërguari i BE-së për Kosovën, ambasadori Ëolfgang Petritsch, deklaroi publikisht, se bashkësia ndërkombëtare nuk e do një pjesë veriore sovrane brenda një shtetit sovran të Kosovës, që do të ishte një vazhdimësi e konfliktit të përhershëm ndërmjet Kosovës e Serbisë dhe burim i jo stabilitetit në rajon. E nëse Serbia insiston që Kosova të formojë ndonjë të ashtuquajtur asociacion sipas marrëveshjeve kundër-kushtetuese të arritura me Hashim Thaçin e Isa Mustafën, gjë që Kosova është deklaruar publikisht kundër një asociacioni të tillë një-etnik, Qeveria Kurti nuk duhet të pranojë në asnjë mënyrë që të dialogojë me Serbinë, edhe për asociacionin, as të lejojë, që ajo të vazhdojë të përzihet edhe më tej, në çështjet e rregullimit tonë të brendshëm shtetëror, por negociatat për asociacionin ti zhvillojë vetëm me propozuesit e draft-statutit pra BE-në dhe SHBA-të, kurse me Serbinë mund të bisedohet për rregullimin e raporteve ndërshtetërore dhe normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve të pavarura”, shton Qarri.

Sipas tij, mbetet nga ndërkombëtarët të shihet nëse asociacioni do të gjejë zgjidhje në vitin e ardhshëm.

“Ndaj se cila do jetë forma e asociacionit, vendos Kosova në bazë të ligjeve dhe Kushtetutës së saj, gjë që i është dhënë mundësia edhe me draft-statutin e propozuar, kurse fakti se, a do të gjejë zgjidhje asociacioni në vitin e ardhshëm, kjo varet edhe nga faktori ndërkombëtar, ngase Kosova në asnjë mënyrë, nuk mund të pranojë, që për shkak të insistimeve të Serbisë, e cila me letrën e fundit, drejtuar BE-së, deklarohet edhe me shkrim, se nuk njeh integritetin territorial të Kosovës, nuk pranon pavarësinë e Kosovës dhe kundërshton anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, të formojë ndonjë të ashtuquajtur "asociacion" që nuk i përshtatet vendit tonë, apo shtet në shtet dhe një "Republika Srpska", që do të qonte në ri-copëtimin e vendit dhe shuarjen e shtetit të Kosovës”, përfundon Qarri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat