Doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare: Serbia mund të nis operacione ushtarake në Kosovë, ja çka tregon fitorja e Vuçiqit

Politika

Doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare: Serbia mund të nis operacione ushtarake në Kosovë, ja çka tregon fitorja e Vuçiqit

Nga: P.Rudi Më: 19 dhjetor 2023 Në ora: 08:00
Aleksandar Vuçiq

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq ka shpallur fitoren në zgjedhjet që u mbajtën në Serbi. Poashtu edhe sipas sondazheve të organizatës joqeveritare, Qendra për Zgjedhje të Lira dhe Demokraci, Lista e Partisë Përparimtare Serbe “Aleksandar Vuçiq – Serbia nuk guxon të ndalet”, ka fituar 46.6 për qind të votave në zgjedhjet e 17 dhjetorit, e pasuar nga koalicioni opozitar “Serbia kundër dhunës”, me 23 për qind të votave, dhe Partia Socialiste Serbe, e ish-ministrit të Jashtëm serb, Ivica Daçiq, me 6.9 për qind të votave.

Po ashtu edhe Shaip Kamberi e ka siguruar një ulëse të komunitetit shqiptar.

Por sipas doktorit të marrëdhënieve ndërkombëtare, Gurakuç Kuçi, fitorja e Vuçiqit dëshmon autokracinë në të cilën gjendet Serbia.

Image
Doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Gurakuç Kuçi

“Fitorja e Vuçiqit vërteton autokracinë elektorale në Serbi, ndërsa gjithashtu dëshmon se Serbia ende nuk është në rrugëtim drejt Bashkimit Evropian. Çështja e dialogut midis Kosovës dhe Serbisë në parim ka pësuar një betonim nga ofertat e Perëndimit, përfshirë marrëveshjen e Brukselit, aneksin e Ohrit dhe draftin për statutin e asociacionit. Këto propozime janë subjekte të “merre ose lëre”, por fitorja e Vuçiqit nuk nxit besim se Serbia do të pranojë njohjen e pavarësisë së Kosovës, dhe as deklarativisht nuk dëshmon ndonjë këmbëngulje në këtë drejtim”, shprehet Kuçi për “Bota sot”.

“Për momentin, Serbia nuk gjen shumë arsye për të avancuar në zgjidhjen e çështjes së Kosovës dhe Serbisë, duke marrë parasysh tensionet gjeopolitike dhe interesat e tri superfuqive botërore, të cilat kanë shprehur nevojën për një rregullim të ri në skenën ndërkombëtare”, shprehet Kuçi.

Siç thotë Kuçi, ka rrezik që Serbia të nis një luftë hibride në Kosovë, me cka do të përcillej edhe me operacione ushtarake.

“Versionet e mbetura të mundshme përfshijnë një avancim të pavarur të Kosovës nga Perëndimi, ose lejimin e Serbisë për të nisur një luftë hibride në Kosovë, e cila më pas mund të përcillet me operacione ushtarake. Megjithatë, një deklaratë tjetër nga zëvëndëskryeministri i dikurshëm tregon se Kosova ka hequr dorë nga njohja, dhe këto marrëveshje, nëse konsiderohen si bazë, dëshmojnë se procesi me Serbinë nuk do të përfundojë në afatin e shkurtër”, përfundon Gurakuç Kuçi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat