Asociacion me përmirësime dhe jo një “Republikë serbe” në Kosovë, analistët skeptikë për zgjidhje në vitin 2024

Politika

Asociacion me përmirësime dhe jo një “Republikë serbe” në Kosovë, analistët skeptikë për zgjidhje në vitin 2024

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 19 dhjetor 2023 Në ora: 12:14
Albin Kurti

As në vitin 2023 asociacionit nuk i është gjendur zgjidhja, pavarësisht tentimeve të shumta. 

Më 21 tetor të këtij viti, kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiqit, i është propozuar një draft statut për formimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, propozim ky i zyrtarëve perëndimor dhe i prezantuar nga përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara (SHBA), Bashkimit Evropian (BE), Francës, Gjermanisë dhe Italisë. 

Gjersa, ky propozim nuk është bërë ende publik, nga ShBA nuk përjashtojnë mundësinë e ndryshimit, ndërsa nga BE thonë se bashkësia ndërkombëtare nuk e do një pjesë veriore sovrane brenda një shtetit sovran të Kosovës. 

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier ditë më parë është pyetur nëse mund të ndryshojë drafti i propozuar, ndonëse ai ka thënë se dokumenti në fjalë reflekton qëndrimin e Perëndimit. 

“Kjo është pyetje për [të dërguarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav] Lajçakun, mendoj se ai i ka thënë Qeverisë së Kosovës dhe të tjerëve se është i hapur për komente. Mirëpo ekipi i Lajçakut, me mbështetje të SHBA-së, kanë punuar nga afër në këtë draft, për të garantuar se i përmbush të gjitha kushtet që i përmenda. A ka vend për përmirësime? Ndoshta. Por, nuk duhet humbur kohë në specifika për të humbur momentumin, për të ecur përpara me Asociacionin”, u shpreh Hovenier. 

Në anën tjetër, ish i dërguari i BE-së për Kosovën, ambasadori Wolfgang Petritsch se as SHBA-ja dhe as evropianët nuk duan që të krijojnë një entitet të ri në Kosovë në modelin e Republikës Serbe, por bëri me dije se themelimi i Asociacionit do t’i ishte një shenjë pozitive për BE-në. 

Analistët politikë thonë se Kosova ka lëshuar pe në çështjen e asociacionit, por nuk dihet nëse do të sqarohet në vitin e ardhshëm, kjo për shkak të zgjedhjeve në ShBA dhe BE. 

Zogaj: Marrëveshja, e padiskutueshme 

Image
Skënder Zogaj

Analisti politik, Skënder Zogaj, thotë se marrëveshja e nënshkruar (variant me plotësimet e kushtetueses) është i padiskutueshëm për t’u realizuar. 

Sipas tij, sa më shumë vonohet formimi i asociacionit aq më shumë rëndohet gjendja e Kosovës dhe shpërblehet Serbia. 

“Fakti se bëhet për asociacionin serb, të cilët janë pjesë etnike e krimeve monstruoze kundër shqiptarëve dhe të cilët qe 24 vite po e terrorizojnë Kosovën, ku kanë ardhur si kolonë, tregon se Kosova në të gjitha variantet, me formimin e asociacionit është e dëmtuar rëndë! Mirëpo, meqenëse është pranuar në dialogun serbo-shqiptar dhe është nënshkruar marrëveshje që edhe është ratifikuar edhe nga Kuvendi i Kosovë, asociacioni duhet të bëhet. Pra, marrëveshja e nënshkruar (varianti me plotësimet e Kushtetueses) tashmë është i padiskutueshëm për t'u realizuar dhe, unë personalisht mendoj se sa më shumë që vonohet e rëndon gjendjen e Kosovës dhe e shpërblen Serbinë!”, deklaron Zogaj. 

Ai shton se Serbisë i përshtatet gjendja aktuale dhe se ajo po e mban peng lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. 

“Serbisë i konvenon gjendja aktuale, ka arsye të jetë shumë e kënaqur sepse e mbanë të kushtëzuar fatin e Kosovës, sikurse që 24 vjet po e mbanë peng lirinë dhe pavarësinë e Kosovës! Ndërkaq, Kosova ka lëshuar pe, për faktin se në tokën etnike po ua mundëson okupatorëve serbë që në tokën shqiptare të krijojnë asociacion serb! Kjo është absurde, por dhe njëkohësish fisnikëri shqiptare, sepse shqiptarët dinë me i fal edhe ata që e vrasin!”, pohon Zogaj. 

Asociacioni daton që nga viti 2013 atëherë kur Kosova dhe Serbia kanë arritur këtë marrëveshje dhe më pas më 2015 janë vënë parimet për themelimin e tij. 

Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës gjeti se marrëveshja nuk ishte në përputhje të plotë me Kushtetutën, prandaj  Kosova nuk pranon ta zbatojë atë marrëveshje. 

Nga ana tjetër, Beogradi ka ngulur këmbë që Asociacioni të formohet ashtu siç është arritur pajtim në Bruksel, e jo që disa pika të harmonizohen me Kushtetutën e Kosovës, siç ka propozuar Gjykata Kushtetuese e Kosovës. 

Mehazi: Prolongimin e dialogut do ta shfrytëzojë Vuçiqi për të blerë kohë 

Image
Sulejman Mehazi

Analisti politik Sulejman Mehazi, shprehet skeptik për zgjidhje edhe në vitin 2024. 

Sipas tij, procesi i dialogut Kosovë- Serbi do të mbarojë për shkak të koncentrimit të politikës botërore në zgjedhjet presidenciale në ShBA dhe parlamentare në BE. 

“Deklarata e ambasadorit të SHBA-ve në Kosovë, Hovenier, se edhe nëse do ketë ndryshime, asociacionet serbe do jenë brenda kushtetutës së Kosovës, është e mirëpritur për qeverinë e Kosovës, po ashtu edhe një paralajmërim për partitë serbe që do udhëheqin Serbinë se pa një marrëveshje përfundimtare për njohjen e dy vendeve fqinje, Kosovë-Serbi e kot do jetë krijimi i qeverisë së re pas zgjedhjeve parlamentare në Serbi, të njëjtën ide politike e diplomatike e shprehu edhe ish i dërguari i BE-së për Kosovën , ambasadori Wolfgang Petritsch, që bashkësia ndërkombëtare nuk do lejojë që pjesa veriore serbe të jetë sovrane brenda shtetit sovran të Kosovës. Mirëpo, problemi i vitit të ardhshëm, 2024, nuk jep shpresë se procesi i dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë do mbarojë për shkak se koncentrimi i politikës botërore gjatë vitit të ardhshëm do kthehet në drejtim të dy palë zgjedhjeve me ndikime të mëdha politike, diplomatike e strategjike botërore, njē, zgjedhjet presidenciale në SHBA, dy zgjedhjet parlamentare të BE-së që do mbahen gjatë vitit të ardhshëm, 2024”, deklaron Mehazi. 

Tutje, sipas tij, amerikanët për shkak të zgjedhjeve presidenciale do të bëhen më pasiv ndaj Kosovës, ndërsa nga BE për shkak të zgjedhjeve parlamentare do të tolerojnë Vuçiqin që të mos pajtohet me asociacionet serbe në kuadër të kushtetutës së Kosovës. 

“Fatkeqësisht për shkak zgjedhjeve presidenciale në SHBA dhe zgjedhjeve parlamentare të BE-së dialogu në mes Kosovës dhe Serbisë mund të lihet anësh për të vazhduar më tej gjatë vitit 2025. Prolongimi i dialogut Kosovë-Serbi për shkak zgjedhjeve presidenciale në SHBA dhe zgjedhjeve parlamentare të BE-së do ta shfrytëzojë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiqit, për të manipuluar e dredhuar duke blerë kohë për asociacionet serbe në Kosovë. Është e qartë se amerikanët për shkak zgjedhjeve presidenciale do bëhen më pasiv ndaj Kosovës, po ashtu edhe BE-ja për shkak zgjedhjeve parlamentare do të tolerojë Vuçiqin që të mos pajtohet me asociacionet serbe në kuadër të kushtetutës së Kosovës”, shton Mehazi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat