Loja e Vuçiqit me kërcënime e shantazhe për ndarje të Kosovës, ekspertët tregojnë qëllimin – Ja pse s’do të ketë sukses!

Politika

Loja e Vuçiqit me kërcënime e shantazhe për ndarje të Kosovës, ekspertët tregojnë qëllimin – Ja pse s’do të ketë sukses!

Armirë Shaqiri Nga Armirë Shaqiri Më 19 dhjetor 2023 Në ora: 16:07
Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiq

Partia e Aleksander Vuçiqit përsëri i ka fituar zgjedhjet në Serbi. Vuçiq, edhe pas zgjedhjeve ka vazhduar avazin e vjetër në raport me Kosovën.    

 Ai edhe gjatë zgjedhjeve është fokusuar tek Kosova, për të cilën pretendon akoma se është pjesë e Serbisë.    

Ai në një intervistë për gazetën Politika, ka thënë se gjoja sipas tij vitin e ardhshëm perëndimi “do të përpiqet t’ia marrë Serbisë Kosovën”.    

“Vitin e ardhshëm do të tentojnë zyrtarisht, përfundimisht, të na e marrin Kosovën. Unë nuk kam iluzione se ata do të përpiqen ta bëjnë atë në çdo mënyrë dhe me çdo kusht, sepse ata duhet t'i japin fund luftës në Ukrainë sa më parë të jetë e mundur, ata nuk kanë nevojë që Putini apo dikush tjetër t’i referohen Kosovës, prandaj duan ta mbyllin atë histori sa më parë. Dhe, sigurisht, para zgjedhjeve amerikane”, kishte thënë Vuçiq.    

Po ashtu, ai nuk heq dorë nga deklarata e tij për mosnjohje të Kosovës, madje në asnjë mënyrë.    

“E informova mbarë opinionin vendor dhe ndërkombëtar me atë që nuk vjen në konsideratë, e që është njohja e pavarësisë së Kosovës, në asnjë mënyrë, as anëtarësimi në Kombet e Bashkuara dhe agjencitë dhe organizatat e saj. Meqë nuk thonë se këtë e përjashtojnë, por e duan të gjithë marrëveshjen, atëherë për ne është e papranueshme. Do ta vënë apo jo, nuk mund të hamend në këtë moment”, kishte thënë mes tjerash Vuçiq.     

Por, a po paralajmëron Vuçiq në mënyrë indirekte trazira në vitin 2024, të ngjashme me sulmin terrorist në Banjskë?    

Veseli: Mundësia për të pas incidente në Kosovë është reale    

Ish- koloneli i FSK-së, Afrim Veseli, në një përgjigje për “Bota sot”, ka thënë se gjithherë, Serbia e ka përdor Kosovën në zgjedhje e fushata elektorale.    

Image
Afrim Veseli

Sipas tij, mundësia për të pasur sulme si ajo e 24 shtatorit është e mundshme, por thotë se tani edhe BE ka ndërruar qasje ndaj Serbisë.    

“Mendoj se më shumë është një retorikë pasi ata i patën zgjedhjet. Pushtetet në Serbi zakonisht në fushata elektorale përdorin kartën e Kosovës, nacionalizmin dhe shovenizmin që të vijnë në pushtet. Por, incidentet të ngjashme më 24 shtatorin ka rrezik potencial të ndodhin. Serbia deri në fund do ta luan lojën e kërcënimeve dhe shantazheve për ndarje të Kosovës për të arritur sado pak qëllimet e saj politike.    

Ajo është duke e përdorur maksimalisht situatën e brishtë të sigurisë në Ballkanin Perëndimor. Por, e gjithë kjo nuk do të ketë sukses pasi që edhe Bashkimi Evropian duket që ka filluar të ndërrojë kurs ndaj Serbisë. Pra, mundësia për të pas incidente në Kosovë është reale”, shprehet ai.    

Shala: Shtetet e Ballkanit, target i Serbisë!    

Image
Drizan Shala

Eksperti i sigurisë, Drizan Shala, thotë se sikur Rusia që ka krijuar situatën në drejtim të Ukrainës, ashtu edhe Serbia ka target disa shtete të Ballkanit Perëndimor, mes tyre Kosova.    

“Siguria rajonale dhe zhvillimet që janë duke ndodhur nga ana e Serbisë në drejtim të vendeve që kanë aspiratat euro-atlantike mund të thuhet që Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, por edhe BeH do të jenë target nga ana e Serbisë për të nxitur një situatë të ngjashme sikur që ka krijuar Rusia në drejtim të Ukrainës në lidhje me një të ashtuquajtur “operacion special” për deznasifikim në rastin që po potencojmë ndërsa në pjesë të Ballkanit do të jetë situatë e ashtuquajtur narrativës serbe për të mbrojtur popullatën serbe në këto shtete nga presioni që bëhet nga këto qeveri (luftë hibride)”, thotë ai.    

Sipas tij, institucionet e sigurisë kanë të mbuluar çdo lëvizje të mundshme që paraqiten nga strukturat serbe, e po ashtu edhe NATO do duhej të ngrit nivelin e saj në fazën preventive për të parandaluar çdo sulm të mundshëm.    

“Kosova ka ndërmarrë gjitha veprimet adekuate nga data 24 shtator ku grupi i armatosur serb më mbështetje faktike shtetërore kanë ndërmarrë veprime në cenim të integritetit territorial të Kosovës nga formacionet e aktorëve shtetëror, por edhe jo shtetëror të Beogradit zyrtar.    

Institucionet e sigurisë në vend kanë të mbuluar çdo lëvizje të mundshme të çfarë do veprimi që mund të paraqiten nga strukturat shtetërore të Serbisë në drejtim të Kosovës, NATO do të duhej të ngriste nivelin e saj në fazën preventive për të parandaluar çdo mundësi të këtyre aktorëve shtetëror apo jo-shtetëror të Serbisë në drejtim të Kosovës apo vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor”, përfundon ai për “Bota sot”.    

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat