Masat ndëshkuese ndaj Kosovës, analistët me kritika të ashpra ndaj BE-së – kanë një paralajmërim në lidhje me Serbinë

Politika

Masat ndëshkuese ndaj Kosovës, analistët me kritika të ashpra ndaj BE-së – kanë një paralajmërim në lidhje me Serbinë

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 23 dhjetor 2023 Në ora: 18:31
Vjosa Osmani

BE-ja i ka vendosur masa Kosovës si shkas për shtensionim të situatës në veri, kur terroristët serbë sulmonin veriun e vendit.

Se ato duhet të hiqen ka thënë edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Sipas saj, masat e vendosura nga Bashkimi Evropian pas tensioneve të muajit maj ishin të padrejta dhe Kosova tashmë ka plotësuar të gjitha kushtet për largimin e tyre.

“Ato që janë kërkuar nga Kosova për atë që e quanin depërshkallëzim, tashmë kanë ndodhur dhe masat është dashur të hiqeshin tashmë sepse janë masa që në mënyrë të padrejtë ndikojnë negativisht në jetën e qytetarëve tanë për shkak të projekteve që janë bllokuar të cilat kryesisht u dedikohen komunave.

Për fat të keq unë pajtohem se ka tendencë nga disa që tani masat të keqpërdoren si mënyrë për të kushtëzuar Kosovën për çështje komplet të ndryshme nga ato për të cilat janë vendosur dhe një qasje të tillë unë e kam kundërshtuar”, tha presidentja Osmani.

A po kushtëzohet heqja e masave me formimin e Asociacionit?

Haziri: Derisa është pranuar marrëveshje e Brukselit dhe e Ohrit, është pranuar edhe Asociacioni

Image
Nexhat Haziri

Analisti Nexhat Haziri, në një përgjigje për “Bota sot”, ka thënë se procesi i Asociacionit është në tavolinë, sepse sipas tij derisa është pranuar marrëveshje e Brukselit dhe e Ohrit, është pranuar edhe Asociacioni i Komunave me shumicë serbe në Kosovë.

“Është e vërtetë se masat e BE-së të përkrahura edhe nga SHBA ndaj Kosovës do të vazhdojnë të jenë në fuqi dhe ato po ashtu do të shndërrohen në presion ndaj Kosovës edhe me procesin e formimit të Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe. Nuk e di nëse mund të të jetë adekuat termi "keqpërdorim" të këtyre masave nga BE ashtu siç e tha presidentja Osmani, por ajo që tashmë është në tavolinën e qeverisë së Kosovës është draft-propozimi për formimin e AKS-së, proces ky në të cilin qeveria, apo vet kryeministri Kurti nuk po reflekton dhe është shumë jotransparent lidhur me këtë obligim ndërkombëtar që ka Kosova. Deri sa është pranuar marrëveshje e Brukselit dhe e Ohrit, është pranuar edhe Asociacioni i Komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe me këtë edhe zotimin për formimin e tij. Çdo vonesë në këtë drejtim do të dëmtohet procesi i integrimit të Kosovës në BE dhe antarësimi në organizatat e tjera ndërkombëtare”, nënvizon ai.

Sipas tij, Kurti nuk duhet të tallet me qytetarë sepse nuk i ndihmon në heqjen e masave ndëshkuese nga bashkësia ndërkombëtare ndaj Kosovës, por vetëm i përforcon ato.

“Kurti duhet të pushoj së talluri me qytetarët e Kosovës, siç u tallë edhe sot duke i reaguar emisiarit evropian Lajcak, për Asociacionin, kur deklaroi se nëse gjoja kjo çështje është çështje e brendshme e Kosovës ai do të filloj ta hartoj një draft-statut të Asociacionit, pra deklaron tani kur veç ka një draft-statut që përkrahët nga BE dhe SHBA, dhe kjo tallje nuk ndihmon në heqjen e masave ndëshkuese nga bashkësia ndërkombëtare ndaj Kosovës, por vetëm i përforcon ato”, shprehet ai.

Mehazi: Paralajmërimet e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanit, janë më se të vërteta dhe të sinqerta

Image
Sulejman Mehazi

Profesori Sulejman Mehazi, thotë se ajo çfarë ka bërë BE ndaj Kosovës, janë të palogjikshme dhe të paarsyeshme.

Më tej, thotë se këto reagime të presidentes janë të sinqerta.

“Është e paarsyeshme dhe e palogjikshme për BE-në që masat ndëshkuese ndaj Kosovës të vazhdojnë dhe më tej që pa fajin e saj e me fajin e Serbisë po dergjet me masa ndëshkuese vetëm për shkak terroristëve serbë të cilët çdo ditë, javë e muaj provokojnë veriun e Kosovës me veprime të rrezikshme luftënxitëse.

Paralajmërimet e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanit, janë më se të vërteta dhe të sinqerta s'e nëse masat ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës do të kushtëzoheshin me asociacionet serbe jo që do jepnin paqë, po përkundrazi do përkeqësohej jo vetëm Kosova por edhe shtetet tjera të Ballkanit Perëndimor”, thotë ai.

Më tej ai thotë se politika e përfaqësuesve të BE-së në raport me Kosovën është absurde dhe e pakuptueshme.

Derisa, shton se nëse BE po paraqitet shurdhmemece para thirrjeve të presidentes Osmani, shton se Kosova më shumë është duke u sulmuar nga BE-ja sesa nga Serbia.

“Politika e përfaqësuesve të BE-së është aq absurde dhe e pakuptueshme sa që Kosovën e viktimizuar e shtrëngojnë me masa të mëtutjeshme, përkundër Serbisë agresore që del jashtë kufijve të vet dhe me anë të terroristëve e ekstremistëve serbë sulmon brendësisht Kosovën. Qeveria e Kosovës mbron sovranitetin dhe mëvetësinë e shtetit nga ultra- terroristët e Vuçiqit dënohet nga BE-ja, kurse Serbia me çfarëdo lloje metodash luftarake sulmon Kosovën e nga BE-ja del e pafajshme.

Hapur shihet se presidenti i Serbisë Vuçiqi me anë të Kosovës dëshiron të destabilizojë edhe shtetet tjera të Ballkanit Perëndimor, Malin e Zi dhe Bosnjë-Hercegovinën përkrahet nga BE-ja, kurse Kosova që politikisht lufton për paqe dënohet me masa të pakuptimta nga BE-ja

Nëse BE-ja është shurdhmemece ndaj deklaratës paqësore të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanit, atëherë lirisht mund të themi se Kosova më shumë është duke u sulmuar nga BE-ja sesa nga Serbia, se nëse destabilizohet Kosova fajtore dhe përgjegjëse kryesore e luftës në Kosovë do ishte BE-ja e askush tjetër.

Veprimet proserbe të BE-së në krye me Lajçakun dhe Borrellin na detyrojnë të besojmë se BE-ja më shumë anon nga kryetari i armëve rus Putinit sesa ndaj vetë Kosovës evropiane, si duket Kosova do jetë shkas e përçarjes së BE-së në shtete proruse-serbe dhe proevropiane-amerikane. Përkrahja e BE-së ndaj Serbisë nuk jep sinjale paqësore, por të një lufte të ashpër në mes Kosovës dhe Serbisë”, përfudnon ai për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat