Eksperti i sigurisë alarmon i shqetësuar: Vetëm 20 km larg kufirit me Kosovën, ja çka po përgatit Serbia me dy grupe të ndryshme

Politika

Eksperti i sigurisë alarmon i shqetësuar: Vetëm 20 km larg kufirit me Kosovën, ja çka po përgatit Serbia me dy grupe të ndryshme

Nga: A.Zh Më: 24 dhjetor 2023 Në ora: 10:31
Ushtarët amerikanë po patrullojnë për siguri afër Leposaviqit

Eksperti i çështjeve të sigurisë Bedri Elezi, është shprehur i shqetësuar për situatën e sigurisë në Kosovë, pas deklaratës së sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg, i cili i ka bërë thirrje Serbisë që të mos akumulojë ushtrinë serbe pranë kufirit me Kosovën.

Elezi për gazetën “Bota sot”, ka kërkuar nga ndërkombëtarët që të merren seriozisht me kërcënimet, që sipas tij, po vijnë nga Rusia, e cila dëshiron një konflikt të ri në Ballkan.

“Me shqetësim të thellë po i përcjellim zhvillimet e fundit, e sidomos pas deklarimeve të Sekretarit të NATO-s, i cili edhe një herë shprehi shqetësimet e tij në lidhje me situatën e sigurisë, për shkak të dyshimeve se ekziston rreziku i një konflikti të ri në Ballkan dhe krejt kjo një tentativë e Rusisë për destabilizimin e Ballkanit dhe në përgjithësi e situatës së sigurisë në Evropë, me qëllimin e vetëm për de fokusimin e forcave ndërkombëtare të sigurisë, sidomos NATO-s, kështu që Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të merren seriozisht me sigurinë e tyre nga kërcënimet që vijnë, se Rusia mund të përdorë aletatë e saj për destabilizimin e rajonit”, ka thënë eksperti për gazetën.

Image
Bedri Elezi

Ai ka thënë më tej se grumbullimi i ushtrisë serbe afër kufirit me Kosovën, tregon se Serbia është në shërbim të Moskës.

“Siç e kemi parë se edhe NATO tanimë është e bindur që Serbia me dislokimin e forcave të saj afër kufirit me Kosovën, është qartazi duke treguar se e njëjta është në shërbim të Moskës zyrtare, për të realizuar qëllimet e saj për detabilizimin e rajonit”, është shprehur Elezi.

Sipas ekspertit, ka dyshime se në dy baza të ndryshme në Serbi afër kufirit me Kosovën, po trajnohen dhe rektrutohen serbë, për të organizuar aktivitete të dhunshme në territorin e Kosovës.

“Duhet të theksoj se paralajmërimet që janë bërë edhe nga presidenti i Ukrainës, nga kryeministri i Republikës së Kosovës, nga Departamenti Amerikan i Shtetit, nga NATO si dhe paralajmërimet që ne së bashku, në fakt që ne i kemi bërë shumë më parë, këto t’i quajmë konfirmime, janë serioze dhe duhet trajtuar. Kjo sepse, në bazë të informacioneve që kemi, ekziston dyshimi i bazuar se në dy baza në territorin e Serbisë, përkatësisht 20 kilometra afër kufirit me Kosovën janë duke u trajnuar në dy baza të ndryshme qytetarë serbë të rritur.

Poashtu janë duke u rektrutuar për organizim të aktiviteteve të dhunshme në territorin e Republikës së Kosovës, me arsyetimin se të njëjtët dëshirojnë të sjellin siguri apo të drejta të qytetarëve, për qytetarët serbë, sepse sipas tyre, Prishtina zyrtare është duke mos i respektuar zotimet e saj për të drejtat e tyre”, ka nënvizuar Bedri Elezi.

Ai ka treguar se si mund ta dëshmojë Prishtina, se nuk po krijon grupe të pakënaqura, që organizojnë aktivitete të dhunshme në veri të vendit, duke përmendur këtu zgjedhjet lokale në veri dhe themelimin e Asociacionit.

“Edhe faktori ndërkombëtar në këtë rast, po bën përpjekje serioze për fillimin e zbatimit të zotimeve të Kosovës, siç është organizimi i zgjedhjeve lokale dhe poashtu themelimi i Asociacionit, me çka do të pamundësonte justifikimin e Serbisë apo serbëve lokalë për të organizuar aktivitete të dhunshme në veri, me qëllim gjoja për të sjellë të drejtat e serbëve përmes formave të dhunshme.

Mendoj se institucionet e Republikës së Kosovës në këtë rast duhet të bëjnë një koordinim serioz dhe mos hyrja e zotit Kurti me faktorët ndërkombëtarë, BE dhe SHBA për të filluar zbatimin e zotimeve siç janë fillimisht zgjedhjet në komunat me shumicë serbe dhe më pas themelimi i Asociacionit dhe kështu do të fitojmë mbështetje ndërkombëtare, se nuk është Prishtina, ajo e cila po mundëson krijimin e grupeve të pakënaqura dhe të njëjtët mund të organizojnë aktivitete të dhunshme, për të krijuar situatë konflikti në veri dhe më pas për t’u shpërndarë në gjithë Ballkanin”, ka theksuar më tej analisti.

“Mund të them se edhe deklarata e NATO-s dhe përpjekja e saj për të bindur Serbinë për të larguar forcat e saj dhe njëkohësisht duke i shfletuar raportet e shërbimeve sekrete partnere dhe vet NATO-s, konsiderohet se Rusia, dëshiron me të vërtetë të përdor aleatin e saj Serbinë, për të destabilizuar Ballkanin dhe kështu edhe defokusimin e forcave ndërkombëtare të sigurisë”, ka shtuar ai për gazetën “Bota sot”.

Se Serbia po përgatit sulme të reja, dje e ka konfirmuar edhe kryeministri Albin Kurti.

Në konferencën e thirrur dje për media, Kurti ka thënë se dyshohet se arsenal armatimi po fshihet në një hotel në Novi Pazar.

“Një arsenal armësh po duket që po fshihet në një hotel në Novi Pazar, rreth 25 kiliometra distancë nga pika kufitare në Jarinjë. Aty ka të fshehur armatim të ngjashëm që është përdorur në sulmin terrorist në Banjskë. Tashmë është e qartë se asnjë sulm nuk mund të ndodhë pa dijeninë e udheheqësve të Serbisë”, ka deklaruar Kurti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat