"Këto ishin qëllimet e rrezikshme të Vuҫiqit në rastin e Banjskës"

Politika

"Këto ishin qëllimet e rrezikshme të Vuҫiqit në rastin e Banjskës"

Nga: H.O. Më: 27 dhjetor 2023 Në ora: 22:40
Rasti i Banjskes

Njohësi i ҫështjeve politike, Skender Mulliqi në një prononcim të tij dhënë për ‘Bota sot’, thotë se Serbia ka kohë që i ka thënë ‘lamtumirë’ demokracisë, duhe instaluar një diktaturë putiniste, përmes presidentit të saj, Aleksandër Vuҫiq.

“Serbia shtet i pareformuar, moti i ka thënë lamtumirë demokracisë liberale. Ajo ka bërë kthesën më negative, duke instaluar përmes Vuҫiqit, diktaturë putiniste. Dhe, do te ishte iluzion nga Evropa të mendohet, se Vuqiqi është partner për bisedime në nivel ndërkombetar dhe të ketë normalizim të marrëdhënieve përmes dialogut Kosovë-Serbi. Vuҫiqi ka dhënë porosi të qarta se nuk është për paqe dhe stabilitet me fqinjë dhe as me Kosovën”, vlerëson Mulliqi.

Image
Skender Mulliqi

Sipas tij, Vuҫiq që shumë kohë është personi që po e destabilizon gjendjen e sigurisë në Kosovë, Mal të Zi dhe në Bosnjë. Ka formuar njësi paramilitare si në kohën e agresionit të Millosheviqit në republikat e ish Jugosllavisë.

“Këto struktura paraushtarake po veprojnë në veri të Kosovës, që shumë kohë, madje tentuan qe me akte brutale terroriste në Banjskë, të ndajnë veriun e Mitrovicës nga jugu. Kjo politikë agresive e cila po e destabilizon Kosovën ende mbeti e pandëshkuar nga BE dhe Amerika. Por, duket se nuk do të ndodhë kështu edhe në vitin 2024, ku radikalët ekstremistë në pushtet, nuk do të tolerohen të nxisin luftë në rajon, me politikat totalitare të Vladimir Putinit. Zgjedhjet e fundit  të manipulara në shkallë të lartë u zbatuan sipas urdhrave të Putinit për të nxitë luftë. Protestat e organizuara në Beograd duket se më shumë po bëhen nga popullata se sa nga opozita, pak gjë më e mirë se pushteti, nga pakënaqësitë e gjendjes gjithnjë më të keqe ekonomike dhe sociale”, vlerëson ai.

Mulliqi thotë se Serbia është futur në një zonë qorre të Rusisë duke shkelur rëndë mbi sistemin demokratik evroperëndimor. Serbia ka krijuar lidhje të forta me regjimet jo liberale edhe me Kinën, ka vlerësuar ai.

“Vuҫiqi ka zgjedhur filiozofinë rusomadhe të Putinit për ta zbatuar në rajon. Nuk u distancua nga agresioni rus në Ukrainë dhe as nuk i vuri masa ekonomike të kerkuara nga BE. Shteti i Kosovës u tregua vigjilent, duke mos lejuar aventuren e terrorizmit serbomadh në terrotorin e Kosovës. Ende po mungon reakcioni i duhur rreth kësaj aventure të rrezikshme të Serbisë në Banjskë. Presidenti serb me këtë akt tentoj të rrënoj rendin demokratik dhe kushtetues jo vetëm të Kosovës, por edhe atë evropian. Duket megjithatë se ky akt dhe zgjedhjet e fundit në Serbi të manipulura rëndë, i kanë zgjuar partnerët euroatlantik, se me Vuҫiqin, është utopike të mbahet paqja në Ballkan”, vlerëson analisti.

Mulliqi thotë më tutje se nuk ka mundësi të bisedohet me një njeri i cili nuk ka hequr dorë nga strategjia shoviniste e Millosheviqit. Nuk po lejon integrimin e serbëve dhe të proceseve politike në shtetet fqinje kështu edhe në Kosovë.

“Evropa por edhe republikat e tjera të dala nga ish Jugosllavia do të duhej të ndërtojnë një strategji të posaqme të kundërvënies te hegjemonisë ruso serbomadhe në Ballkan. Kosova i ka krijuar të gjitha kushtet e integrimit të minoritetit serb, por sigurisht jo sipas recetës së Beogradit zyrtar. Zgjidhje, nuk është një "Republika Serpska" në Kosovë, siҫ po e kërkon fillimisht këtë gjë Vuҫiqi përmes implementimit të Asociacionit me kompetenca ekzekutive”, vlerëson analisti Mulliqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat