Alarmi nga Kurti/ A po përgatitet plani serb për aneksimin me luftë të veriut të Kosovës?

Politika

Alarmi nga Kurti/ A po përgatitet plani serb për aneksimin me luftë të veriut të Kosovës?

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 29 dhjetor 2023 Në ora: 20:35
Albin Kurti

Sipas kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, krimineli dhe terroristi serb, Milan Radoiçiq po bën plane për sulme të tjera në Kosovë. 

“Pas sulmit terrorist, Radoiçiq u lirua nga gjykata serbe në kohë rekorde, ai tash po vazhdon përgatitjet për sulme tjera në Kosovë bashkë disa pjesëtarë të organizatës terroriste “Mbrojtja Civile”. Radoiçiq po mban takime të rregullta me zyrtarë të lartë të BIA-s. Ambientet e firmës në Rashkë, si ato të Novi Pazar Put, po përdoren për strehimin dhe ruajtjen e automjeteve dhe mjeteve eksplozive për sulmet e ardhshme nga Radoiçiq dhe grupi i tij. Në këtë ndërtesë strehohen disa anëtarë të “Mbrojtjes Civile” që instruktor e kanë Uglesha Jaridiq. Pas sulmit terrorist, Radoiçiq u lirua nga gjykata serbe në kohë rekorde, ai tash po vazhdon përgatitjet për sulme tjera në Kosovë bashkë disa pjesëtarë të organizatës terroriste “Mbrojtja Civile””, ka thënë ndër tjerash Kurti ditë më parë. 

Lufta e (pa)mundur 

Se Kosova është e rrezikuar nga organizatat terroriste që financohen nga Serbia, e thotë edhe doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Gurakuç Kuçi. 

“Kosova ka kohë që është rrezikuar vazhdimisht nga organizata terroriste të financuara dhe ushtruara nga Serbia. Këto organizata kanë pritur vetëm momentet e duhura për tu hedhur në aksion. Radojiçiqi është pothuajse në fatin e Prigozhinit dhe organizimet terroriste të ardhshme sa do që mund të përdorin emrin e Radojiçiqit, realisht janë nën ricentralizimin e fuqishëm të Vuçiqit dhe Vulinit”, shprehet Kuçi për “Bota sot”. 

Image
Gurakuç Kuçi. 

Por, Kuçi drejton kritika për qasjen e kryeministrit Kurti. 

Në situatën e tillë gjeopolitike që gjendet bota, është e kuptueshme dhe e argumentueshme se vendet fragjile shihen si zona ideale për shpërthimin e luftës, por jo në mënyrën si e paraqiti z. Kurti. Ky i fundit më shumë shprehu informacione që tashmë i dimë dhe panik duke ngjallur frikë tek qytetarët, që qytetarët të jenë më të disiplinuar në çdo reagim apo kërkesë të tyre për shkak të gjendjes së luftës”, nënvizon Kuçi. 

“Lufta klasike që mund ta bëjë Serbia në Kosovë në rrethana të tanishme është e pamundur, ajo vie në pah vetëm në rast të një lufte të përgjithshme globale. Por lufta hibride dhe terroriste është gjithmonë si opsion në tavolinë. Ajo çka u prezantua më shumë kishte të bënte me një tendencë invazioni klasik se sa hibrid”, shton doktor Kuçi. 

Por a ka rrezik që Serbia ta synojë aneksimin e veriut të Kosovës me luftë? 

“Serbia më e interesuar është që Kosovën e veriun ta fitojë pa luftë në Konferencë Ndërkombëtare dhe aty i ka gjasat reale dhe këtë politika e tanishme e Kosovës është duke ia mundësuar. Serbia nëse do hapte një front të ri, do të mund të ishte fundi i Vuçiqit, fronti i ri në Kosovë mund të vite nga Radojiçiqi vetëm nëse do dëshironte ta fundoste Vuçiqin për shkak se është fundosur edhe vetë”, përfundon doktor Gurakuç Kuçi. 

Serbia po përgatitet për sulme terroriste në Kosovë 

Image
Gani Qarri

Kurse analisti Gani Qarri mendon ndryshe nga Kuçi. Sipas tij, Serbia po përgatitet edhe ushtarakisht për aneksimin e veriut të Kosovës.  

“Vet dërgimi i një ushtaraku të pensionuar profesionist, për drejtor të një kompanie civile, në afërsi me kufirin e Kosovës, si koloneli në pension, Aleksandër Grbiq, për të cilin thuhet se ka specializuar shërbimet e mbrojtjes dhe të sigurisë në Akademinë Ushtarake në Beograd, është graduar tre herë, si koloneli më i ri, është fitues i çmimeve të shumta dhe njihet si pjesëmarrës aktiv i luftës në Kroaci, Bosnje dhe Kosovë, nuk do fare koment, se njëmend bëhet fjalë, mbi një puro-plan, për pushtimin me forcë të veriut të Kosovës”, thekson Qarri. 

Sipas tij, dëshmi për këtë është letra që Vuçiq i ka drejtuar Bashkimit Evropian. 

Në këtë drejtim, godet edhe tendenca tjetër meskine e Serbisë hegjemoniste, që përveç mos nënshkrimit të marrëveshjes bazike me Kosovën, të mos nënshkruaj as marrëveshjen për të ashtuquajturin asociacion, të propozuar nga Bashkimi Evropian, duke deklaruar edhe me shkrim, në letrën drejtuar BE-së, se Serbia nuk e njeh as integritetin territorial të Republikës së Kosovës. Krejt kjo dëshmon se Serbia ka përpara, plane të rrezikshme, për ta sulmuar seriozisht Kosovën, nëse jo me agresion të hapur frontal ushtarak, atëherë me sulme terroriste të bandave kriminale serbe, brenda territorit të vendit tonë, për të pushtuar me forcë veriun dhe pamundësuar edhe fizikisht, funksionimin normal të shtetit të Kosovës”, deklaron Gani Qarri. 

“Prandaj edhe Kryeministri Albin Kurti, duhet të ketë të dhëna të sakta dhe informata të sigurta nga burime të besueshme dhe nga dora e parë e informatave zyrtare, përderisa deklaron dhe përmend fakte, se Milan Radoiçiq pas sulmit terrorist në Banjë të Zveçanit, pasi u lirua nga gjykata serbe në kohë rekord, ai tani po mban takime intensive me shërbimet sekrete serbe dhe bashkë me anëtarë të organizatave terroriste po planifikon, një sulm të ri kundër veriut të Kosovës.  Madje Radojçiq nën kujdesin e BIA-së dhe kolonelëve në pension të ushtrisë së Serbisë, po vazhdon përgatitjet për sulme të mëtejshme në Kosovë me disa anëtarë të organizatave terroriste si "mbrojtja civile" dhe e ashtuquajtura "brigada e veriut" duke mbajtur trajnime të rrepta me zyrtarë të lartë të BIA-s dhe strehuar në lokalet e posaçme në Rashkë, si dhe ato të firmës "Novi Pazar put" të Novi Pazarit, të cilat i përdorin edhe për ruajtjen e makinerisë dhe mjeteve tjera ushtarake, para sulmeve të reja në Kosovë”, shpjegon Qarri. 

Më tej, Qarri thotë Milan Radoiçiq u la qëllimisht i lirë nga gjykata në Beograd, me synimin për të realizuar sulme terroriste në Kosovë. 

“Deklaratat e kryeministrit të Kosovës se Milan Radoiçiq po mban takime të vazhdueshme me shërbimin sekret serb dhe se, në afërsi të kufirit me Kosovën, po strehon anëtarë të organizatave terroriste për të planifikuar një sulm të ri në Kosovë, të cilat nuk po demantohen as nga KFOR-i, SHBA dhe BE, dëshmon se Radojçiq, pikërisht për këtë qëllim edhe u la i lirë dhe se Kosova vërtetë po rrezikohet publikisht nga sulme të reja terroriste serbe, kundër të cilave duhet të jetë e përgatitur maksimalisht, për tu dhënë shpejt dhe me kohë, përgjigjen e duhur dhe goditjen adekuate”, thekson Qarri për “Bota sot”.  

Më tej, sipas Qarrit bandat kiminale serbe janë duke u stërvitur nga koloneli në pension i ushtrisë serbe, Aleksandër Grboviq. 

“Përndryshe ky është edhe një planë meskinë për pushtimin me dhunën e armëve, të veriut të Kosovës, duke mos hezituar për të përdorur edhe aksionet e forcave paramilitare dhe masakrat e terrorin e bandave kriminalo-terroriste serbe, që tanimë dihet publikisht, se po stërviten drejtpërsëdrejti nga koloneli në pension i ushtrisë serbe, Aleksandër Grboviq i njohur si "Grba" i cili vetëm para 5 viteve u soll, jo krejt pa qëllim, nga burgu i Nishit, ku shërbente si udhëheqës i tij, nga viti 2013, për tu emëruar drejtor i kompanisë "Novi Pazar put" që si ushtarak i rryer, të kryente edhe stërvitjen dhe përgatitjet e specializuara të forcave terroriste serbe, për sulme në Kosovë. Edhe objektet e përzgjedhura, për strehimin e terroristëve serb me në krye krye terroristin Milan Radojçiq, si kompania e njohur me emrin "Novi Pazar put", që bashkë me pronarët e saj, tash e sa kohë është vendosur me arsye, në listën e zezë amerikane, figuron të jetë në pronësi të kriminelëve të veriut vëllezërve Zvonko e Zharko Veselinoviç si dhe të vet Milan Radoiçiq-it, kurse drejtori i saj, jo një civil i zakonshëm, por koloneli në pension i ushtrisë serbe, i njohur si "Grrba", ish pjesëmarrës aktiv në luftën e Kroacisë, Bosnjës dhe atë të Kosovës”, shpjegon Qarri. 

“Plan të cilin forcat tona policore, ushtarake dhe agjencia e inteligjencës, duke ditur paraprakisht, përvojën dhe përgatitjen ushtarake të këtij nënkoloneli dhe përvojën e tij të gjatë luftarake, si pjesëmarrës aktiv në luftën e Kroacisë, Bosnjës dhe Kosovës, i cili duhet ta njoh mirë edhe relievin  brenda shtetit tonë, e veçanërisht terrenin në veri të Kosovës, duhet ti rrinë gati me kohë dhe ta asgjësojnë, që në start, nëse një sulm i tillë, vërtetë guxon të ndodhë, para se të bëhet vonë dhe pësojmë dëmtime të pariparueshme, si shtet i ri, e pa ushtri të vendosur në pjesën më të rrezikuar të vendit, në veri, dhe vend i vogël e pa mbështetje të mjaftueshme ndërkombëtare, që para zhvillimeve të supozuara, është problem, jo krejt i vogël dhe pa rëndësi, në raste dhe gjendje të tilla”, përfundon për “Bota sot”, analisti Gani Qarri. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat