“Gjuajtje me armë raketore e …” Qehaja: Batalioni serb në Banjskë synoi jo vetëm Mitrovicën, por edhe këtë qytet të Kosovës

Politika

“Gjuajtje me armë raketore e …” Qehaja: Batalioni serb në Banjskë synoi jo vetëm Mitrovicën, por edhe këtë qytet të Kosovës

Nga: A.Zh Më: 31 dhjetor 2023 Në ora: 12:09
Ramadan Qehaja

Kanë kaluar më shumë se 3 muaj që nga sulmi terrorist serb në Banjskë, në të cilin u vra tragjikisht polici i Kosovës Afrim Bunjaku. Krerët e shtetit, nuk e përjashtojnë mundësinë që një sulm me skenar të njëjtë, të ndodhë prapë në Kosovë.

Duke folur lidhur me këtë sulm, njohësi i çështjeve ushtarake dhe të sigurisë Ramadan Qehaja, ka thënë se në Banjskë ndodhi përafërisht ajo, për të cilën ai kishte paralajmëruar.

Ai për gazetën “Bota sot” vlerëson se gjendja e sigurisë është e brishtë dhe ka mundësi eskalimi.

“Unë dua të theksoj disa elemente për këtë, ndoshta më tepër nga aspekti ushtarak. Fillimisht ju e dini që unë në disa raste kam shkruar dhe kam deklaruar se situata e sigurisë në vendin tonë, është mjaft e brishtë dhe me rrezikshmëri të madhe për eskalim të situatës. Disa analistë, por edhe të tjerë intelektualë, më kanë thënë që unë po i shtyj të mendojnë për një luftë që nuk do të ndodhë këtu në Kosovë, gjë që unë ju kam thënë se mund të ndodhë, përafërsisht kjo çka ndodhi këtu në veriun e Kosovës me 24 shtator të këtij viti”, ka thënë Qehaja.

Ai ka treguar qëllimin e sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjkë.

“Me një fjalë, qëllimi i sulmit terrorist serb në Banjskë, ishte të bëhet detashimi i grupit të specialistëve të ndryshëm, pra të ushtarakëve, policëve, xhandarëve dhe ekspertëve të Sigurimit shtetëror serb, pra ishte qëllimi të futej armatimi i bollshëm dhe të armatosej një numër i popullatës lokale atje dhe të futën në njësitet ushtarake apo luftarake. Unë, sipas asaj që kam parë, edhe pse nuk kam qenë në vendin e ngjarjes, kam menduar për këtë problem të mundshëm”, ka theksuar eksperti Qehaja.

Sipas tij, me 300-600 njerëz synohej që të organizoheshin gjuajtje nga distanca me armë artilerike e raketore në brendësi të Mitrovicës dhe të Prishtinës.

“Në bazë të armatimit që është konfiskuar atje dhe në bazë të asaj që kam parë, mendoj se ka pasur armatim për formimin e një batalioni ushtarak, i cili do të vepronte në atë pjesë të territorit tonë. Batalioni, mund të ketë 300-600 njerëz, varësisht prej situatës. Ata pas formimit të këtij batalioni, kanë pasur për qëllim që të marrin disa pika, apo siç themi ne ushtarakët, disa pozicione shumë të rëndësishme, dominuese, deri në lumin Ibër; të bëhet vrasja e një numri të policëve tanë atje; të futet një frikë dhe njëkohësisht të organizohet një gjuajtje nga distanca me armë artilerike, raketore, të disa caqeve në brendi të territorit tonë, psh. në rajonin e gjerë të Mitrovicës, por edhe të Prishtinës dhe kështu të bëhet një situatë tejet e palakmueshme dhe të mos ketë mundësi të bëhen përforcime në veri të Kosovës dhe në këtë mënyrë shumë lehtë ta marrin atë pjesë të territorit, përkatësisht t’ia bashkangjitin Serbisë”.

Sipas Qehajës, ky do të ishte një përshkallëzim i rrezikshëm i situatës së sigurisë dhe krijim i gjendjes së luftës në Kosovë.

“Por, falë syçeltësisë së Policisë sonë dhe organeve tjera të sigurisë, por edhe estabilishmentit politik, kjo situatë u kthye në favorin tonë”, ka shtuar Ramadan Qehaja.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat