“Specialja shansi i fundit dhe i vetmi”/ Këto tri ngjarje dyshohet se “morën me vete” të vërtetën e atentatit ndaj Kolonel Tahir Zemajt!

Politika

“Specialja shansi i fundit dhe i vetmi”/ Këto tri ngjarje dyshohet se “morën me vete” të vërtetën e atentatit ndaj Kolonel Tahir Zemajt!

Nga: M. Lakna Më: 4 janar 2024 Në ora: 21:08
Tahir Zemaj

Sot janë mbushur 21 vjet vrasjen e veprimtarit të çështjes kombëtare, ushtarakut dhe strategut të luftës Kolonel Tahir Zemajt, djalit Enisit dhe kushëririt Hasanit, i cili ishte kryetar i Forumit të Rinisë së LDK-së në Deçan. 

Kjo vrasje që tronditi mbarë Kosovën nuk është zbardhur ende nga organet e drejtësisë.  

Për 21 vjet me radhë u aludua e u fol shumë mbi autorët e mundshëm, por që drejtësia nuk veproi asnjëherë.  

Veprimtari dhe publicisti Fatmir Bajraj, në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka thënë se dihen motivet, dihet pista dhe njihet mirë e gjithë kupola e krimit, por mungon guximi qytetarë dhe vullneti politik për zbardhjen e vrasjes së kolonel Tahir Zemajt, të birit Enisit dhe kushëririt Hasanit.  

“Sikur jemi pajtuar që pajtohemi që vrasjet politike të mos zbardhën kurrë, ngase kështu sikur ndihen komod në relacionet reciproke; viktima me kriminelin dhe ky është kulmi i absurditetit "njerëzor"! 

Dikur me të drejtë akuzonim misionet ndërkombëtare në Kosovë, siç ishte UNMIK-u, dhe më pas edhe EULEX-in si mision i BE-së në Kosovës për rend & ligj, të cilët, edhe pse kishin në dorë gjithë pushtetin, autoritetin dhe kompetencat në siguri, organet e ndjekjes, të akuzës dhe deri të gjyqësori, nuk bënin të duhurën për  të sjellë para drejtësisë dhe ndëshkuar autorët e krimeve. 

I gjithë ky hezitim i këtyre misioneve ndërkombëtare, jo-efikasitetin e "misioneve" të tyre, e  justifikonin me gjëja ruajtjen e stabilitetit politik, paqes dhe sigurisë e cila edhe ashtu ishte e brishtë, por të cilën realisht, edhe ma të brishtë e bënte fakti i ruajtjes me çdo kusht, dhe për pasojë, edhe mos-ndëshkimin e krimit dhe të kriminelëve. 

Misionet ndërkombëtare, ndoshta nuk mund të parandalonin krimet, por kishin në dorë të gjithë mekanizmat për zbardhjen dhe kapjen e autorëve, dhe ky jo-efikasitet nuk ishte në dobi të Kosovës, por ma shumë u shkonte për shtati kriminelëve dhe vet Serbisë armike”, ka thënë Bajraj për “Bota sot”. 

Ai më tej ka thënë se motivet e atentatit ndaj Kolonelit Tahir Zemaj ishin politike dhe për pushtet. 

“E gjithë kjo kishte një trajektore të gjakosur me një mori atentatesh gjatë dhe pas luftës, duke filluar me atentatin mbi Ministrin e Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, Kolonel Ahmet Krasniqi në Tiranë me 21 shtator të vitit 1998, për të vazhduar tutje deri n'kapjen e "olimpit" (pushtetit), pas shkuarjes në amshim të presidentit Rugova. 

Kolonel Tahir Zemaj, nuk u atentatua pse ishte shqiptar, dhe as pse ishte kundër kauzës së lirisë dhe luftës çlirimtare të popullit të Kosovës për liri, por për faktin se ishte institucionalist dhe jo rebel, sepse ishte ushtarak i karrierës me dije dhe përgatitje supreme në artin ushtarak e luftarak, dhe me shpirt e bindje demokrati, i cili njihte institucionet e Republikës dhe verdiktin e Sovranit, përfshi këtu Ministrinë e Mbrojtjes së republikës së Kosovës, Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës dhe vet Komandantin Suprem të FARK-së, Presidentin e Republikës, Dr. Ibrahim Rugova. 

Në anë tjetër, ishin krahu tjetër si fraksion i "luftës", të cilët krye-kauzë kishin pushtetin, dhe n ‘këtë synim "fisnik" & "patriotik", nuk duronin hisedar, ngase  pushtetin e donin vetëm për vete, dhe kjo në optikën e tyre shihej e realizueshme, vetëm duke i eliminuar të gjithë kundërshtarët potencial, të cilët i shihnin, jo si kundërshtarë politik, por si armiq të tyre”, ka potencuar Bajraj. 

Kur, ku dhe si filloj kurba e krimit ! 

Më tej Bajraj ka folur edhe për mënyrën se si, kur, ku dhe si filloi “kurba e krimit”! 

Sipas tij, gjithçka nisi në Tiranë drejt Kosovës, për të qenë e frikshme, e kobshme dhe fatale për fatin e Kosovës dhe të shqiptarëve, dhe jo vetëm për të ekzekutuarit dhe familjarët e tyre. 

“Pa mëdyshje se për të gjitha vrasjet politike dhe pas të gjithave, qëndrojnë në sinkron ish Tirana zyrtare, fatkeqësisht, ajo e cila erdhi në pushtet pas rebelimit të 97-së, recidiv të ish sistemit diktatorial të Enver Hoxhës, dhe leva e saj jashtë dhe brenda Shqipërisë, LPK. 

Ky konstrukt ideologjik i së majtës staliniste ndër shqiptarët, përmes mekanizmave të sofistikuar; SHISH & SHIK koordinuan veprimtarinë anti-kombëtare dhe anti-Kosovë, por duke pas si kupolë PS-në në pushtet dhe në anën tjetër, të vetquajturin SHP i UÇK-së me seli në hotelin Rogner të Tiranë dhe të ashtuquajturën Drejtori Politike e UÇK-së, nga të cilët gjeneronin të gjitha atentatet politike, e që janë me qindra fatkeqësisht. 

Vet itinerari i namit dhe sukseseve në beteja të njësiteve ushtarake nën hierarkinë dhe subordinimin institucional ( FARK),dhe të komanduara nga njerëz dhe ushtarak të karrierës, siç ishte rasti me Betejën e Loxhes dhe komandantin e SHORRD-it, Kolonel Tahir Zemaj, ishte halë në sy për krahun rebel dhe diletant që obsesion kishin pushtetin dhe përvetësimin e vlerave të luftës, përfshi gjakun e dëshmorëve. 

Emrat e përveçëm që lidhën me fatkeqësinë-tragjike të Brigadës Mergimi, deri të atentati mbi vet Kolonelin Tahir Zemaj, të birin Enisin dhe kusheririn Hasanin, me 04 janar 2003 në Pejë, janë të përfshirë, përveç Fatos Klosit si ish Shef i SHISH-it, edhe Feriz Kërnaja, Fatmir Haklaj dhe Jaho Mullosmani, ky i fundit i vetmi i gjallë në Shqipërinë sotme, derisa në Kosovë, përmenden, Tahir Sinani dhe Xheladin Gashi, për të vazhduar me tragjedinë e Pejës, kur u vranë 5 ushtarë të kësaj Brigade, dhe mbijetoj vetëm një, por prap heshtje... 

Për atentatin kundër Kolonelit Tahir Zemaj, sipas asaj që mund të konkludohet nga të gjitha zhvillimet e para dhe pas atentatit, qëndrojnë  LPK-ja e  Ibrahim Kelmendit, deri sa për ekzekutimin, akuzohej grupi kriminal n ‘krye me vëllain e Ibrahim Kelmendit, z, Qerim Kelmendi dhe grupi i tij n ‘përbërje të se cilit ishin; Agron Sylejmani, Faik Shaqiri dhe Afrim Ejupi!”, ka thënë Bajraj 

Por, Bajraj përmendi disa ngjarje kriminale në Kosovë që e morën me vete të vërtetën për atentatin ndaj kolonel Tahir Zemajt.  

“Vjedhja në dhomën e dëshmive ne vitin 2009 dhe atentati ndaj Sabahate Tolaj, Jusuf Haklaj dhe më pas edhe  Qerim Kelmendit, mori me vete të vërtetën e atentatit ndaj komandantit të ZOD-it, Kolonel Tahir Zemaj!”, ka shtuar ai.  

Për Fatmir Bajrjan lidhur me këtë rast dhe vrasjet e tjera politike, Gjykata Speciale, shansi i vetëm dhe i fundit! 

“Deri tani, asnjë vrasje politike, përjashto rastin e izoluar  të Ukë Bytyqit, nuk është zbardhë, dhe aq ma keq, pas gati një qerek shekulli pas çlirimit, në vend të zbardhjes, ka ndodhë e kundërta e saj; vrasja e dëshmitarëve dhe humbja e dëshmive në mënyrë që falangat e krimit të mbajnë të ngulfatur sistemin e Drejtësisë. 

Tanimë, në Gjykatën Speciale të Kosovës me seli në Hagë, para trupit gjykues janë një numër tepër simbolik i të akuzuarve, edhe për vrasjet politike, por mungojnë edhe shumë tjerë të cilët janë të lirë, në parti politike parlamentare, përjashto këtu vetëm LDK-në, në institucione dhe gjithsesi edhe në Gjyqësor dhe në Ekzekutiv. 

Në vlerësimin tim: Përderisa urdhërdhënësit, dhe me gjasë edhe autorët e vrasjeve politike i kemi  të veshur me imunitet & pushtet, dhe të njëjtit janë në tri pushtetet e ndara me Kushtetutë, gjasat për Drejtësi vendore si satisfaksion, janë minimale ose kurrfarë”, ka nënvizuar ai. 

Bajraj ka potencuar se defekti ma i madh i kësaj shoqërie, është edhe fakti se, me buxhetin e shtetit suporton të akuzuarit në Hagë, pra "NPK"-në, alias, kriminelet potencial”, dhe i ka lenë në harresë të dëmtuarit nga atentatet (familjarët e viktimave), dhe e gjithë kjo me "LIGJ" ! 

“Shpresa e familjarëve dhe e qytetarëve besnik të Republikës së Kosovës, është ekskluzivisht në Gjykatën Speciale, edhe pse provat dhe dëshmitë janë vjedhë, e shumë prej dëshmitarëve janë vra, megjithatë, ajo (shpresa) vdes e fundit. 

PS.  

Familjarët e viktimave duhet të bëjnë ma shumë për zbardhjen e vrasjeve të familjarëve të tyre, madje shumë ma shumë se sa kaq ; ata s'duhet të flenë deri sa të marrin dënimin meritor kriminelët. 

Edhe ne jemi bashkë me familjarët e viktimave, edhe për faktin se fati i Kosovës është peng i zbardhjes së këtyre vrasjeve. 

Lavdi Kolonelit Tahir Zemaj, Hero i Kosovës, për jetën dhe veprën në shërbim të atdheut”, ka përfunduar ai. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat