“Duhet të bëjmë edhe ne luftë”| Profesori tregon skenarin për kundërpërgjigje ndaj Serbisë: Ndërkombëtarët kishin frikë nga “Luani i Ballkanit”!

Politika

“Duhet të bëjmë edhe ne luftë”| Profesori tregon skenarin për kundërpërgjigje ndaj Serbisë: Ndërkombëtarët kishin frikë nga “Luani i Ballkanit”!

Nga: Nehat Shaqiri Më: 9 janar 2024 Në ora: 22:24
Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiq

Ushtria serbe ka qenë, është e do të jetë në kufi me Kosovën edhe nëse Beogradi do ta njohë pavarësinë e shtetësinë e saj, sepse në Serbi është ndërtuar prej dy shekujsh një sistem politik që prodhon gjithmonë armiq.

Kështu është shprehur profesori dhe analisti politik Enver Bytyçi, i cili thotë se, armiku i përhershëm i Serbisë kanë qenë dhe mbeten shqiptarët.

Profesori pohon se, politika dhe sistemi shtetëror serb e gjenë në një farë mënyre gjuhën e përbashkët p.sh me malazezët dhe maqedonët, por me shqiptarët në tërësi ata nuk duan dhe as kanë shans të pajtohen, duke shtuar se shqiptarët e serbët janë krejt të ndryshëm dhe nuk kanë as gjuhë, as fe, as zakone, as traditë të përbashkët. Gjithçka është dalluese, që sipas profesorit, edhe politika, kisha, akademia serbe, opinioni serb e kanë më të lehtë të mobilizohen kundër atij që nuk ngjan, kundër shqiptarëve.

“Këto ditë minsitri i Mbrojtjes i Serbisë, Milosh Vuçeviq, shkoi në kazermën ushtarake në Medvegjë dhe kërcënoi publikisht se është i gatshëm të ndërhyjë në Kosovë, në këtë tokë të shenjtë, siç e quante ai. D.m.th në Serbi vazhdon retorika e “Tokës së shenjtë dhe djepit të shtetit e të kombit serb” për Kosovën. D.m.th Millosheviçi e para tij, Rankoviçi, Pashiçi, apo Vasa Çubrolloviç e Andriç, janë frymëzuesit e politikave serbe në Ballkan. Dhe pavarësisht kësaj ka shumë perendimorë e madje jo pak shqiptarë që besojnë se me serbët ne jemi vëllezër”, thotë Bytyçi për gazetën “Bota sot”.

Ai shprehet se, filozofia e strukturave shtetërore, publike, shkencore e fetare të Serbisë vazhdon të predikojë urrejtje dhe armiqësi në Ballkan, sidomos kundër shqiptarëve, përkatësisht Kosovës.

“Në Kosovë serbët e kanë më të lehtë se sa në vendet e tjera ballkanike. Kjo edhe se spekulojnë me faktin që Kosova nuk është anëtare e OKB-së. Kjo do të thotë se Serbia ka mbështetjen e disa vendeve të Bashkimit Europian, minimalisht të pesë vendeve që nuk e kanë njëhur shtetësinë e Kosovës, por edhe të disa vendev të tjera, si Franca, Hungaria e ndonjë tjetër. Sepse zhagitja e mosnjohjes i ka dhënë kohë e hapësirë politikës serbe jo vetëm të rivendikojë Kosovën, territorin e sovranitetin mbi të. Por edhe që Serbia të mos i nënshtrohet një katarsisi, një pendimi të thellë për masakrat dhe genocidin kundër shqiptarëve, boshnjakëve muslimanë e kroatëve”, pohon profesori.

Image
Prof. Dr. Enver Bytyçi

Sipas tij, kur Vuçiq deklaroi para tri-katër vitesh se “Politika dhe qëllimet e Millosheviçit ishin të mira, por ai nuk diti të zgjedh mjetet e sukseshme për arritjen e qëllimit të tij”, pritej një reagim i fuqishëm ndërkombëtar, europian dhe amerikan. “Jooooo! Askush nuk foli. Kishin frikë nga “luani i Ballkanit”, apo kishin qëllim që Serbia të përgatitej për luftëra të reja në Ballkan?! Për mua janë të dyja tezat ose hipotezat! Sot Kosova vuan jo vetëm marrinë serbe të urrejtjes dhe të hakmarrjes ndaj shqiptarëve, por edhe hipokrizinë e naivitetin euro-atlantik ndaj Serbisë. U desh agresioni rus kundër Ukrainës të ndryshojë diçka në politikat europiane”.

Megjithatë profsori thotë se, ende nuk ka një ndryshim cilësor.

“Serbia duhej dhe duhet dënuar edhe sot si vend dhe shtet genocidist. Njësoj siç ndodhi me Gjermaninë në përfundim dhe pas Luftës së Dytë Botërore. Të vihen në karantinë, derisa të ndryshojë gjithë strukturat e edukimit dhe nxitjes së krimit kundër popujve të tjerë. Derisa të ndërrojë programet shkollore dhe retorikën raciste kundër shqiptarëve. Derisa të heq dorë nga mitet mesjetare të fabrikuara nga akademia dhe kisha serbe, sepse historia serioze i ka provuar ati si të pavërteta. Derisa të jetë e gatshme të pranojë një sistem demokratik të patjetërsueshëm e të vazhdueshëm. Ka kaluar një çerek shekulli dhe kjo nuk u bë. Tani europianët dhe amerikanët i thonë politikanëve pro-rusë mos veproni, mos sulmoni Kosovën dhe mos e zhbëni shtetin e Bosnjë Hercegovinës. Është njësoj sikur t’i thuash ujkut, “aman mos i ha delet”!”, thotë Bytyçi.

Prandaj, ai shton se ka thënë vazhdimisht dhe e përsëritë se shqiptarët nuk duhet ta presin gjithmonë e në mënyrë të përsëritur lirinë e pavarësinë e Kosovës në këtë rast nga Europa dhe Amerika.

“Mjafton që ato të jenë në anën tonë. Duhet ta bëjmë edhe ne ndonjëherë ndonjë luftë. Për këtë arsye i vlerësoj si shumë pozitive përpjekjet e qeverisë dhe kuvendit të Kosovës për të forcuar forcat e armatosura. Është katërfishuar buxheti në dy-tri vite. Dhe kjo është historike. Kosova investon për mbrojtjen katër herë më shumë sesa Shqipëria. Nevojat janë akoma më të mëdha”.

“Nëse Kosova arrin të zhvillojë demokracinë dhe institucionet demokratike në modelin euro-atlantik, nëse ajo forcon aftësinë mbrojtëse të saj dhe dëshmon se është e gatshme për sakrificë sublime në mbrojtje të integritetit territorial të kërcënuar nga Serbia, ajo do ta ketë më të madhe mbështetjen perëndimore. Por askush në Perëndim nuk do të donte të luftonte për Kosovën, ndërkohë që kosovarët të rreziten në plazhet e Shqipërisë, Malit të Zi e gjetkë”, përfundon profesori dhe analisti politik Enver Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat