“Goditet” Serbia/ Pas 24 shtatorit, vizita e Cameron më e rëndësishmja për Kosovën dhe sigurinë e saj

Politika

“Goditet” Serbia/ Pas 24 shtatorit, vizita e Cameron më e rëndësishmja për Kosovën dhe sigurinë e saj

Armirë Shaqiri Nga Armirë Shaqiri Më 11 janar 2024 Në ora: 15:43
David Cameron dhe Albin Kurti, 4 janar 2024

Britania e Madhe ka shprehur gjithmonë mbështetje të plotë për Kosovën.

Sekretari i Jashtëm britanik, David Cameron, së fundi ishte për vizitë në Kosovë. Ai nga afër u njoftua për gjendjen e vendit tonë, sidomos pas sulmit që ndodhi në Banjskë nga terroristët serbë. Para tij, ishte edhe deputetja më e zëshme kundër Serbisë, Alica Kearns.  

Pas kthimit në Britani, ai para Komitetit për punë të jashtme të Parlamentit britanik tha se duhet të shprehet zhgënjim me sjelljen e Qeverisë së Serbisë, pas ngjarjeve të shtatorit në Banjskë të Zveçanit.  

“Ne duhet të shprehim zhgënjimin në rritje lidhur me sjelljen e Qeverisë serbe. Sigurisht, ne nuk kemi ndryshuar mendim që t’i japim shans Serbisë për integrim euroatlantik. Por, mendoj se ka frustrim për këtë sjellje të tyre dhe ne duhet të jemi të qartë për këtë.   

Nëse BE-ja dhe SHBA-ja ndajnë këtë zhgënjim, unë nuk e di, duhet t’i pyesni ata. Por, nga bisedat që kam pasur kam ndier se ka zhgënjim sepse Banjska ishte një moment i një rreziku të madh”, kishte thënë Cameron.  

Rugova: Mesazhi i parë i një diplomati të këtij niveli se Serbia duhet ndëshkuar  

Analisti dhe ish deputeti Naser Rugova, në një përgjigje për “Bota sot” ka thënë se Britania ka një rol të madh në pavarësimin e vendit tonë, duke shtuar se edhe vizita e tij tregon mbështetjen që ka për Kosovën.  

Image
Naser Rugova

Madje, Rugova thotë se Cameron ishte i qartë kur tha se pas sulmit në Banjskë, kemi krejt situatë tjetër.  

“Britania e Madhe është një nga partnerët strategjik më të rëndësishëm të vendit tonë. Pas SHBA-ve ka rolin kryesor për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Vizita e Cameron në Kosovë tregon për përkushtimin dhe mbështetjen e madhe që tregon Londra zyrtare për Kosovën.   

Cameron ishte i qartë, pas 24 shtatorit kemi situatë krejt tjetër, dihen emrat dhe adresat politike të agresorëve, është dokumentuar tani se Beogradi zyrtar është i involvuar direkt në këtë akt agresioni, prandaj agresori duhet të ndëshkohet”, shprehet ai.   

Tutje, Rugova nënvizon se mesazhi i tij ishte i qartë se Serbia duhet ndëshkuar.  

“Deklarata tjetër e Cameron se nëse dikush mendon ta përsërisë një rast të ngjashëm ne do të luftojmë, flet shumë për vendosmërinë e një nga superfuqitë botërore Britanisë së Madhe për mesazhin dërguar BE-së dhe bashkësisë ndërkombëtare se Serbia duhet të ndëshkohet. Pas rastit të 24 shtatorit kjo vizitë ishte më e rëndësishmja në aspektin politik, diplomatik por edhe gjeopolitik për Kosovën dhe sigurinë e saj dhe ishte mesazhi i parë i një diplomati të këtij niveli se Serbia duhet ndëshkuar”, thekson ai.  

Mehazi: Deklarata e Cameron, shumë e vlefshme për paqen dhe sinjal vërejtjesh për BE-në  

Image
Sulejman Mehazi

Edhe profesori Sulejman Mehazi, në një përgjigje për “Bota sot” , lidhur me këtë temë bën krahasimin me kryeministrin Edi Rama, për të cilin thotë nuk ishte i ashpër si Cameron ndaj Serbisë, pas sulmit që ndodhi në Banjskë.  

“Është e qartë se pas SHBA-ve aleate më e madhe e R. së Kosovës është Britania e Madhe e cila që nga pavarësia ka qenë dhe është për Kosovën. Sesa e interesuar është Britania e Madhe për Kosovën tregon vetë ardhja e Sekretarit Britanik, David Cameron, në vendin e sulmeve terroriste serbe në Banjskë të Zveçanit.  

Është për t'u habitur se si është e mundur që Sekretari Britanik, David Cameron, të jetë aq i qartë, decid e i ashpër ndaj Serbisë sesa kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili pas ngjarjeve në Banjskë në vend që të kritikonte e kërcënonte Vuçiqin, bëri të kundërtën që për të shpëtuar mikun e bizneseve shtetërore, presidentin e Serbisë, Vuçiqin, nxori një draft-statut vetanak në lidhje me asociacionet serbe në Kosovë.  Për ironi, funksionari i lartë i Britanisë së Madhe, David Cameroni, duke shprehur dashuri të madhe ndaj drejtësisë shtetërore të Kosovës, e duke qenë i zhgënjyer ndaj qeverisë së Serbisë me rastin e dialogut me Kosovën del më patriot sesa vetë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe kryetari i BDI-së në qeverinë e RMV-së, Ali Ahmeti, të cilët sipas veprimeve politike më shumë anojnë nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiqi, duke e lënë të vetmuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin”, thotë ai.  

Sipas tij, deklarata e Cameron ishte për paqen, ishte po ashtu një sinjal vërejtjesh për BE-në cila me pasivitetin e tyre ndaj Kosovës mund të destabilozojnë rajonin.  

“Deklarata e Sekretarit Britanik, David Cameron, para Komitetit për Punë të Jashtme të Parlamentit Britanik, është deklaratë shumë e vlefshme për paqen, se veprimet politike serbe ndaj Kosovës janë zhgënjyese dhe të rrezikshme ndaj gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor, se nëse BE-ja nuk ndëshkon Serbinë le të përgatitet për destabilizimin e shteteve të Ballkanit. Deklarata e Cameronit, është një sinjal vërejtjesh ndaj BE-së e cila me pasivitetin e tyre ndaj Kosovës mund të destabilozojnë rajonin.  

Shkurt, Sekretari Britanik Cameron i bën një porosi këshilluese BE-së s'e nëse nuk përkrahet Kosova, atëherë evropianët anojnë nga Rusia e jo nga SHBA-të e Britania e Madhe që janë për Kosovën e jo për Serbinë ruse.  

BE-së ka dy variante politike e diplomatike ose të kthehen në anën e Britanisë së Madhe dhe SHBA-ve duke përkrahur Kosovën e ndëshkuar Serbinë, ose t’i kthehen anës luftënxitëse serbe-ruse?”, përfundon ai. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat