Serbia me plan për rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak/ Ekspertët: Rrezik për Kosovën dhe sigurinë rajonale

Politika

Serbia me plan për rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak/ Ekspertët: Rrezik për Kosovën dhe sigurinë rajonale

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 12 janar 2024 Në ora: 08:02
Albin Kurti dhe Aleksander Vuçiq

Një temë që së fundmi mori vëmendjen e opinonit publik është nisma e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë për rikthimin e detyrimit të shërbimit ushtarak për katër muaj. 

Iniciativa është nisur nga Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Serbisë dhe propozimi i është dorëzuar presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 4 janar. 

Në shpjegimin e saj, Ushtria serbe deklaroi se propozimi vjen “pas një shqyrtimi të hollësishëm të situatës së përgjithshme të sigurisë dhe sfidave bashkëkohore me të cilat përballet Serbia si një vend ushtarakisht neutral”. 

Gjithashtu, u bë e ditur se propozimi vjen me qëllim të “ngritjes së aftësive mbrojtëse të Forcave të Armatosura Serbe, përmes rinovimit dhe përmirësimit të mbushjes dhe stërvitjes së forcave aktive dhe rezervë”. 

Mirëpo, në lidhje me këtë situatë i menjëhershëm ka qenë reagimi Departamenti Amerikan i Shtetit, i cili ka thënë se janë duke e vëzhguar nga afër situatën. 

“Ne i kemi parë këto raportime dhe po e vëzhgojmë situatën nga afër. Ne mbetemi të përkushtuar ndaj stabilitetit rajonal dhe inkurajojmë vendet e rajonit që të jenë transparente në lidhje me politikat e tyre të sigurisë së brendshme”, ka thënë një zëdhënës i DASH. 

Derisa kujtojmë që  ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Milosh Vuçeviq, ka thënë para disa ditësh se Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë ka nisur iniciativën te presidenti i Serbisë, si komandant suprem, që të hiqet vendimi për suspendimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak, pra që të riaktivizohet sërish ligji që definon shërbimin e detyrueshëm ushtarak. 

Por, cili mund të jetë qëllimi i kësaj nisme në situatën aktuale kur Serbia kërcënon vazhdimisht Kosovën me ndërhyrje ushtarake dhe vazhdon të jetë faktor destabilizues për gjithë Ballkanin. 

Shala: Ushtria serbe ka nevojë rreth 10 mijë pjestarë brenda vetes 

Image
Drizan Shala

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur eksperti i sigurisë Drizan Shala. 

Ai thotë që kjo situatë është alarm për strukturat e sigurisë dhe mbrojtjes serbe. 

“Sipas shifrave zyrtare ushtrisë së Serbisë i duhen përafërsisht rreth 10 mijë pjesëtarë brenda një viti në kuadër të ushtrisë së tyre dhe kjo është një alarm për strukturat e sigurisë dhe të mbrojtjes serbe. Për arsye që nga viti 2010 e deri në vitin 2024 Serbia ka investuar me miliarda në modernizimin e saj për të vepruar në njërën anën si një qendër ushtarake kontrolluese për rajonin e Ballkanit perëndimor për interesat e saja strategjike për të jetësuar filozofinë e tyre të krijimit të botës serbe në ish vendet e RSFJ-së”, u shpreh ai. 

Më tej, eksperti i sigurisë jep një kronologji të statistikave nga buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes dhe ushtrisë serbe. 

“Ndërsa në vitin 2018, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, doli me një vlerësim se rikthimi i shërbimit të detyrueshëm ushtarak do të kushtonte nga 90 deri në 130 milionë euro në vit, varësisht nëse trajnimet do të zgjasnin tre apo gjashtë muaj. Kjo shifër paraqet një të dhjetën e vlerës së buxhetit të përgjithshëm për Ministrinë e Mbrojtjes dhe Ushtrinë serbe për vitin 2024, që arrin vlerën prej 1.3 miliard euro. 

Sipas analizave të Ministrisë së Mbrojtjes në vitin 2016, që u paraqitën në Parlament nga ministri i atëhershëm i Mbrojtjes Zoran Gjorgjeviq, kthimi i shërbimit të detyrueshëm ushtarak do të kushtonte rreth 600 milionë euro, që do të përfaqësonte 40 për qind të buxhetit të përgjithshëm të planifikuar të mbrojtjes për vitin 2024”, shpjegoi ai. 

Ndër të tjera, Shala thotë që këto zhvillime paraqesin një rrezik për sigurinë rajonale. 

“Pra një rrezikim i tillë në aspektin buxhetor financiar të pjesës ushtarake serbe po jep projeksionin që Serbia është duke u përgatitur për të vepruar në jetësimin e zotimit të Presidentit Serb me datën 17 dhjetor 2023 ku ndër tjerash theksoj që kjo fitore në këto zgjedhje është fitore për të gjithë serbët që jetojnë jo vetëm në Serbi por edhe jashtë saj. 

Serbia ka treguar haptazi rrugën për të cilën mund të thuhet që do të paraqesin rrezik në një periudhë të caktuar për sigurinë rajonale me impakt evropian”, nënvizoi eksperti i sigurisë, Drizan Shala për “Bota sot”. 

Kelmendi: Pikësynimi serbomadh është ripushtimi i Kosovës 

Image
Muhamet Kelmendi

Ndërsa, profesori Muhamet Kelmendi në një bashkëbisedim me “Bota sot”, gjithashtu ka folur për këtë situatë. 

Ai përmend tri fusha që Serbia është drejtuar duke shtuar që qëllimi i Serbisë është ripushtimi i Kosovës përsëri. 

“Serbia e ka në Kushtetutë të sanksionuar se Kosova është pjesë përbërëse e këtij shteti. Statusi i Kosovës është caktuar në Krahinë Autonome të Serbisë. Sanksionimi i tillë dërgon edhe te ndërmarrja e masave përgatitore, në fushën politike, ndërkombëtare dhe ushtarake, në mënyrë që të realizohet përcaktimi kushtetues i ripushtimit të Kosovës”, thotë ai. 

Profesori përmend masat në veçanti që po ndërmerren masat nga Serbia, duke filluar nga fusha politike, ndërkombëtare dhe ajo ushtarake. 

“Këtej po ndërmerren masat nga Serbia: 

1. Fusha politike 

E gjithë struktura politike e Serbisë është e drejtuar në sqarime politike se shteti serb mbron Kartën e OKB-së dhe se nuk heqë dorë nga Kosova si “territor” serb. Këtë përcaktim e kanë ndërlidhur gjoja edhe me fakte. Këtu po paraqiten manastiret dhe kishat si prova se në të kaluarën ka qenë Kosova e banuar nga serbët. 

Natyrisht se kjo propagandë ka për qëllim ngritjen e urrejtjes raciste ndaj shqiptarëve të sllavët, sidomos të serbët, me qëllim që të përkrahet shteti serb në politiken raciste. 

2. Fusha ndërkombëtare 

Krejt kjo politike po propagandohet jashtë vendit, tek shtet dhe mekanizmat ndërkombëtare, që nuk e kanë njohur shtetin e Kosovës. Me këtë po kërkohet përkrahja ndërkombëtare në politikën nacionalshoveniste. 

3. Fusha ushtarake 

Realizimi i kësaj politike kërkon forca të mëdha ushtarake dhe paramilitare. Për këtë shkak po e fusin shërbimin ushtarak obligativ dhe janë armatosur me armë moderne nga Kina dhe Rusia. Tërë puna nacionalaciste e  ka këtu qëllimin. Ëndërrojnë për kohë të përshtatshme që të bëjë agresion ushtarak mbi Kosovën. Ky është pikësynimi serbomadh”, përfundon Kelmendi për “Bota sot”. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat