Ngritja e rrezikshme e tensioneve nga Serbia/ Kërkohet ndërpreja e dialogut nëse nuk ka zbatim të marrëveshjeve!

Politika

Ngritja e rrezikshme e tensioneve nga Serbia/ Kërkohet ndërpreja e dialogut nëse nuk ka zbatim të marrëveshjeve!

Nga: M.L Më: 12 janar 2024 Në ora: 12:02
Foto ilustrim

Komisioni Evropian dhe Shërbimi i Veprimit të Jashtëm i BE-së (EEAS) janë duke punuar për ta ndryshuar kornizën e bisedimeve me Serbinë për anëtarësimin e saj në Bashkim Evropian (BE), në mënyrë që në mesin e kushteve detyruese ta vendosin edhe zbatimin e marrëveshjeve që ajo i ka arritur deri tani me Kosovën në dialogun e ndërmjetësuar nga ajo. 

“Puna në këtë drejtim po vazhdon në përputhje me kërkesën e vendeve anëtare“, tha zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, të martën në një konferencë për shtyp në Bruksel. 

Kërkesa për ndryshimin formal të kushteve në kapitullin 35 u bë nga shtetet anëtare të BE-së dhe vjen pasi kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, tha muajin e kaluar se vendi i saj nuk do t'i zbatonte të gjitha marrëveshjet për të cilat u pajtua me Kosovën. 

Po ashtu, ditë më parë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se Evropa po i kërkon Serbisë që ta njohë pavarësinë e Kosovës. 

Duke folur për këtë çështje në një prononcim për gazetën “Bota sot”, analisti Gani Qarri ka thënë se moszbatimi i marrëveshjeve të arritura për më tepër se një dekadë nga Serbia, kërkesat e vazhdueshme të Vuçiqit, për ri-diskutimin e tyre dhe letra e paradokohshme e qeverisë serbe, drejtuar BE-së, se Serbia nuk i pranon disa pika të marrëveshjes së dakorduar në dialogun Kosovë-Serbi të ndërmjetësuara nga BE, ka detyruar vendet e Bashkimit Evropian që në mesin e kushteve detyruese për anëtarësimin e Serbisë në BE, ta vendosin edhe zbatimin e marrëveshjeve që në dialogun e ndërmjetësuar ajo i ka arritur deri më tani me Kosovën. 

“Madje kërkesa nga shtetet anëtare të BE-së, që në mesin e kushteve detyruese në kapitullin 35, të vendoset zbatimi nga ana e Serbisë i marrëveshjeve të arritura në dialog me Kosovën, erdhi  vetëm pasi ish kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, në letrën e muajit të kaluar, dërguar BE-së, deklaroi publikisht se vendi i saj nuk do t'i zbatonte të gjitha marrëveshjet e dakorduara me Kosovën në Bruksel dhe Ohër. 

BE ishte e detyruar, që në përgjigjen e saj, ndaj letrës së Serbisë, të deklaronte publikisht se Marrëveshja e Brukselit dhe aneksi i Ohrit janë ligjërisht obliguese edhe për Serbinë dhe si pasojë nga përvoja e keqe me Serbinë, siç u shpreh zëdhënësit Peter Stano, Komisioni Evropian dhe Shërbimi i Veprimit të Jashtëm i BE-së (EEAS) janë duke punuar për ta ndryshuar edhe kornizën e bisedimeve me Serbinë për anëtarësimin e saj në Bashkim Evropian (BE), në mënyrë që në mesin e kushteve detyruese ta vendosin edhe zbatimin e marrëveshjeve që ajo i ka arritur deri më tani me Kosovën në dialogun e ndërmjetësuar nga BE dhe SHBA”, ka thënë Qarri për gazetën “Bota sot”.  

Image
Gani Qarri

Sipas tij, letra e dërguar nga Serbia, se ajo nuk e ka ndërmend ti zbatojë të gjitha pjesët e Marrëveshjes së dakorduar në Bruksel dhe aneksin e Ohrit, si pjesë e normalizimin të marrëdhënieve ndërmjet të dy vendeve, duket se ka shkaktuar shqetësim të thellë në SHBA dhe vendet anëtare të Bashkimit Evropian. 

“Kjo ngase në pjesën finale të marrëveshjes, të cilën nuk dëshiron ta zbatojë Serbia, parashihej pikërisht njohja de fakto e Kosovës dhe mos pengimi nga ana e Serbisë, e anëtarësimit të Kosovës në OKB dhe organizatat tjera të rëndësishme ndërkombëtare. 

Prandaj nisur nga përgjigja që Serbia mori nga BE gjegjësisht nga  zëdhënësi i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Peter Stano,se Marrëveshja në tërësi është dhe mbetet ligjërisht obliguese, për të dy palët, të cilat për këtë, ishin pajtuar në Bruksel dhe Ohër, pra edhe për Serbinë, gjë që është bërë e ditur, qysh me18 mars 2023, përmes komunikatës me shkrim të përfaqësuesit të lartë të BE-së Josep Borrell në Bruksel”, ka vlerësuar ai. 

Qarri ka shpjeguar gjithashtu arsyen pse Vuçiqi ka deklaruar se BE-ja po ia kërkon njohjen e Kosovës.  

“Kështu që zbatimin e kësaj marrëveshje, në të cilën përfshihet edhe njohja de fakto e Republikës së Kosovës, presidenti  Aleksandar Vuçiq, për arsyetim para opinionit serb, ditë më parë u mundua ta interpretonte qëllimisht, si kërkesë të re të Evropës ndaj Serbisë që ta njohë pavarësinë e Kosovës, ani pse kjo nuk ka të bëjë me kërkesë e re, por është qëndrim i vazhdueshëm i komunikuar publikisht në disa raste nga BE!”, ka theksuar ai. 

Në këtë situatë, analisti ka theksuar se kushtëzimi i Serbisë me zbatimin e marrëveshjeve të dakorduara me Kosovën, jo vetëm që konsiderohet si veprim i duhur, por edhe mundësi e vetme e BE-së, nga e cila shpresohet të sjell rezultate. 

“Andaj, duke pasur parasysh manipulimet e pareshtura destruktive të Serbisë hegjemoniste, dhe tendencat e vazhdueshme të saj, për destabilizimin e gjithë Ballkanit Perëndimor, në emër të krijimit të "botës serbe", që sapo kanë filluar në Bosnjë ku vazhdon ngritja e rrezikshme e tensioneve politike me deklaratat e Dodikut për shpalljen e pavarësisë dhe ndarjen e të ashtuquajturës "republika srpska", serbizimin komplet të udhëheqjes shtetërore dhe legjislative të Malit të Zi, që me apo pa qëllim, e miratuan në heshtje edhe SHBA dhe BE, ku pas Bosnjës, priten tensione ndëretnike dhe një referendum farsë për "bashkimin" e Malit të Zi me Serbinë, si dhe agresionin e hapur me sulmin terrorist serb në veri të Kosovës, kushtëzimi i Serbisë me zbatimin e marrëveshjeve të dakorduara me Kosovën, jo vetëm që konsiderohet si veprim i duhur, por edhe mundësia e vetme e BE-së, nga e cila shpresohet të sjell rezultate”, ka potencuar ai. 

Sipas Qarrit, nëse vazhdon moszbatimi i marrëveshjeve nga ana e Serbisë atëherë dialogu duhet të ndërpritet pasi nuk sjellë rezultate. 

“Përndryshe, nëse nga Serbia vazhdojnë të mos zbatohen, as marrëveshjet e arritura për mese 12 vite me radhë, përfshi marrëveshjen e dakorduar së fundi edhe në Bruksel si dhe aneksin e Ohërit, me ndërmjetësimin e BE-së, atëherë nuk ngelet rrugë tjetër, përveçse të ndërpritet tërësisht edhe dialogu, ngase bisedime të tilla shterp e pa rezultate konkrete, të cilat zgjasin për dekada me radhë, me një shtet hegjemonist si Serbia, e cila në vend të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve, edhe përmes letrave qeveritare drejtuar BE-së, vazhdon të mos e pranojë integritetin e shtetit tonë të pavarur dhe shpreh publikisht pretendime territoriale ndaj tokave më jetike të Kosovës, nuk ka më asnjë kuptim, që të vazhdohen edhe më tej”, ka përfunduar Qarri. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat