Raketat “Javelin” për Kosovën, lajme të mira nga Amerika - ‘dridhet’ Serbia e Vuçiqit!

Politika

Raketat “Javelin” për Kosovën, lajme të mira nga Amerika - ‘dridhet’ Serbia e Vuçiqit!

Arife Morina Nga Arife Morina Më 14 janar 2024 Në ora: 08:01
Raketa Javelin

Kosova pritet që të ketë në pronësi sistemin kundërtank, Javelin.

Kjo pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë pranuar kërkesën e autoriteteve të Kosovës për blerjen e këtyre raketave.

Departamenti amerikan i Shtetit konfirmoi të enjten se Kosova ka bërë kërkesë që të blejë raketa Javelin në vlerë prej 75 milionë dollarësh.

Bëhet fjalë për 246 raketa kundërtanke të këtij lloji, që prodhohen nga SHBA-ja, sipas një njoftimi të Agjencisë amerikane për bashkëpunim në siguri.

Shitja e këtyre armëve, sipas DASH-it, mbështet “politikën e jashtme dhe objektivat e sigurisë kombëtare të SHBA-së duke përmirësuar sigurinë e Kosovës dhe zhvillimin e aftësive të saj mbrojtëse, të ndërveprueshme me NATO-n, pa ndryshuar ekuilibrin thelbësor ushtarak në rajon ose pa ndikuar në gatishmërinë mbrojtëse të SHBA-së”.

SHBA-ja, sipas DASH-it, vazhdon të mbështesë Kosovën në transformimin “transparent të Forcës së Sigurisë së Kosovës në një forcë shumetnike për mbrojtje territoriale, të ndërveprueshme me NATO-n, që i nënshtrohet mbikëqyrjes civile”.

“Departamenti amerikan i Shtetit shpesh ka vendosur të miratojë shitjen e huaja ushtarake për Ministrinë e Mbrojtjes ës Kosovës, për përdorimin e armëve nga Forcat e Sigurisë së Kosovës”, tha DASH-i të enjten.

Ky lajm u mirëprit shumë nga të gjithë akterët në Kosovë, derisa për këtë gjë u shqetësua presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

Madje, Vuçiq e cilësoi lajmin për raketat Javelin “zhgënjim të madh”, por shtoi se “Serbia dhe SHBA-ja do të punojnë për ruajtjen e marrëdhënieve serbo-amerikane”.

E në lidhje me këtë çështje, për gazetën “Bota sot” folën ekspertët e sigurisë.

Softa: FSK-ja është duke i ngritur kapacitetet e saj ushtarake

Image
Fatjon Softa

Fillimisht, eksperti i sigurisë, Fatjon Softa, në një prononcim për “Bota sot” përmendi marrëveshjen përmes të cilit Kosova realizon blerje të armatimit nga Amerika.

“FSK-ja është duke i ngritur kapacitetet e saj ushtarake, dhe, në këtë aspekt, ekziston një marrëveshje ushtarake e nënshkruar mes Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që funksionon në kuadër të programit FMS, që blerjet të realizohen nëpërmjet këtij programi. Dhe, në këtë aspekt, janë të përfshirë edhe raketa kundra tank Javelin dhe disa sisteme të tjera moderne të armatimit.

Këtë sistem e përdorin 13 shtete të Bashkimit Europian, së fundmi Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria.

FSK pritet që në vititn 2028 të shndërrohet në ushtri, ajo parashihet t’i arrijë të gjitha kapacitetet operacionale për ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të saj”, deklaroi eksperti i sigurise.

Softa komentoi dhe ‘zhgënjimin’ e Vuçiqit për furnizimin e Kosovës me raketat antitank “Javelin”.

“Shtetet e Bashkuara kanë pranuar kërkesën e Kosovës për të blerë raketa kundërtanke, Javelin, sipas ambasadorit amerikan në Beograd, Christopher Hill, presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, gjatë takimit të tyre më 11 janar.

Departamenti amerikan i Shtetit do ta dërgojë kërkesën e Kosovës në Kongresin amerikan, me të cilën fillon procedura zyrtare.

Vuçiç shprehu zhgënjim të madh, por Kosova është në të drejtën e saj të mbrojtjes territoriale.

Serbia po vendos shërbimin ushtarak të detyrueshëm, duke mos qenë e kërcënuar nga asnjë fuqi tjetër ushtarake, vetëm përshtatet me politikat e Vuçiqit për të përgatitur një forcë më të madhe për mundësinë e agresionit në Kosovë apo territore të tjera që pretendon të kthejë perandorinë e saj

Kjo politikë përkon me Rusinë që rrit forcën ushtarake duke rritur numrin e ushtarëve në front me rezervistë” shpjegoi ai.

Ndër të tjera, eksperti i sigurisë tha se presidenti serb mund të reagojë duke kërkuar armatim dhe pajisje nga Rusia dhe Kina për të rritur tensionin.

“Qeveria e Kosovës kërkon të realizojë dhe një marrëveshje kornizë me Turqinë për të rritur kapacitetet e saj.

Konsiston ne shkëmbim personeli, materiale dhe paisje teknologjike, edukim ushtarak, etj

Vuçiç mund të reagojë duke kërkuar armatim dhe pajisje nga Rusia dhe Kina për të rritur tensionin dhe presionin e tij ndaj perëndimit kundrejt mbështetjes që SHBA i jep Kosovës.

Klima është e ngarkuar me tensione të fshehura, por dhe pozitive për të prodhuar zgjidhje. Marrëveshja dhe aplikimi i lejimit të targave, është një hap i vogël por domethënës”, përfundoi Fatojn Softa për “Bota sot”.

Elezi: Kosova është e përgatitur dhe po punon në fushën e mbrojtjes

Image
Bedri Elezi

Edhe eksperti tjetër i sigurisë, Bedri Elezi e mirëpriti blerjen e raketave “Javelin”.

Ai në një prononcim për “Bota sot” tha se sistemi i këtyre raketa është program shumë serioz dhe do ta ndihmojë Kosovën.

“Qeveria e Kosovës, përkatësisht Ministria e Mbrojtjes, së fundmi ka marrë një përgjigje në kërkesën që iu ishte drejtuar DASH në çështjen e blerjes së sistemit të raketave Javelin, raketave kundër-tank, një program që mund të konsiderohet si program shumë serioz, ndër më të mirët sa i përket fushës së sigurisë në pjesën ushtarake tek zhvillimet e këmbësorisë ushtarake.

Dmth në pjesën e zhvillimit të këmbësorisë, ku pjesën e ofenzive bëjnë pjesë tanket, në refenzivë janë paraparë edhe raketat antitank”, deklaroi eksperti i sigurisë.

Gjithashtu, Elezi përmendi edhe rezulatet që këto raketa kanë treguar deri tani në terren, e që tha se janë të dobishme dhe pozitive për Kosovën.

“Por, sipas rezultateve që tanimë janë treguar në terren, raketat Javelin të cilat janë pjesë e programit të Amerikës për prodhimin e armatimeve intelegjente, janë një lajm shumë i dobishëm për institucionet e Republikës së Kosovës sepse tanimë qeveria amerika ka vendosur që të hap rrugën e një marrëveshjes për blerjen e këtyre raketave nga MM.

Këto raketa, sipas edhe informacioneve që janë bërë publike, do të jenë të barabarta me numrin e tankeve, që aktualisht ka Serbia dhe janë kryesisht në pjesën defanzivë, në pjesën e mbrojtjes, ku përafërisht është menduar që të blehet një raketë për kundër një tanku të Serbisë”, theksoi ai.

Më tej, ai përmendi edhe qëllimet e Serbisë për të sulmuar dhe aneksuar pjesë të territorit të Kosovës, ku në këtë rast raketat “Javelin” do ta ndihmojnë vendin tonë.

“Padyshim që Kosova është e përgatitur dhe po punon në fushën e mbrojtjes. Pasi Kosova nuk ka qëllime për të ankesuar territore të caktuara por duke marrë parasysh që shtete të ndryshme, siç është Serbia, kanë pretendime të aneksimit të territoreve të Republikës së Kosovës atëherë një kohë reale që mund të them pas viti 2010 Kosova kishte punuar seriozisht të hartojë një program të fushës së mbrojtjes ku janë angazhuar ekspertë të ndryshëm të fushës për të konstatuar që këto raketa që së shpejti mund të jenë pjesë e Forcë e Sigurisë, do të ishin të dobishme për të krijuar një mbrojtje kundrejt një sulmi që mund të ndodhë nga Serbia.

Informacioni qëndron dhe se ky informacion besoj që do të konkretizohet në një kohë të shkurtër dhe realisht ky veprim nuk ka të bëjë me qeveritë, Kurti apo qeveritë tjera, por është një agazhim i profesionistëve, sidomos ushtarakëve që ishin të angazhuar në aspektin e organizmit të mbrojtjes së territorit të Kosovës përmes mjeteve, përkatësisht armëve të ndryshme siç janë edhe raketat kundërtanke”, potencoi eksperti i sigurisë.

Në fund, paralajmëroi se Kosova është e rrezikuar nga shteti serb, prandaj kërkoi kujdes nga institucionet e vendit dhe kërkoi që të blejë armatim tokësor dhe ajror.

“Kosova tani ëshë realisht e ekspozuar para një rreziku serioz nga Serbia, prandaj duhet të mendojë përpos mbrojtjes që e ka në pjesën e luftimeve tokësorë, të organizohet edhe për të blerë armatim për pjesën ajrore, pasi tani dihet se Serbia ka përgatitur një numër të madh të raketave të ndryshme me rreze të gjatë, po ashtu avionë koherent me të cilat ndoshta në rast të projekteve të aneksimit të territoreve mund t’i përdorë në Republikën e Kosovës” përmbylli Bedri Elezi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat