360 mijë euro për Listën serbe/ Me paratë e taksapagueseve të Kosovës financohen aktivitetet antikushtetuese të “dorës së zgjatur” të Serbisë

Politika

360 mijë euro për Listën serbe/ Me paratë e taksapagueseve të Kosovës financohen aktivitetet antikushtetuese të “dorës së zgjatur” të Serbisë

Nga: M.L. Më: 16 janar 2024 Në ora: 14:48
Ish kreu i Listës serbe, Goran Rakiq në krye të protestave të dhunshme

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) mori vendim për ndarjen e mjeteve të fondit për mbështetjen e subjekteve politike për këtë vit.

Në mbledhjen e mbajtur ditë më parë, u caktua që shuma e mjeteve për financimin e subjekteve politike dhe për mbështetjen e punës së secilit deputet nga ky fond është në vlerën e përgjithshme 4 milionë e 800 mijë euro.

Nga kjo shumë, subjektit më të madh politik në vend, Vetëvendosjes iu kanë ndarë 2 milionë e 280 mijë euro, PDK-së 760 mijë euro, LDK-së 640 mijë euro, Listës Serbe 360 mijë euro dhe AAK 320 mijë.

Por, ndarja e buxhetit për subjektin politik “Lista serbe” nuk po mirëpritet në opinion. Kjo parti njihet edhe si dorë e zgjatur e Serbisë në Kosovë, duke pasur vazhdimësi sjellje destruktive kundër shtetit dhe Kushtetutës së Kosovës.

Regjistrimi i subjekt politik dhe më pas ndarja e buxhetit për Listën serbe po konsiderohen si jo të duhura, sidomos kur është kërkuar që ky subjekt politik të shpallet antikushtetuese.

E si parti antikushtetuese, Listën serbe po e vlerësion juristi Muhamet Kelmendi.

“Lista Serbe është parti antikushtetuese në Kosove. Ka kohë që është kërkuar nga KQZ-ja ta shpalli Listën Serbe parti antikushtetuese. Mirëpo, kjo nuk u zbatua nga KQZ, që është organi kryesor dhe që i regjistron partitë politike në Kosovë. Shikuar nga veprimtaria e Listës serbe vërehet se janë shkelur shumë baza dhe ligje të Kosovës. Lista Serbe është edhe kundër sovranitetit dhe integritetit të Republikës së Kosovës. Në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, në nenin 2, paragrafi 2, qëndron: "Sovraniteti dhe integriteti territorial i Republikës së Kosovës është i pacenueshëm, i patjetërsueshëm dhe i pandashëm dhe mbrohet me të gjitha mjetet e përcaktuara me këtë Kushtetutë dhe me ligj"”, potencon ai.

Image
Muhamet Kelmendi

Pikërisht kundër kësaj baze kushtetuese, Kelmendi thotë se është Lista Serbe. Juristi numëroi edhe faktet të cilat tregojnë për antikushtetushmërinë e Listës serbe.

“Ka kohë që ka treguar me fakte se Lista Serbe punon dhe angazhohet, deri edhe me armë e aksione terroriste, kundër sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës. Cilat janë faktet që tregojnë se Lista Serbe është antikushtetuese: 1. Ky subjekt është organizuar dhe përgjigjet vetëm në Beograd, 2. Qëndrimet politike janë në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, 3. Lista Serbe nuk e pranon shtetin sovran dhe as integritetit territorial të Kosovës, 4. Të gjitha simbolet e shtetit të Kosovës i refuzon Lista Serbe dhe pranon vetëm simbolet e shtetit serb, 5. Nuk përgjigjet si subjekt para organeve dhe ligjeve të Kosovës, 6. Tërë aktivitetin e vete e zhvillon me urdhra të Serbisë. 7. Edhe veprimet terroriste agresive të 24 shtatorit në Banjske nuk i kritikoi Lista Serbe dhe doli ne mbrojtje, 8. Shpalli dite zie dhe përkrahi aksionet e terroristeve ne Banjske. 9. Lista Serbe vepron për ndarjen e katër komunave ne veri të Kosovës dhe për bashkimin e tyre me shtetin serb”, u shpreh Kelmendi.

Andaj sipas Kelmendit, janë përmbushur edhe normat ligjore të Kodit Penal të Kosovës për të dhënë dënime me burg të rëndë, deri me burg të përjetshëm.

“Në nenet 100-122 të Kodit Penal të Kosovës, lidhur me nenin 2 të Kushtetutës së Republikës, dënimi është deri me burg të përjetshëm, nëse veprohet kundër integritetit dhe sovranitetit te Republikës. Këto fakte tregojnë se Lista Serbe është antikushtetuese. I takon KQZ të marr vendim dhe të shpalli antikushtetuese Listën Serbe. Natyrisht se kundër këtij vendimi mund të ngritet padi dhe vendos Gjykata Supreme e Kosovës. Vendimi behet i plotfuqishëm me vendim të Gjykatës Kushtetuese. Kjo është ana ligjore. Por, KQZ nuk po e analizon këtë. KQZ e regjistroi si parti politike dhe i ndau edhe mjete financiare. Me paratë e taksapagueseve të Kosovës po financohen aktivitetet antikushtetuese të Listës serbe”, nënvizoi ai.

Kelmendi po ashtu theksoi se Lista serbe ishte organizatore edhe e bllokadave nëpër rrugët e veriut të Kosovës.

“Organizoi demonstrata dhe protesta të dhunshme. Plagosi mbi 40 ushtare të KFOR-të. Kemi kështu fakte të mjaftueshme për të shpallur parti antikushtetuese dhe për të ndjekur anëtarët e saj për vepra penale nga nenet 100-122 te Kodit Penal të Kosovës. Por, përkunder kësaj, po lejohet. Lista Serbe do të merr, pas zgjedhjeve, edhe pushtetin në katër komunat e veriut. Nga ajo pozite do të vepron kundër Republikës së Kosovës. Kurrë nuk ka qenë Lista Serbe për Republikën e Kosovës. Kurrë nuk i futi ne zbatim ligjet e Republikës. As flamurin e shtetit të Kosovës nuk e përdori. Vepruan çdo herë në interes dhe si pjesë përbërëse të Serbisë. Këto janë faktet e Listës Serbe si parti antikushtetuese”, përfundoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat