Thirrjet për zgjedhje të parakohshme/ Cili është plani i partive opozitare – a do hyjë LVV në koalicion me njërën nga këto parti?

Politika

Thirrjet për zgjedhje të parakohshme/ Cili është plani i partive opozitare – a do hyjë LVV në koalicion me njërën nga këto parti?

Arife Morina Nga Arife Morina Më 16 janar 2024 Në ora: 20:03
Ramush Haradinaj, Albin Kurti dhe Lumir Abdixhiku

Viti 2024 po supozohet të jetë vit i zgjedhjeve. 

Së fundi, janë shtuar zërat për zgjedhje të parakohshme, derisa partitë opozitare nuk ndalojnë së përmenduri ato. 

Ka një dëshirë të madhe brenda opozitës, pasi po shpresojnë që Lëvizja Vetëvendosje në krye me kryeministrin aktual, Albin Kurti, nuk do marrin vota si në zgjedhjet e shkurtit të 2021-ës. 

Fillimisht, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri ka thënë se viti 2024 është vit zgjedhor, dhe se AAK është më e përgatitur se kurrë. 

“Viti 2024 është vit zgjedhor, se AAK hyn më e përgatitur se kurrë. Aleanca do të jetë boshti politik i qytetarëve, subjekteve tjera politike, të koalicioneve të ndryshme në mënyrë që me ja dhënë vendimin e duhur kurdo që të mbahen zgjedhjet”, tha Tahiri. 

Ai shtoi se personalisht pret që zgjedhjet të jenë të rregullta. 

Kjo për shkak se siç u shpreh ai “nuk ka shanse Albin Kurti me qeverinë e tij ta lërë këtë privilegj, për shkak se mirë e din që kurrë më nuk do ti marrë 50 përqindëshin”. 

Kurse, shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi ka thënë se ka nisur numërimi mbrapa, për fundin e qeverisjes Kurti. 

Gashi ka thënë se maksimumi i mundshëm që Albin Kurti mund të jetë në pushtet, është deri tash një vit. 

“Jemi në fazë delikate në të cilën po kalon vendi. Kemi hyrë në vitin e fundit të qeverisjes Kurti. Maksimumi i mundshëm deri kur mund të jetë në pushtet z. Kurti është tash një vit. Tashmë ka filluar numërimi mbrapsht, pra po i ofrohemi fundit të kësaj qeverisje”, tha Gashi. 

Duket se opozita po shpreson që LVV me Kurtin nuk do arrijë të marrë shumicën e votave, ku kjo do e detyronte atë të bënte koalicion me një nga partitë opozitare. 

Nuk dihet nëse është pikërisht këtu qëllimi i ndonjërës parti opozitare, pra për të bërë koalicion me LVV-në. 

Për gazetën “Bota sot” analistët politikë komentuan mbi mundësinë e zgjedhjeve dhe koalicioneve ndërpartiake. 

Mehmeti: Katandisja ekstreme e opozitës vetëm sa i shton më shumë pikë VV 

Së pari, analisti politik, Faton Mehmeti në prononcimin e tij për “Bota sot” tha se opozita po i frikësohet partisë në pushtet, LVV-së 

Ai vlerëson se qëndrimet e partive opozitare, vetëm sa po e rrisin LVV-në, dhe se pret që kjo e fundit të marr mbi 50 për qind të votave, kurdo që mbahen zgjedhjet. 

“Deklaratat e tille konfirmojnë frikën që kanë partitë opozitare, nga frika thonë kështu, jo se janë naiv dhe nuk e kuptojnë realitetin. Në këtë kuptim, deklaratat e tilla shpërfaqin vetëm frikën nga ballafaqimi me të vërtetën, e cila çdo ditë e më tepër po vjen. Dikur thonin se VV nuk del as e para, tani e pranojnë se del e para bile edhe merr 50%, por thonë se nuk merr më shumë se kaq, sa qesharak janë. Katandisja ekstreme e opozitës vetëm sa i shton më shumë pikë VV, e cila me shumë mundësi pritet të marr më shumë se në zgjedhjet e shkuara, 50% nuk diskutohet”, u shpreh ai. 

Sipas analistit, partitë opozitare kanë për qëllim kryesor bërjen e një koalicioni me LVV-në kur të mbahen zgjedhjet, e kjo tregon që opozita është në alarm dhe e frikësuar. 

Opozita është në alarm, e frikësuar dhe tejet e tronditur nga ballafaqimi më të vërtetën e që s’ka rrugë tjetër. Sa më afër që janë zgjedhjet e rregullta aq më të tronditur do të jenë deklaratat e tilla, por që nuk e zhbëjnë atë që të gjithë e dinë se do të ndodhë. Qëllimi kryesor i tyre është futja në koalicion me VV, ndonëse nuk pritet të ndodhë, kjo pasi VV merr 50% e votave”, përfundoi Faton Mehmeti për “Bota sot”. 

Qarri: Ajo që vendosë, për mbajtjen apo jo të zgjedhjeve, është partia në pushtet 

Image
Gani Qarri

Ndërsa, njohësi i çështjeve politike, Gani Qarri në bashkëbisedimin e tij me “Bota sot” vlerësoi se partitë opozitare në Kosovën respektohen mjaftë mirë dhe kanë hapësirë të mjaftueshme për ngritjen e zërit. 

Mirëpo, ai e kritikoi opozitën për deklaratat në lidhje me zgjedhjet e parakohshme, duke ua rikujtuar se ajo që vendosë, për mbajtjen apo jo të zgjedhjeve, është partia në pushtet. 

“Bazuar në rregulloren e Kuvendit të Republikës së Kosovës, si një nga vendet më demokratike në rajon, tanimë edhe publikisht dihet, se të drejtat e opozitës respektohen më mirë se në shumë vende tjera, madje disa komisione të rëndësishme kryesohen pikërisht nga opozita, një e treta e deputetëve të Kuvendit mund të kërkojnë ngritjen e një komisioni hetimor, kurse vetëm gjashtë anëtarë të Kuvendit kanë të drejtën e nisiativës legjislative.  

Përfaqësuesit e partive opozitare, pra kanë mundësi dhe hapësirë mese të mjaftueshme veprimi, qoftë për ngritjen e zërit, shfaqjen e kërkesave dhe parashtrimin e çështjeve, përfshi edhe nisiativën për zgjedhje të reja, andaj opozita në vend se të paralajmërojë zgjedhje të parakohshme, nëse siguron numrat mund ta provojë rrëzimin e Qeverisë dhe shpërndarjen e parlamentit, në mënyrë që vërtetë të shkohet në zgjedhje të reja, para se të lanësohen deklarata paushalle, të cilave, as ata vet nuk mund tu besojnë, sepse ajo që vendosë, për mbajtjen apo jo të zgjedhjeve, është partia në pushtet, e cila ka shumicën dërmuese të deputetëve”, deklaroi ai. 

Po ashtu, ai komentoi deklaratën se Kurti nuk mund t’i marrë shumicën e votave si në zgjedhjet e kaluara, duke thënë se fitorja e Kurtit nuk varet nga vullneti i LDK-së, as AAK-së, por nga vota e qytetarëve. 

“Madje, përveç paralajmërimeve paushallë të zgjedhjeve të parakohshme, të cilat ka pothuajse më se dy vite që kanë filluar të shpërndahen veresie, njëjtë siç bëheshin nga viti 2016 paralajmërimet e rrejshme, për heqjen e vizave, e që shihej hapur, se "fake neës" të tilla, bëheshin vetëm për ta arsyetuar, pirjen e shampanjës së shtrenjtë franceze nga ish pushtetarët dhe udhëheqësit e partive të inkriminuara, LDK dhe AAK gabojnë edhe më rëndë, kur tani marrin guximin, të qesin edhe fall, se Albin Kurti, më nuk do t’i marrë 50 për-qind të votave, kur dihet nga të gjithë, se fitorja e Kurtit nuk varet nga vullneti i LDK-së, as AAK-së, por nga vota e qytetarëve, të cilët në të gjitha sondazhet, serish e nxjerrin Kurtin nga 46 deri në mbi 50% të votave. 

Shto kësaj faktin tjetër shumë të rëndësishëm, siç e shprehu me të drejtë brengën e vet edhe zonja Viola von Cramon, se pas zgjedhjeve të qershorit në BE, ndryshimi i përbërjes së Parlamentit Evropian, ku sipas sondazheve pritet rritje e ekstremit të djathtë, mund të ketë tejet efekt negativ dhe të bie edhe mbështetja për Kosovën në Parlamentin Evropian, gjë që do ti shkonte për shtati vetëm Serbisë”. 

Më tej, Qarri tha se zgjedhjet e reja mund të imponohen vetëm në rast të ndryshime në politikat e jashtme, pas zgjedhjeve të BE-së. 

“Pra, shkuarjen në zgjedhje të reja, mund ta imponojnë si opsion, ndryshimet e gjendjeve të jashtme politike, pas zgjedhjeve në BE, ku pritet, që shumicën edhe në Parlamentin Evropian, ta marrin partitë e ekstremeve të djathta, të cilat me qëndrimet e tyre-kundër, apo-, jo mbështetës në dialog dhe rrugëtimin e Kosovës ndaj integrimeve evropiane, si dhe zgjedhjet në SHBA, pas të cilave, nëse në pushtet vije serish Donald Tramp me sekretar shteti Richard Grenellin, mund të ndryshojë edhe qëndrimi ndaj vendit tonë, veçanërisht në raportin e bisedimeve me Serbinë, këto janë shkaqet, që mund t’i krijojnë probleme të atilla Qeverisë dhe shtetit të Kosovës, sa që shkuarja në zgjedhje të reja, të bëhet e detyrueshme”, nënvizoi ai. 

Në fund, analisti shtoi se po bëhet e nevojshme një koalicion qeveritar, duke përmend përfshirjen e LDK-së, dhe tendencat e AAK-së për koalicion bashkë-qeverisës. 

“Në raste si këto, dihet mirëfilli se bëhet e patejkalueshme nevoja imediate, për krijimin e ndonjë koalicioni të kufizuar qeveritar, si p.sh, përfshirja e LDK-së në qeveri, si partia më e afërt me presidenten e vendit, Dr. Vjosa Osmani, sidomos për votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, me rëndësi jetike për popullin dhe shtetin e Kosovës, për të cilat duhet të bartet përgjegjësia në mënyrë proporcionale dhe marrëveshjet të miratohen me shumicën absolute të deputetëve, përderisa AAK, duke parë fundin e saj, që po i vije me shpejtësi, nga frika se, për pak kohë, do të kalojë nga realiteti ekzistues, në histori, si ish parti politike, ka filluar të vet ofrohet, siç deklaroi së fundi edhe i famshmi Besnik Tahiri, për koalicion dhe bashkëqeverisje, me partinë në pushtet në rast të zgjedhjeve të parakohshme”, përmbylli Gani Qarri për “Bota sot”. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat