Paralajmërohet dështimi i madh i Ramush Haradinajt dhe Fatmir Limajt

Politika

Paralajmërohet dështimi i madh i Ramush Haradinajt dhe Fatmir Limajt

Nga: P.R. Më: 18 janar 2024 Në ora: 07:55
Fatmir Limaj dhe Ramush Haradinaj

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj dhe ai i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj e kanë nënshkruar koalicionin e tyre parazgjedhor.

“AAK dhe NISMA kemi arritur marrëveshje parazgjedhore. Ne bashkë në diskutimet disa mujore, kemi vlerësuar se qytetari i Kosovës ka mbetur i vetëm dhe në raste të caktuara edhe i luftuar nga Qeveria e Kosovës dhe Kurti. Pozita e t’parit është e sigurt, atë e dinë vetëm sovrani, votuesi. Votuesi i para këtyre zgjedhjeve po e ka shpallë VV-në të parin, por mundet edhe me ia marrë atë pozitë. Ne aspirojmë pozitën e parë në tabelën subjekteve politike, në opsionet qeverisëse që ofrohen”, ka deklaruar Haradinaj pas nënshkrimit të koalicionit parazgjedhor.

E bashkimin e AAK-së dhe Nismës, analisti politik, Gani Qarri po e sheh si dëshmi e dështimit të këtyre dy partive.

Image
Gani Qarri

“Ajo që habit opinionin dhe mbarë qytetarët e Kosovës, është fakti se koalicione nuk lidhin segmentet më të fuqishme opozitare as partitë që në zgjedhjet e radhës shpresojnë të marrin ndonjë votë më tepër, por pikërisht ato si AAK e Ramush Haradinajt dhe Nisma e Fatmir Limajt të cilat edhe kur ishin bashkë në pushtet, konsideroheshin se me dobësitë e tyre e kanë forcuar partinë e kryeministrit aktual-LVV-në, dhe tanimë duket se e kanë nuhatur qysh herët dështimin”, thotë Qarri.

Siç thotë Qarri, AAK dhe Nisma që të dyja rrezikojnë kalimin e pragut zgjedhor në zgjedhjet e ardhshme.

“Në fakt koalicioni i “parë” parazgjedhor që sapo u zyrtarizua, përveçse bashkoi “forcat” (e pashfrytëzuara), për tu kurorëzuar me dështimin e radhës, u emërtua edhe me titullin pompoz "Fronti i përbashkët për vendin", kurse prijës i listës u tha se do të jetë kryetari i AAK’së, Ramush Hardinaj ,ndërsa zëvendës “i pari” i Nismës, Fatmir Limaj, që qysh në vitin 2021 ka rrëshqitur me të dy këmbët, nën pragun zgjedhor dhe në pa suksesin e radhës, pritet ta marrë me vete edhe Ramush Haradinajn me shokë për tu vendosur me gajret të përbashkët atje ku e kanë vendin, në historinë e partive të dështuara politike”, deklaron Qarri për “Bota sot”.

“Andaj vrapi i Ramush Haradinajt që pikësëpari të lidh koalicionin parazgjedhor me Fatmir Limajn, nuk vije krejt në mënyrë të rastësishme sikur mos ta parandiente vet Ramushi se politika e tij ka marrë fund dhe tani duhet t’i bashkohet Fatmr Limës, ngase vendi nuk ka nevojë për pazare që nënkuptojnë tradhtinë publike, duke falur tokat tona shteteve hegjemoniste fqinje, siç veproi Ramush Haradinaj, duke ia falur shtetit xhuxh të Malit të Zi Kullën, Zhlebin e Çakorrin me mbi 8300 hektar tokë të vlershme autoktone të Kosovës, sikur të ishte një këmishë e vjetruar, vetëm për ta zaptuar për disa muaj, karrigen e kryeministrit”, shprehet Qarri.

Sipas Qarrit, Haradinaj do të tentojë të marrë në koalicion edhe PSD-së e Dardan Molliqajt.

“Madje kur Haradinaj thotë se ky partneritet mund të lidhet edhe me parti tjera dhe subjekte që nuk janë as partiake, ai sigurisht aludon në Dardan Molliqajn & Co, me të cilët, në rast të rënies nën pragun zgjedhor, mund të shkruajnë bashkë parulla nëpër muret e ndërtesave të kryeqytetit, kundër Qeverisë dhe institucioneve tjera shtetërore, për shkak të ndalimit të organizatave terroriste serbe në veri, luftimin e krimit të organizuar dhe konfiskimin e pasurive të kundërligjshme nga ish pushtetarët e inkriminuar në Kosovë, por jo kundër Vuçiqit, apo Zot ruana.... kundër Millan Radojçiqit, ikja e të cilit në Serbi, duket se ia ka tharë xhepat edhe Ramush Haradinajt me shokë”.

Krejt në fund, analisti Qarri thekson se koalicioni AAK-Nisma do të jetë vetëm një dështim i radhës e asgjë më shumë.

“Në fakt AAK dhe Nisma nga viti 2017 deri në vitin 2019, ishin jo vetëm në koalicion, por edhe në bashkëqeverisje me Ramush Haradinajn kryeministër dhe Fatmir Limajn zëvendëskryeministër i tij, por megjithëse në pushtet dhe koalicion me AKR-në, Nisma as asaj kohe, nuk arriti ta kalojë pragun zgjedhor dhe doli edhe nga Kuvendi, andaj edhe ky koalicion, pritet të jetë një dështim i radhës, dhe dëshmi e frikës që këto dy parti kanë nga moskalimi i pragut zgjedhor dhe marrja e biletës një-kahëshe për shkuarje pa kthim, në historinë e partive të dështuara”, përfundon analisti Gani Qarri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat