Alarmi për luftë, ish-ushtaraku vjen me një paralajmërim: NATO duhet të ‘shkund’ këto shtete – ja detyra kryesore e Kosovës!

Politika

Alarmi për luftë, ish-ushtaraku vjen me një paralajmërim: NATO duhet të ‘shkund’ këto shtete – ja detyra kryesore e Kosovës!

Nga: A.M. Më: 18 janar 2024 Në ora: 20:42
Foto ilustrim - Bota sot

Së fundi, kryetari i komitetit ushtarak të NATO-s, Rob Bauer, i bëri thirrje sektorëve publikë dhe privatë në Perëndim që të përgatiten për një periudhë në të cilën çdo gjë mund të ndodhë në çdo kohë, përfshirë luftën.

“Ne kemi nevojë për një transformim të NATO-s gjatë kohës së luftës”, tha admirali holandez në hapjen e takimit dy-ditor të ministrave të mbrojtjes të NATO-s në Bruksel.

Ai theksoi se qeveritë dhe kompanitë nga ajo aleancë jetonin në një epokë ku gjithçka ishte e bollshme, gjithçka ishte e parashikueshme dhe mund të kontrollohej.

“Që nga fillimi i luftës në Ukrainë, anëtarëve të NATO-s u është dashur të përshtaten me “një epokë në të cilën çdo gjë mund të ndodhë në çdo kohë, një epokë në të cilën ne duhet të presim të papriturën, në të cilën duhet të përqendrohemi në efikasitet në mënyrë që të jemi me të vërtetë efektivë”, tha Bauer.

Këto paralajmërime të admiralit të NATO-s u vlerësuan si mesazhe edhe për rajonin e Ballkanit, dhe rrezikun për shpërthimin e një konflikit të ri.

Në këtë rast, janë Kosova dhe Serbia, shtetet që kanë raporte të tensionuara dhe se jo rrallë shteti serb lëshon provokime dhe kërcënime ndaj vendit tonë.

E këtë deklaratë të Baur e ka komentuar për gazetën “Bota sot”, ish komandanti i Njësisë Policore të UÇK-së, Hafir Hoxha.

Image
Ish komandanti i Njësisë Policore të UÇK-së, Hafir Hoxha.

Sipas tij, thirrja e Bauer nuk ka të bëjë direkt me raportet mes Kosovës dhe Serbisë, por me luftën ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës.

Mirëpo, ai kërkoi reagime nga NATO dhe aleatët tjerë pasi që në rast se çdo gjë shkon në favor të shtetit rus, atëherë mund të ketë ndikime edhe në rajonin e Ballkanit.

“Kjo thirrje, kjo situatë nuk ka të bëjë me Kosovën e as me relacionet mes Kosovës dhe Serbisë.

Situata kritike është në Ukrainë, ku Rusia është me sukses duke i përballuar kësaj lufte dhe politikës globale me sanksione ekonomike dhe politike ndaj saj, në këtë kontekst nëse ritmi i luftës vazhdon me këtë ritëm atëherë gjithçka po shkon në favor të Rusisë. Prandaj, koha është që NATO me aleatët tjerë të ndërmarrin masa të tjera (me shtrëngu pak “rrypin” kundër Rusisë).

E kjo taktikë mundet të ketë pasoja, reagime të papritura të Rusisë dhe aleatëve të saj prandaj është kërkuar një përgatitje dhe një kujdes i shtuar i perëndimit, BE dhe anëtarëve të NATO-s që të mobilizohen me një angazhim më të madh, që nënkupton edhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor!” – deklaroi ish-ushtaraku.

Krahas kësaj, Hoxha potencoi se është e nevojshme që NATO edhe njëherë të ndërmarrë masa për rajonin e Ballkanit, ku ta largojë ndikimin e Rusisë dhe të “shkund” aleancat e saj me Serbinë.

“Pra, ndoshta me iniciativën indirekte të ShBA-së, NATO-s duhet me u ‘shkund’ edhe njëherë pjesa e Ballkanit Perëndimor (në Bosnjë e Hercegovinë, në Kosovë e Serbi) që të ndërmerren masa të nevojshme që definitivisht të eliminohen shpresat e Rusisë për përforcimin e ndikimit të vet mes Serbisë dhe aleatëve të tjerë në Ballkan dhe duke pasur kujdes edhe në reagimet e paparashikuara të Kinës në këtë aferë.

Kryesorja, konfliktet duhet të lokalizohen, të ndahen dhe të kontrollohen e kjo ndodh në atë masë që mos të dal situata jasht kontrollit, pra të shmanget luftë e gjerë dhe përdorimi i armëve në shkatërrim masiv.

Krejt kjo varet sa i kanë përgatit SHBA, NATO dhe BE intervenimet e tyre, që nuk e përjashtojnë atë në Evropë më saktë në Ballkanin Perëndimor e në rast të suksesit në të njëjtën kohë të ndihmohet dhe të rriten kapacitet luftarake në Ukrainë kundër Rusisë ndoshta në angazhim më konkret të forcave NATO-s në Ukrainë”, vlerësoi ai.

Ndër të tjera, ish-ushtaraku shtoi se detyrë kryesore e Kosovës është të punohet në edukimin e popullatës në rast të luftës.

Ai kërkoi që të bashkëpunohet ngusht me NATO-n, Amerikën, Bashkimin Evropian dhe Shqipërinë.

“Pra, këta që thërrasin për kujdes dhe mobilizim shtesë e kanë radhën e lëvizjes së figurave të ‘shahut’ e që mundësit për kundërpërgjigje ruse e ndoshta edhe të Kinës dhe aleatëve të tyre, munden dhe kanë hapësirë me qenë befasuese, prandaj bëhet kërkesë të reagojnë edhe në ato situata.

Për Kosovën detyrë kryesore është si e kam cekur më herët të punohet në edukimin e popullatës për reagim në rastë të luftës, t’i përgatisë strehimoret, rezervat shtetërore për ushqim dhe nevoja të tjera në rast të luftës dhe të përcaktohen detyrat sakt për vend, kohë dhe me plan operativ të strukturave mbrojtëse, pra to Komandës se forcave të shtetit (presidentes) me ministrit përkatëse për mbrojtje, siguri dhe menaxhim të emergjencave në bashkëpunim të ngushtë me ShBA-në, BE-në, NATO-n dhe Shqipërinë”, përmbylli Hafir Hoxha për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat