Deklarata ‘bombë’: Serbia po përgatit planin ushtarak ndaj Kosovës, duhet pritur nga muaji mars...

Politika

Deklarata ‘bombë’: Serbia po përgatit planin ushtarak ndaj Kosovës, duhet pritur nga muaji mars...

Nga: P.Rudi Më: 19 janar 2024 Në ora: 16:01
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presindeti serb, Aleksandar Vuçiq

Sipas profesorit të marrëdhënieve ndërkombëtare, doktor Enver Bytyçit, blerja e raketave amerikane “Javeline” nga ana e Kosovës është ndoshta ngjarja më e madhe e vitit.

“Jo se ato raketa janë gjithçka për të garantuar sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës, por se vendimi I SHBA-ve për këtë është dëshmi e mbështetjes së saj kulmore për lirinë, pavarësinë, shtetësinë dhe integritetin territorial të saj. Nuk ka akt tjetër më domethënës, por ndihmës për krijimin e ushtrisë, që ta ketë dëshmuar një përkushtim amerikan kaq të vendosur në përkrahje të shtetit më të ri europian, si dhe të paqes e sigurisë në rajon. Sigurisht që këto raketa ende nuk janë lëvruar. Do të duhet edhe përgjigja pozitive e Kongresit ose senatit që këto armë të vijnë në Kosovë”, shprehet Bytyçi.

Siç thotë ai, raketat “Javeline” forcojnë mbrojtjen e Kosovës, sidomos nga sulmet me tanke nga ana e Serbisë, duke mos përjashtuar një konflikt të armatosur.

Image
Enver Bytyçi

“Them e Serbisë, sepse i vetmi vend në rajon e më gjerë është Serbia ajo që e kërcënon Kosovën me luftë dhe agresion, njësoj siç bëri Vladimir Putin me Ukrainën. A do të jetë Kosova Ukraina e radhës si viktimë e Rusisë dhe e Serbisë? Duhet parë, duhet pritur deri nga muaji mars. Por nëse Serbia nuk nënshkruan Marrëveshjen e Brukselit të shkurtit dhe aneksin e Ohrit të marsit 2023, atëherë kjo do të thotë se marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë do të përkeqësohen. Përkeqësimi nuk dihet se çfarë pasojash ka. Pra janë kushtet objektive për një konflikt të armatosur”, thekson Bytyçi për “Bota sot”.

Por a do të mund ta ndërmarrë këtë akt Beogradi?

“Edhe Milosheviçi po ta besonte se NATO ishte e vendosur për ta ndëshkuar Serbinë, nëse bëhej spastrim etnik në Kosovë, do të ishte rezervuar në aventurën e tij anti-shqiptare. Elitat kur vendosin të nisin luftëra jetojnë në ekstazën e fitores. Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka punuar prej dhjetë vitesh të përgatitë terrenin e euforisë për kombin e tij dhe “botën serbe”! Ai me mediet dhe propagandën e vet ka ushqyer diktrinën e ultranacionalizmit serb, njësoj si edhe ish-shefi I tij, kasapi I Ballkanit, Sllobodan Milosheviç. Prandaj dhe serbët po përgatisin me eufori “fitoren” në Kosovë. Kjo I bën ata të nisin Aventura si ajo e Milosheviçit në Kosovë, Bosnjë-Hercegovinë dhe Kroaci. Prandaj dhe duhet besuar se Serbia po shkon drejt një konfrontimi me Kosovën dhe jo vetëm më Kosovën”, shton Bytyçi.

Më tej, ai thotë se raketat “Javeline” në Kosovë janë shprehje e këtij shqetësimi amerikan dhe përtej amerikan.

“Një konflikt në Ballkan do ta detabilizonte vetë Europën dhe NATO-n. SHBA dhe vendet europiane nuk mund të pranojnë që Rusia të dalë në Detin Adriatik. Shpesh thuhet se është Serbia ajo që dëshiron një dalje në këtë det. Por në fakt dalja e Serbisë do të thotë dalje në Adriatik e Rusisë, madje me një bazë ushtarake të fuqishme ndoshta bërthamore. Në këto kushte nuk ka rrugë tjetër, përveçse forcimi i ushtrisë së Kosovës dhe të ushtrive të tjera të vendeve pro-perëndimore, si ajo e Shqipërisë. Por Kosova ka disa avantazhe. Policia dhe ushtria e Kosovës kanë dëshmuar dhe po dëshmojnë profesionalizëm dhe përkushtim, të cilin e admirojnë edhe vende të fuqishme e madje Fuqi të Mëdha. Jo rastësisht Britania e Madhe hoqi vizat për personelin ushtarak, policer e të forcave të sigurisë në Kosovë. Dhe jo rastësisht specialistë dhe ekspertë të ushtrisë së Kosovës shkuan në Londër për të trajnuar oficerët dhe ushtarët e Ukrainës për përdorimin e armëve të sofistikuara në luftën kundër Rusisë”, shpjegon Bytyçi për “Bota sot”.

“Kosova po dëshmon më shumë se çdo vend tjetër në rajon se është e aftë të marrë përgjegjësi të plotë për të garantuar paqen dhe sigurinë rajonale dhe euripiane dhe jo vetëm për të mbrojtur tërësinë territorial të vendit. Takimi që pati dje presidentja Vjosa Osmani me komandantin e KFOR-it kishte për qëllim koordinimin e veprimeve në mbrojtje të territorit të Kosovës. Kjo do të thotë se rreziku i një agresioni serb të sponsorizuar dhe mbështetur nga Moska kundër këtij territori është shumë i madh. Veçanërisht muajt e parë të pranverës përdoren për agresione të tilla”.

Bytyçi thotë se dështimi i sulmit terrorist më 24 shtator të vitit të kaluar në veri të Kosovës, ka bërë që ushtria serbe të hartojë një plan të ri për agresion ushtarak ndaj Kosovës.

“Natyrisht që Beogradi do të donte që Kosovën ta ndante përmes ndonjë destabilizimi të brendshëm. Por dështimi i kësaj skeme që u përdor edhe në Banjskë më 24 shtator të vitit të kaluar, ka bërë që shtabi i Përgjithshëm përmes urdhrit të presidentit Vuçiq të hartojë edhe skemën e një përballjeje të drejtpërdrejtë me agresion ushtarak. Njësitë ushtarake serbe që janë grumbulluar dhe qëndrojnë në gatishmëri në kufi me Kosovën nuk janë aty thjesht për presion dhe diversion. Ato janë trajnuar për një agresion të hapur. SHBA-të me lëvrimin e raketave anti-tank e kundërajror “Javeline” dhanë mesazhin se agresioni serb në Kosovë është i destinuar të dështojë. Me këtë veprim ato inkurajuan edhe më tepër ushtarët dhe oficerët e Ushtrisë dhe FSK-së që t’i përgjigjen me bindje në fitore agresorit”, shprehet Bytyçi.

“Në Serbi dhe në Rusi ka ekspertë, të cilët mund të llogarisin se sa shumë ndihmë ushtarake do të përfitonte Kosova nga ana e SHBA-ve, Evropës dhe Turqisë, nëse vjen momenti I një agresioni serb kundër saj. Po të shtojmë këtu dhe angazhimin e NATO-s dhe KFOR-it, atëherë në Beograd bëhen akoma më të vetëdijshëm se në fund mund të mbetej vetëm Sanxhaku u Beogradit si pjesë e Serbisë. Ajo do të ndëshkohej aq keq, sa shteti serb nuk do të kishte më asnjë mundësi të kërcënonte as edhe një batalion apo fshat të vendeve fqinjë”, përfundon për “Bota sot”, profesor, doktor Enver Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat