“Nëse ky skenar është në kokën e dikujt, atëherë do të ketë gjakderdhje të rëndë në Ballkan”

Politika

“Nëse ky skenar është në kokën e dikujt, atëherë do të ketë gjakderdhje të rëndë në Ballkan”

Nga: H.O. Më: 19 janar 2024 Në ora: 19:55
Ilustrim

Se serbët nuk kanë hequr dorë ende nga ‘bota serbe’, për analistin Skender Mulliqi e dëshmon fakti i legjitimimit të politikanëve radikalë në zgjedhjet e fundit në Serbi. Ai thotë se këtë e dëshmuan edhe votuesit nga shtete të ndryshme që votuan për zgjedhjet serbe, si nga Kosova e Mali i Zi.

“Legjitimimi i grupit të politikanëve radikalë në zgjedhjet e fundit në Serbi, është tregues së ky shtet nuk ka hequr dorë nga ideja për “botën serbe’  nga vitet e 90-ta, të shekullit të kaluar. Fakti që votuesit nga Republika Serpska votojnë në Serbi, votuesit serbë nga Republika e Malit të Zi, votojnë në Serbi, dhe votuesit nga veriu më shumicë serbe të Kosovës, barten për të votuar në Serbi, pos manipulimeve që ndodhën, ia faturuan fitoren autokratit, Aleksander Vuçiq”, thekson ai.

Sipas tij, ҫka është më e rëndësishmja në gjithë këtë mesele, është së elita politike serbe, ka për qëllim që kudo që të kthehesh të jetë “bota serbe’.

Image
Skender Mulliqi

“Ky është zaten epigon i babait të kombit serb, Dobrica Qosiqit, i cili shumë hapur e kishte paraqitur këtë ide si strategji të Serbisë. Marrëveshja e Dejtonit ndali luftën por duket se nuk solli paqen e përhershme në BH. Republika Serpska ishte fitore e madhe serbe në luftërat e viteve të 1990, më rastin e shpërbërjes me dhunë të ish-Jugosllavisë”, thotë ai.

Mulliqi vlerëson se ideja e “botës serbe” edhe në këtë fillim shekull nga garnitura e qetnikizmit në pushtetin e Serbisë, ka ngjallur kujtimet traumatike të vrasjeve në masë të gjerë dhe të spastrimeve etnike, mbi popujt jo serbë në vitet e nëntëdhjeta.

“Pushteti i Vuçiqit po krijon një imazh të rrezikshëm abstrakt, imagjinar, për ta, se bota serbe është krijuar dhe së Vuçiqi është lider. Nuk po dëshirojnë nga ҫmenduria e tyre të kuptojnë, se ky projekt fashist duhet të përfundojë në Serbi, dhe këtë sa më shpejt duhet ta ndalojë bota demokratike. Kjo ide nuk do tu sjellë dobi, por veç dëme minoritetit serb në Kosovë, serbëve në Mal të Zi, BH dhe në Kroaci. Dodik para Putinit dhe në Bosnje-Hercegovinë ka thënë se Marrëveshja e Dejtonit ka dështuar dhe se dëshiron të shkojë në realizimin e idesë së “botës serbe”, vlerëson Mulliqi.

Ai thotë poashtu se edhe disa përfaqësues politikë të perëndimit në mënyrë të pakuptueshme po sillen ndaj kësaj ideje për ndryshim më dhunë të kufijve në Ballkan.

“Nëse në kokën e dikujt ekziton një skenar i tillë, e ekziston, atëherë do të ketë gjakderdhje të rëndë. Ky skenar nuk do t'i shërbente askujt veç diktatorit, Vladimir Putin dhe Vuçiqit. Të gjithë ata, kushdo qofshin, që mbrojnë politika të tilla të një projekti fashist, në një mënyrë janë përfaqësues të politikës ruse në Ballkan. Duhet një herë e përgjithmonë të kuptojnë se problem kryesor sot në Ballkan, paraqet ultranacionalizmi serbomadh, i cili ka në krahë politikat e Putinit, i cili për hesapet  e veta, jetikisht është i interesuar që të hapë edhe një front të ri lufte në Ballkan", thekson Mulliqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat