Garë e ashpër për zgjedhjet presidenciale në SHBA, parashikohet fitorja e Trump-it – ja si mund të ndikojë në zhvillimet në Kosovë

Politika

Garë e ashpër për zgjedhjet presidenciale në SHBA, parashikohet fitorja e Trump-it – ja si mund të ndikojë në zhvillimet në Kosovë

Arife Morina Nga Arife Morina Më 20 janar 2024 Në ora: 16:48
Biden dhe Trump

Presidenti Joe Biden dhe ish Presidenti Donald Trump janë drejt një përballjeje tjetër në zgjedhjet presidenciale të nëntorit.

Mirëpo, sfidat ligjore të ish Presidentit Trump dhe mosha e të dy kandidatëve mund të ndikojnë fushatën presidenciale.

Tash e një kohë, ish-presidenti Trump po përballet me 91 akuza penale dhe të paktën njëri nga gjyqet mbi këto akuza pritet të zhvillohet këtë vit.

Megjithatë, kjo nuk ka ndikuar që Trump, të shënojë fitoren e dytë me radhë në zgjedhjet brendapartiake në Ajova, përderisa la shumë prapa rivalët e tij, një fitore që e çon më afër fitimit të nominimit të Partisë Republikane për zgjedhjet presidenciale të këtij nëntori.

Trump fitoi 30 pikë, duke thyer rekordin e zgjedhjeve brendapartiake në Ajova, pasi më 1988 Bob Dole kishte shënuar një fitore prej 13 pikësh.

Sondazhe dhe analistë të shumtë, po e cilësojnë Trumpin si pretendetin kryesor për të fituar zgjedhjet presidenciale në SHBA.

Në rast të një fitoreje të Trump pritet të ndërrojë politika gjeostrategjike globale e SHBA-së.

Krahas kësaj, po përflitet edhe për ndikimin që mund ta ketë Trump në Kosovë, veçanërisht në dialogun me Serbinë.

Berisha: Ish presidenti Trump në bazë të rrjedhave dhe sondazheve shihet si një favorit në këto zgjedhje

Image
Anton Berisha

Ndërsa, ish zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Anton Berisha në prononcimin e tij për “Bota sot” zgjedhjet në SHBA i cilësoi si “traditë demokratike”, derisa potencoi faktin se Trump po shihet si favorit për të fituar zgjedhjet.

Zgjedhjet presidenciale në SHBA janë një traditë demokratike në të cilat qytetarët përcaktohen se kush do t’i prijë shtetit në mandatin vijues katërvjeçar.

Ish presidenti Trump në bazë të rrjedhave dhe sondazheve shihet si një favorit në këto zgjedhje”.

Krahas kësaj, ish-zëvendësministri shpreson që në të ardhmen të ketë qartësim të situates në Kosovë dhe rajon.

“Se cilat do të jenë reflektimet në politikën ndërkombëtare në rast të zgjedhjes së Trump mbetet të shihet por pak a shumë pres që linja e politikës së republikanëve të jetë dominuese.

Sa i përket Kosovës dhe rajonit them që do të ketë një qartësim të situatës dhe jo zhagitje të pafundme siç është duke ndodhur”, përmbylli Anton Berisha për “Bota sot”.

Ramabaja: Rikthimi i mundshm i Donald Trump-it më rezulton pothuajse i pamundur

Për këtë çështje në një prononcim për “Bota sot” Sadri Ramabaja.

Image
Sadri Ramabaja

Së pari, ai komentoi mundësinë për rikthimin e Trump në pushtet, derisa përmendi edhe disa analiza të studiuesve të ndryshëm ndërkombëtarë.

“Sipas mediave amerikane ish presidentit Donald Trump i vihen për barrë plot 99 vepra penale. Për një varg prej tyre atij i janë ngritur kallëzime penale dhe aktakuza. Në seri procesesh ku ai thirret si i pandehur, tashmë po zhvillohen në nivele të gjykatave të ndryshme të shteteve të SHBA-ve.

Një numër i madh studiuesish kanë paralajmëruar rikthimin e mundshëm të Donald Trump-it.

Një lagje studiuesish edhe gjatë periudhës së qeverisjes së tij, ishin marrë me fenomenin Trump. Dy prej tyre, konkretisht Steven Levitky dhe Daniel Ziblat, profesor në Universitetin e Harwardit, kanë publikuar librin e njohur me titullin sinjofikativ “Si vdesin demokracitë”, që për fat të mirë është përkthyer edhe në shqip. Njëri nga recenzentët e librit, Francis Fukuyama, për këtë libër shkruan: “Demokracitë mund të vdesin si pasojë e një coup d’etat (grusht shteti) – ose mund të vdesin ngadalë, kjo e dyta ndodhë për rrjedhojë të një mashtrimi, pak nga pak: fillon me zgjedhjen e një udhëheqësi autoritar dhe vazhdon me abuzimin e pushtetit qeverisës dhe shtypjen e plotë të opozitës. Të tre hapat e mësipërm janë vënë re në mbarë botën – jo vetëm në rastin e zgjedhjes së Donald Trump-it – dhe të gjithë duhet të kuptojmë se si mund t’i ndalojmë.” […]

Më tej, me këtë fenomen është marrë edhe Yascha Mounk, edhe ky ligjërues i shkencave politike në Harvard, në librin e tij me titull “Der Zerfall der Demokratie – Wie der Populismus den Rechtssstaat bedroht” [Shkërmoçja e demokracisë – Si e rrezikon popullizmi shtetin e së drejtës] Me këtë libër ai sikur paralajmëron rrezikun e ngritjes në pushtet të Donald Trump-it. Ndërkaq, më e ashpër me fenomenin e Trump-it ishte Madeleine Albright në librin e saj “Faschismus – Wine Warnung [ Fashizmi – Një paralajmrim]. Ajo nënvizon ndër të tjera nga fundi i librit: “Historia na ka treguar se, fashizmi edhe përmes procesit të zgjedhjeve mund të ngjitet në ente të larta të shtetit. Ai tashmë është instaluar në to, ndërkaq ndër të parin akt ta minojnë qendrat autoritare të fuqisë, në fund edhe Parlamentin, respektivisht Kongresin në rastin e SHBA-ve.

Ndërhyrja e trampistëve në Kapitol në prag të hyrjes në Shtëpinë e Bardhë të Joe Biden-it, pasi ishte konfirmuar fitorja e tij në zgjedhjet e fundit, shumë prej analistëve dhe njohësve të raporteve politike në SHBA e kishin cilësuar si përpjekje për puç politik”, deklaroi ai.

Gjithashtu, Ramabaja vlerësoi se shtetet e BE-së nuk janë entuziaste për rikthimin e Trumpit në pushtet.

‘“E kuptueshme pse vendet e Bashkimit Evropian nuk janë shumë entuziaste për mundësinë e kthimit të ish-presidentit amerikan Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë pas zgjedhjeve të ardhshme presidenciale, do të shkruante para ca ditësh gazeta amerikane Bloomberg.

“Disa liderë kanë frikë të përmendin edhe mundësinë e kthimit të tij nga frika se mos e bëjnë atë më të mundshme”, i kishte thënë një diplomat i lartë amerikan i paidentifikuar gazetës në fjalë. Sipas kësaj medie të njohur amerikane, shumë aleatë amerikanë janë të shqetësuar nga retorika e Trumpit, sidomos me slloganin e tij të njohur 'Amerika e para' dhe kërcënimet për t'u tërhequr nga NATO, e kombinuar me politikën tregtare proteksioniste të Trump-it””

Në vazhdim, u shpreh se derisa vendet tjera në “heshtje” po përcjellin zgjedhjet në Amerika, Trump po shënon fitore në disa shtete, siç është Ajova, vend ky që popullsia merret me bujqësi.

“Megjithatë, ndërkohë, vendet në mbarë botën po përgatiten "në heshtje - por urgjentisht" për kthimin e mundshëm të Trump-it në Shtëpinë e Bardhë.

Ndërkohë ish-presidenti amerikan, Donald Trump, ka shënuar fitoren e dytë me radhë në zgjedhjet brendapartiake në Ajova, në shtetin ku popullsia kryesisht merret me bujqësi. Trump fitoi 51 për qind të votave. Grupet parlamentare të Ioëa-s shënojnë fillimin e procesit të Partisë Republikane për të zgjedhur një kandidat për të sfiduar kandidatin e supozuar demokrat, që supozohet gjerësisht të jetë presidenti aktual Joe Biden, në zgjedhjet presidenciale të nëntorit”, shpejgoi ai.

Më tej, pavarësisht se po përflitet për rikthimin e Trumpit, Ramabaja konsideron se kjo gjë është e pamundur, pasi ai mund të ndalet përmes sistemit të drejtësisë, thënë kjo duke parë disa proces gjyqësore në të cilat është përfshirë ai.

Mirëpo, në rast se Trump zgjedhet fitues, profesor Ramabaja tha se nuk është diqka që duhet të jetë shqetësuese, pasi ka miq edhe brenda republikanëve.

Në këtë kuadër do të thosha se rikthimi i mundshëm i Donald Trump-it më rezulton pothuajse i pamundur. Ai ose do të ndalet përmes sistemit të drejtësisë, ose mekanizmat shtetëror, kujdestar të interesit nacional amerikan, mund të marrin masa tjera në kuadër të kompetencave të tyre, gjithmonë duke qenë gardian të intersit nacional.

Pavarësisht rrjedhës, Kosova dhe kombi ynë, ka miq edhe brenda republikanëve dhe aleatëve të tyre në Europë, me theks në Mbretërinë e Bashkuar dhe Irlandë. Ndërkaq nëse kemi në konsideratë faktin se dy republikat tona [Republika e Shqipërisë dhe Republika e Kosovës], në këtë rigrupim gjeopolitik të blloqeve me fillimin e luftës në Ukrainë, janë pozicionuar qartë si pjesë e Perëndimit, nuk ka arsye për shqetësim”, përfundoi Sadri Ramabaja për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat