“Zgjedhjet e reja, vetëvrasje politike për Krasniqin, Abdixhikun dhe Haradinajn”/ Analistët tregojnë planet e ‘errëta’ të partive opozitare

Politika

“Zgjedhjet e reja, vetëvrasje politike për Krasniqin, Abdixhikun dhe Haradinajn”/ Analistët tregojnë planet e ‘errëta’ të partive opozitare

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 21 janar 2024 Në ora: 09:02
Haradinaj, Abdixhiku dhe Krasniqi

Opozita po bën thirrje vazhdimisht për zgjedhje të reja, duke thënë se këto zgjedhje nuk do t’u bënin dëm askujt.

Nga ana tjetër, edhe pozita është shprehur e gatshme, duke u deklaruar madje se do të fitojnë me përqindje edhe më të lartë.

Kështu, Deputeti i LVV-së, Adnan Rrustemi, ka thënë se bazuar në punën e bërë gjatë këtyre tri viteve, vlerësimit të opinionit të qytetarëve përmes sondazheve dhe lehtësirave për votimin e mërgatës në ambasada, do të tejkalojnë 50 për qind në zgjedhjet e ardhshme.

“Vetëvendosje është e gatshme për zgjedhje, qofshin ato të parakohshme apo të rregullta në kalendarin e rregullt ligjor. Nëse zgjedhjet e parakohshme paraqiten dhe krijohen në rrethana të tilla, ne padyshim jemi të gatshëm... Vetëvendosje shkon në këto zgjedhje e përgatitur dhe gatshme dhe bindur se si rrjedhojë e punës që ka bërë gjatë këtij mandati dhe vlerësimit të opinionit të qytetarëve përmes sondazheve, por edhe si rrjedhojë e lehtësirave që kemi bërë për mërgatën përmes Ligjit për zgjedhje të përgjithshme, konsiderojmë se do të shënojmë rezultat edhe më të lartë sesa kemi shënuar më 14 shkurt 2021. Mandati i dytë duhet të jetë përveç i përmbylljes së shumë reformave dhe proceseve të nisura në mandatin e parë, duhet të jetë një mandat i zhvillimit të një niveli tjetër për të kaluar Kosova në një nivel krejtësisht tjetër të zhvillimit të brendshëm ekonomik dhe sundimit të ligjit”, ka thënë ai.

Ndërkohë partitë opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe NISMA të mërkurën kanë lidhur zyrtarisht koalicion parazgjedhor. Kjo u bë e ditur përmes një konference të përbashkët për media.

Pas nënshkrimit, Haradinaj tha se bashkimi i tyre vjen si pasojë e një ndjenje të përgjegjësisë ndaj qytetarëve të Kosovës, të cilët, sipas tij, janë anashkaluar dhe madje braktisur në disa raste nga ekzekutivi aktual.

Ndërkaq nga LDK-ja janë përgjigjur se poashtu janë të gatshëm për zgjedhje të reja dhe ende nuk kanë shprehur gatishmëri për koalicione parazgjedhore.

“Ne ende s’kemi bërë ndonjë mbledhje të kryesisë. LDK-ja është partia e parë në vend, dhe ndryshime të rezultatit sigurisht se presim sepse edhe 51 për qind janë të zhgënjyer nga tri vitet e kësaj Qeveria e cila nuk ka sjell ndonjë projekt që do mbahet mend”, ka deklaruar deputetja e kësaj partie, Rrezarta Krasniqi nëpër media.

Mirëpo se cilat janë gjasat që të mbahen zgjedhjet e reja, pse opozita po kërkon këto zgjedhje me ngulm dhe a mund të ketë ndryshime të mëdha, gazeta ‘Bota sot’ ka kontaktuar disa njohës të fushës së politikes.

Mehazi: PDK-ja, LDK-ja e AAK-ja përsëri do humbin thellë e më thellë ndaj partisë së Albin Kurtit

Kështu, profesori Sulejman Mehazi e ka quajtur tragjike kërkesën e partive opozitare për zgjedhje të reja, kur sipas tij Vetëvendosja e ka hovin më të madh të besueshmërisë.

Image
Sulejman Mehazi

“Është tragjike për vetë partitë opozitare që kërkojnë zgjedhje të parakohshme, pikërisht, në kohën kur LVV-ja e Albin Kurtit është në hovin më të madh të besueshmërisë së qytetarëve. Kërkesa e zgjedhjeve të reja apo të parakohshme nga ana e partive opozitare do ishte vetëvrasje politike për vetë Memli Krasniqin, Lumir Abdixhikun dhe Ramush Haradinajn, kot, edhe sikur të koaliciononin e bashkonin forcat PDK-ja, LDK-ja e AAK-ja, përsëri do humbin thellë e më thellë ndaj partisë së Albin Kurtit, LVV-së”, vlerëson ai.

Mehazi thotë më tutje se, këmbëngulja e partive opozitare për zgjedhje të reja parlamentare është për një qëllim, që t'i kundërvihen Kurtit tog për të rikrijuar frontin e dytë të PRONTO-s për t'u pasuruar vetë, për të varfëruar qytetarër e për t'ia shitur Serbisë veriun e Kosovës me anë të asociacioneve operative serbe.

“Zgjedhjet e reja janë vetëm dëshira lakmuese për partitë opozitare, për shkak se faktor kryesor për zgjedhje të parakohshme është Kurti e jo Abdixhiku e Krasniqi, s'e Kurti vendos kur do ketë zgjedhje e jo pusto dëshira e partive opozitare. Është e qartë se partitë opozitare nuk mund të përballen të ndarë me Kurtin ndaj qëllimi i tyre shpresëdhënës është që Kurtit t'i kundërvihen së bashku gjatë zgjedhjeve parlamentare, po ja që suksesi i tyre do jetë i parealizuar dhe i humbur”, nënvizoi profesor Mehazi.

Mehmeti: Më e etur duket AAK me Nismën

Image
Faton Mehmeti

Ndërkaq, analisti Faton Mehmeti thekson se, zgjedhjet edhe mund të mbahen, madje mund të jenë në muajin dhjetor.

“Zgjedhje mund të ketë, edhe ashtu jemi në 12 muajt e fundit të afatit të rregullt, kështu që pres që zgjedhjet të ketë në dhjetor, krejt brenda suazava normale. Opozita duke ndotur këtë fakt, kërkon zgjedhje si formë psikologjike që ja edhe këta s’munden me kry afatin katër vjeҫar”, vlerëson ai.

Analisti Mehmeti thekson poashtu se opozita synon që VV mos të arrijë 50% në mënryë që të futen në koalicion, të gjitha partitë opozitare lutën që të futën në koalicion paszgjedhor me VV.

“Më e etur për këtë duket AAK me Nismën. Fituesi tanimë dihet, krejt ajo ҫfarë pak a shumë diskutohet është 50% apo nën këtë sa do të jetë. VV është e paarritshme edhe po u bën krejt bashkë, për mendimin tim VV kalon mbi 50%”, vlerëson Mehmeti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat