“Ekziston shqetësimi i përhapur se...”, Tromp: SHBA të forcojë ushtrinë e Kosovës, çka do të ndodhë nëse fiton në SHBA ky politikan

Politika

“Ekziston shqetësimi i përhapur se...”, Tromp: SHBA të forcojë ushtrinë e Kosovës, çka do të ndodhë nëse fiton në SHBA ky politikan

Nga: A.Zh Më: 21 janar 2024 Në ora: 12:02
Nevenka Tromp

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, janë të shqetësuara për mundësinë që situata mes Kosovës dhe Serbisë, të përshkallëzohet në konflikt të armatosur. Kështu ka deklaruar Nevenka Tromp, ligjëruese e Studimeve për Evropën Lindore në Universitetin e Amsterdamit në Holandë. Si fakt për këtë, ajo e sheh miratimin e Departamentit Amerikan të Shtetit, për blerjen e raketave antitank nga Kosova.

Në një prononcim për gazetën “Bota sot”, Tromp ka thënë se Rusia mund të destabilizojë Ballkanin, përmes Kosovës, Bosnjës dhe Serbisë.

“Fakti që Departamenti Amerikan i Shtetit miratoi blerjen e 246 raketave antitank Javelin nga qeveria e Kosovës, tregon seriozitetin e shqetësimeve për mundësinë që destabiliteti aktual të përshkallëzohet në një konflikt të hapur të armatosur. Nga të gjitha shtetet e ish-Jugosllavisë, vetëm tri nuk janë anëtare të NATO-s apo BE-së – përkatësisht Kosova, Bosnje-Hercegovina dhe Serbia. Dy shtete të Ballkanit Perëndimor janë vetëm anëtare të NATO-s – konkretisht Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria – që padyshim nuk ishte një shtet post-jugosllav, por përbën një nga gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor. Sllovenia dhe Kroacia janë anëtare të NATO-s dhe BE-së.

Nga këndvështrimi i Rusisë, mënyra për të destabilizuar zonat në Evropë me interesa gjeostrategjike për aleatët perëndimorë – BE dhe SHBA – në Ballkanin Perëndimor do të ishte destabilizimi i rajonit me aktivitete në tri vendet, që nuk janë anëtare të NATO-s dhe të BE-së”, ka theksuar ajo.

Hulumtuesja e Tribunalit të Hagës për krimet e luftës në ish-Jugosllavi, parashikon që Serbia do të vazhdojë të përdor lidhjet e saj me Rusinë, për të destabilizuar Kosovën, si një zonë krize.

“Serbia tashmë ka ndjekur me zell marrëdhëniet e Rusisë dhe do t'i përdorë lidhjet me Rusinë për të vazhduar me armatimin e forcave të saj të sigurisë si dhe për të shmangur çdo angazhim të mëtejshëm në procesin e drejtuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën që përfundimisht do të çonte në njohjen e Kosovës nga Serbia.

Kosova dhe Bosnje-Hercegovina, janë zona me interes për Rusinë, ku ajo mund të përdorë ndarjen ekzistuese territoriale për të destabilizuar më tej rajonin dhe për të mbajtur NATO-n dhe aleatët e saj të zënë në disa zona krize njëkohësisht. Kosova është sigurisht një zonë e tillë”.

Sipas saj, “mandati i KFOR-it mund të mos jetë i mjaftueshëm për ta mbajtur Kosovën të sigurt nëse në rajon shpërthen një luftë e plotë”.

Për këtë, ajo ka kërkuar që SHBA të forcojë ushtrinë e Kosovës, para zgjedhjeve presidenciale, që do të mbahen në fund të këtij viti, pasi vlerëson se Kosova është veçanërisht e ndjeshme ndaj çdo ndryshimi të administratës amerikane.

“Vendimi i Departamentit Amerikan të Shtetit për miratimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës duhet të forcohet. Administrata aktuale amerikane ndoshta dëshiron të sigurojë që kjo të ndodhë përpara zgjedhjeve presidenciale të nëntorit 2024 në SHBA.

Ekziston një shqetësim i përhapur se nëse Donald Trump fiton zgjedhjet presidenciale në SHBA - SHBA do të ndryshonte politikën e saj ndaj NATO-s dhe Evropës. Kosova është veçanërisht e ndjeshme ndaj çdo ndryshimi të administratës amerikane, pasi integriteti i saj territorial ka qenë shumë i varur nga mbështetja politike, diplomatike dhe ushtarake e një shteti të vetëm - SHBA-së”, ka nënvizuar Nevenka Tromp për gazetën.

Si hap logjik, për këtë, ajo e sheh anëtarësimin e Kosovës në NATO. Sipas tij, për shkak të kërcënimeve të mëdha me të cilat po përballet Evropa, anëtarësimi i Kosovës në NATO mund të mos jetë aq i paimagjinueshëm sa dukej muaj më parë.

“Në çdo perspektivë që kjo mbështetje të ndryshojë në dëm të Kosovës, hapi logjik për Kosovën do të ishte anëtarësimi i NATO-s. Parimi i sigurisë kolektive të NATO-s do ta mbrojë Kosovën nga çdo aspiratë territoriale e tanishme apo e ardhshme serbe në veri të Kosovës dhe do të forcojë NATO-n në juglindje të Evropës. Anëtarësimi i Kosovës në NATO mund të jetë po aq i vështirë për t'u arritur sa anëtarësimi në BE, duke pasur parasysh faktin se të pesë shtetet e BE-së që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës janë gjithashtu anëtarë të NATO-s. Megjithatë, kur kërcënimet e sigurisë janë po aq të mëdha sa ato aktuale me të cilat përballet Evropa që nga lufta në Ukrainë, anëtarësimi i Kosovës në NATO mund të mos jetë aq i paimagjinueshëm sa dukej vetëm disa muaj më parë. Armatosja e Forcave të Sigurisë së Kosovës mund të jetë hapi i parë në këtë drejtim”, ka thënë Tromp.

Lajmin se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë pranuar kërkesën e Kosovës për të blerë raketa kundërtanke, fillimisht e bëri të ditur ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, gjatë një takimi me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në kryeqytetin serb, më 11 janar.

Në komunikatën e lëshuar më vonë nga Departamenti amerikan i Shtetit, u konfirmua se administrata amerikane, ka njoftuar Kongresin për propozimin e programit për Shitjet e Huaja Ushtarake (FMS) për rastin e shitjes së raketave “Javelin” dhe pajisjeve të tjera të lidhura me to për Kosovën.

“Departamenti amerikan i Shtetit shpesh ka vendosur të miratojë shitjen e huaja ushtarake për Ministrinë e Mbrojtjes ës Kosovës, për përdorimin e armëve nga Forcat e Sigurisë së Kosovës. Shitja e këtyre armëve, mbështet “politikën e jashtme dhe objektivat e sigurisë kombëtare të SHBA-së, duke përmirësuar sigurinë e Kosovës dhe zhvillimin e aftësive të saj mbrojtëse, të ndërveprueshme me NATO-n, pa ndryshuar ekuilibrin thelbësor ushtarak në rajon ose pa ndikuar në gatishmërinë mbrojtëse të SHBA-së”, u tha nga DASH-i.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat