I pazëvendësueshëm në politikën shqiptare, boshllëku që la Rugova me ikjen në amshim

Politika

I pazëvendësueshëm në politikën shqiptare, boshllëku që la Rugova me ikjen në amshim

Arife Morina Nga Arife Morina Më 21 janar 2024 Në ora: 14:03
Presidenti historik, Ibrahim Rugova

Në një ditë të ftohtë janari, më saktësisht me 21 janar të vitit 2006, ndërroi jetë, Presidenti historik, Ibrahim Rugova.

Tash po bëhen 18 vite që nga vdekja e presidentit Rugova, e që mungesa e tij padyshim vërehet edhe tash pas shumë vitesh.

Rugova luajti një rol kyç në historinë e Kosovës, ku me kontributin e tij të madh, la shenja të pashlyera.

Veprimtaria e shquar, e bënë atë, që të jetë i përkujtuar nga institucionet shtetërore, por edhe nga i gjithë populli shqiptar.

Dr. Ibrahim Rugova u lind më 2 dhjetor 1944 në Cerrcë të Istogut. Më 10 janar 1945 komunistët jugosllavë ia pushkatuan të atin, Ukën dhe gjyshin Rrustë Rugovën, që kishte qenë luftëtar i njohur kundër çetave çetnike që po depërtonin në Kosovë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Ibrahim Rugova u zgjodh më 23 dhjetor 1989, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, partisë së parë politike në Kosovë që sfidoi drejtpërdrejt regjimin komunist në fuqi.

Mbi rolin dhe rëndësinë që ka figura historike e Rugovës në shtetndërtimin e Kosovës, folën publicistët për “Bota sot”.

Gjithashtu, përmenden edhe mungesën e një figure si Rugova në skenën politike të Kosovës.

Zogaj: Mungesa e Rugovës është e dukshme në të gjitha planet politike e diplomatike

Image
Skënder Zogaj

Së pari, publicisti Skënder Zogaj në një prononcim për “Bota sot” e vlerësoi lartë Rugovën, duke e cilësuar atë si arkitektit të çlirimit, lirisë dhe pavarësisë së vendit tonë.

“Po bëhen 18 vjet të shkuarjes së Presidentit historik të Kosovër, dr. Ibrahim Rugova, arkitektit të çlirimit, lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, mungesa e të cilit jo vetëm që është tepër e ndieshme, por edhe kushtëzuese e ngecjeve të shumta dhe mosfinalizimit të plotë në shtetndërtimin të Kosovës”, u shpreh ai.

Zogaj tha se mungesa e presidentit historik vërehet në të gjitha planet politike e diplomatike të Kosovës.

“Mungesa e Rugovës është e dukshme në të gjitha planet politike e diplomatike, por edhe në planin zhvillimor, sepse vendi është bërë "as mish, as peshkt" dhe siç po shihet do ta ketë të pamundur të realizohet sipas vizioneve dhe projektit rugovian të bazuar në demokraci moderne pro perëndimore!” – shpjegoi publicisti.

Ndër të tjera, ai tha se Rugova është i pazëvendësueshëm për shqiptarët.

“Vendi po kalon çaste të vështira sepse gjenialiteti i Rugovës nuk po mund të kuptohet dhe, kjo është hendikepuese për Kosovën e me rrezik të ndryshimit të kursit që do të ishte tragjedi historike!

Rugova pas Skënderbeut është udhëheqësi më i madh shqiptar, prandaj edhe i pazëvendësueshëm, as sot as mot!” – përfundoi Skënder Zogaj për “Bota sot”.

Haziri: Rugova reflektonte jo vetëm aspiratën për liri e pavarësi, por barte edhe si mesazh trashëgiminë historike e kulturore të shqiptarëve

Image
Nexhat Haziri

Kurse, analisti tjetër, Nexhat Haziri në një bashkëbisedim me “Bota sot” tha se Rugova ishte themeltar i shtetit të Kosovës dhe imazh i popullit tonë.

“Në 18 vjetorin e shkuarjes në amshim të Presidentit historik të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, themeltarit të shtetit, njeriut që bëri epokë, liderit të lëvizjes së fuqishme gjithëpopullore e demokratike për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, duke lënë një trashëgëmi politike në rrugën e trasuar nga ai për të ardhmen e Kosovës si shtet demokratik euroatlantik. Rugova ishte vet imazhi i Kosovës, i popullit tonë, imazh ky që reflektonte jo vetëm aspiratën për liri e pavarësi, por barte edhe si mesazh trashëgiminë historike e kulturore të shqiptarëve si pjesë e pandarë e vlerave përendimore gjë që bëri që ai të identifikohej me famlartin tonë AT Pjetër Bogdanin”, u shpreh ai.

Po ashtu, Haziri potencoi faktin se mungesa e Rugovës ndihet në shumë aspekte, sidomos në ato politike dhe diplomatike.

“Dhe në këto rrethanat aktuale e politike nepër të cilën po kalon Kosova, me një polarizim të egër jo vetëm të klasës politike por në përgjithësi në shoqërinë tonë, ku imazhi i vendit është përkeqësuar në rrafshin ndërkombëtar dhe raportet me aleatët tanë gjeo-strategjik nuk janë në nivelin e duhur e ku këta aleat që ndihmuan Kosovën në gjithë rrugëtimin e saj për liri, pavarësi dhe shtetndërtim, po iu mungon një partner i besueshëm dhe bashkëpunëtor i arsyeshëm tek ne, dhe në këto aspekte ndihet mungesa e madhe e presidenti historik të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova”, nënvizoi analisti.

Ndër të tjera, shprehu keqardhje se si pas gati 2 dekadash nga vdekja e Rugovës, ende nuk kemi parë një lider që sado pak do ta mbulonte boshllëkun që ka lënë presidenti hisorik.

“Është për keqardhje që edhe pas 18 viteve të shkuarjes në amshim të presidentit Rugova, akoma nuk kemi parë në skenën politike një lider që sado pak do mbulonte këtë boshllëk në skenën politike të vendit, ku urtësia, uniteti, kultura dhe dialogu në mes nesh të ngriheshin mbi interest përsonale, grupore të partive politike, për të ndërtuar një konsensues politik e qytetarë për shumë çështje të rëndësishme për qytetarët dhe vendin. Trashëgimia politike dhe historike e Presidentit historik të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, duhet të jetë frymëzim për çdo politikan dhe për çdo udhëheqës shtetëror të Kosovës për ndërtimin e së ardhmes tonë si shoqëri demokratike, humane, pjesë e vlerave euro-perendimore”, përmbylli Nexhat Haziri për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat