BE-së i vjen reagimi i ashpër: Ky plan është në dëm të Kosovës – Vuçiq po “luan”, ja si po përfiton Serbia!

Politika

BE-së i vjen reagimi i ashpër: Ky plan është në dëm të Kosovës – Vuçiq po “luan”, ja si po përfiton Serbia!

Nga: A.M. Më: 22 janar 2024 Në ora: 10:03
Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiq - ilustrimi Bota sot

Shefi i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, ka thënë se Unioni është i gatshëm që t’i heqë masat ndëshkuese ndaj Kosovës, por si kusht Kosova duhet të bëjë më shumë për shtensionim të situatës.

Ai tha se është shumë e qartë si për Kosovën dhe Serbinë ajo çka pritet të bëjnë këto dy shtete në rrugën për normalizimin e marrëdhënieve.

“Bashkimi Europian diskutoi çështjen e masave, ndaj është pjesë e diskutimit për zgjerimin në dhjetor të vitit të kaluar, konkluzionet për zgjerim u miratuan nga Këshilli i Përgjithshëm më 3 dhjetor vitin e kaluar”.

“Ato konkluzione janë të disponueshme që t’i lexoni dhe ju mund të shihni se BE është e gatshme të heqë masat, por gjithashtu pret që Kosova të bëjë më shumë për depërshkallëzim dhe nuk ka ndonjë afat. Mendoj që politika jonë është bërë e mjaft e qartë që më datën 3 qershor kur kemi formuluar qartë atë se çka presim nga të dyja palët”, tha ai në një deklaratë për televizionin publik.

E për këtë çështje për “Bota sot” foli opinionisti Dedë Preqi.

Së pari, ai kritikoi Bashkimin Evropian për masat sanksionuese ndaj Kosovës, ku tha se ata e ndëshkuan viktimën dhe jo fajtorin kryesor, që në këtë rast është shteti serb në krye me Vuçiqin.

Sipas tij, pesha më e madhe e këtyre sanksioneve po bie mbi qytetarët e Kosovës.

Image
Dedë Preqi.

“Pesha e masave ndëshkuese ndaj Kosovës, bie në kurriz të qytetarëve të këtij shteti, dhe BE-ja, pa të drejt i caktoi këto masa, duke e ndëshkuar jo shkaktarin e tensioneve, por viktimën, sikur në këtë rast Kosovën, duke e ditur se Serbia dhe presidenti i saj Vuçiq, ishin shkaktarët dhe nxitësit e tensioneve në veri, që pa të drejtë ndëshkohet Kosova, me masa ndëshkuese të vendosura që nga qershori i vitit të kaluar.

Dhe këto masa ndëshkuese po vazhdojnë, duke e dënuar drejtpërsëdrejti qytetarin e këtij vendi, me një lloj ndëshkimi pa pikë kuptimi, sepse ekzistojnë masa ndëshkuese që secili do t’i përceptonte të gabuara, dhe jo vetëm që përmes tyre do i zgjedhin problemet dhe përforcojnë marrëdhëniet ndëretnike në këtë vend, por edhe në të kundërtën, sepse nuk po ndëshkohet fajtori, por viktima, që po i vuan pasoja që po e ndjekin mbrapa”.

Po ashtu, përmendi faktin se si Serbia po vazhdon të bashkëpunojë me Rusinë, derisa ende nuk sanksionohet nga Perëndimi.

“Ky plan dhe projekt i BE-së, do të ishte jo i arsyeshëm dhe asgjë më shumë se për të plotësuar ambiciet e njërës palë, siç është Serbia, që po luan dhe sillet qysh po i teket asaj, e cila po fiton teren politik dhe mundësi të reja për të përmbushur dhe realizuar strategjitë e veta, në njërën anë, mik me Rusinë dhe në anën tjetër po i bënë bisht sanksioneve dhe masave të vendosuara nga Evropa dhe SHBA-të, kundër luftës ruse në Ukrainë”, theksoi opinionisti.

Më tej, Preqi potencoi se edhe kërkesat që BE ia ka vendosur Kosovës për largimin e masave ndëshkuese, e që qeveria jonë ndonëse ka filluar t’i realizojë detyrimet e saj, ende vazhdon të jetë e sanksionuar.

“Në këto rrethana ndëshkuese Kosova, po ballafaqohet prej qershorit të vitit të kaluar dhe deri më tani, dhe ndër të tjera nga BE-ja, për shtensionim të situatës i kërkohet Kosovës, që të plotësojë tri kushte apo kërkesa, që të tejkalohet situata.

Kërkesa e parë, të shpallen zgjedhjet e reja në katër komunat veriore me shumicë serbe, e dyta, të bëhet sigurimi i pjesëmarrjes së serbëve të Kosovës, në zgjedhje dhe e treta, të fillohet puna për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE.

Kosova dhe qeveria e saj i ka filluar procedurat që ti kryej detyrimet e veta dhe procedurat e nevojshme në bazë të ligjit dhe përcaktimeve ligjore që e jep Kushtetuta e vendit, duke filluar me nënshkrimin e një petecioni nga popullata serbe për shkarkimin e kryetarëve aktual”, nënvizoi ai.

Kurse, sa i përket çështjes së Asociacionit, opinionisi tha se është një çështje më e ndërlikuar, pas shteti serb përmes themelimit të tij, po synon që ta kthejë Kosovën, në pikën zero.

Derisa, kërkoi urgjentisht nga BE largimin e sanksioneve dhe ta ndalojë “lojën e njëanshme” siç e ka bërë deri tani.

“Ndërsa, themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, e ka një procedurë të ndërlikuar dhe të gjatë, sepse Serbia, përmes këtij Asociacioni, nuk e ka qëllimin e përfitimit dhe stabilizimit të popullatës serbe në këtë pjesë të Kosovës, por po përpiqet me çdo kusht, që ta kthejë Kosovën, në pikën zero, dhe ta nënshtrojë nën thundrën e vet, e cila do të realizohej sikur në Bosnje dhe Hecegovinë, nëse autoritetet e Kosovës, do të pranojnë një Asociacion të tillë me kompetenca të plota ekzekutive.

Tani topin e ka BE-ja, e cila nuk po tregon vullnet politik, apo «gjygjëtarët» e kësaj loje jo korrekte po tregohen të njëanshëm dhe nuk po tregojnë vullnet, që topin ta «KTHEJNË» në mes të fushës, të cilin e kanë referuar dhe hedhur gabim në anë të kundërt dhe në kundërshtim me rregullat e lojës, dhe këto masa ndaj Kosovës, të hiqen sa më parë, kur dihet se çdo ditë e më shumë ndikojnë në dëm të qytetarëve, në dëm të ekonomisë dhe politikave të këtij vendi”, përmbylli Dedë Preqi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat