I kudondodhur/ Cili është roli i Aleksandër Soros në Samitet për Ballkanin?

Politika

I kudondodhur/ Cili është roli i Aleksandër Soros në Samitet për Ballkanin?

Nga: P.Rudi Më: 23 janar 2024 Në ora: 08:02
Liderët e Ballkanit Perëndimor

Të dielën në mbrëmje u mblodhën në Shkup liderët e katër vendeve të Ballkanit Perëndimor në një darkë në prag të samitit të së hënës së bashku me ndihmëssekretarin e Shtetit të SHBA-ve, James O’Brien.

Por ajo që ka rënë në sy ishte prezenca e Aleksandër Soros, djali i filantropit amerikan, George Soros.

E lidhur me këtë, për gazetën “Bota sot” ka folur profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, doktor Enver Bytyçi.

“Në këtë darkë, si dhe në margjinat e samitit të së Hënës ishte i pranishëm gjithashtu manjati i njohur, Aleks Soros, i cili ka trashëguar nga i ati i tij, Georg, perandorinë disamilionëshe të biznesit të tij. Askush nuk ka thënë se me çfarë cilësie ishte zoti Soros junior në këtë darkë dhe samit. Askush nuk e përmend atë, por thjesht ne e shohim në fotot e ceremonive që zhvillohen. Të tilla foto kemi parë vazhdimisht në të gjitha samitet ballkanike, sidomos ato që lidheshin me Minishengenin ose Open Balkan. Kudo e sa herë janë zhvilluar këto samite Aleks Soros ishte prezent, së paku prej vitit 2018 e këtej”, shprehet Bytyçi.

Image
Enver Bytyçi.

Sipas tij, Soros ishte prezent edhe kur u diskutua ndarja e Kosovës nga Thaçi dhe Vuçiq.

“Fillimisht ishte në takimet Thaçi-Vuçiq, kur bisedohej midis tyre për ndarjen e Kosovës. Por me nismën serbe të Minishengenit dhe Open Balkan, ai ishte prezent në Novi Sad, në Beograd, në Shkup e në Ohër. Ndërsa kur ky samit zhvillohej në Tiranë, Leka Soros kishte favorin e madh të qëndronte jo vetëm në shoqërinë e kryeministrit Rama, por edhe të takohej përzemërsisht me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Velinë. Një rrugë e shumë punë! Patëm menduar se me shpalljen e dështimit të Open Balkan, Sorosi do të tërhiqej nga skena dhe nuk do ta shihnim më në fotografitë ceremoniale të radhës. Por u gabuam”, deklaron Bytyçi.

Por pse Soros ishte prezent edhe në Samitin që u mbajt në Shkup?

“Prania në Shkup në fund e fillim javë e Alkesandër Sorosit na kujton sërishmi se ai ka interesa të caktuara në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Dhashtë Zoti dhe ky rajon nuk pëson fatin e Ukrainës, ku Soros kishte dhe ka një rol të caktuar, për mendimin tim shumë negativ. Ku është Soros mbillet luftë, konflikt, përçarje, dasi, urrejtje dhe sherr i madh. Ku është Sorosi duket sikur aty është vetë shejtani. Dhe “shejtani” në mesin e liderëve ballkanikë nuk sjell kurrë paqe, përveçse luftë e përplasje. Konflikti dhe trazirat duket se janë territori në të cilin përfiton Soros”, shprehet Bytyçi.

“Megjithatë ne vazhdojmë të bëjmë pyetjen pa përgjigje, se cilat janë interesat, përfitimet dhe synimet e Soros në Ballkan? Pse ai ishte i etur dhe aq aktiv në ndarjen e Kosovës? Po për krijimin e një Jugosllavie të re ose të dominimit të Serbisë në Ballkan përmes Open Balkan? A ishte Open Balkan si emërtim i propozuar prej tij? Çfarë pazaresh ka midis Sorosit nga njëra anë dhe Edi Ramës e Aleksandër Vuçiq nga ana tjetër? A dëshiron ai të bëhet protektor i pasurive në rajon, sidomos për Trepçën?! Qëndrimi i tij si hije pas çdo samiti ballkanik le shumë dyshime për rolin e tij në funksion gjithashtu të interesave të tij”.

Më tej, profesor Bytyçi deklaron se historia e Soros është histori mashtrimesh.

“Ai përfitoi nga kriza monetare britanike dhe me mashtrim u bë miliarder. Pastaj e ka shtuar pasurinë e tij në forma misterioze. Askush nuk e njeh për ndonjë patentë të zbuluar prej tij dhe që e ka zhvilluar. Thjesht shfrytëzon krizat dhe konfliktet kudo në botë për të shtuar pasurinë e tij. Korrupsioni dhe korruptimi i personaliteteve politike e diplomatike është metoda e tij. Soros është një perandori financiare, që me fondacionet e tij të “Shoqërisë së Hapur” ka krijuar kontingjent shumë të madh në rrjetën amerikane, evropiane e ballkanike të politikës dhe diplomacisë. Fakti që edhe James O’Brien e mori pas vetes në Shkup dëshmon për ndikim të padiskutueshëm të tij në Departamentin e Shtetit Amerikan. Është e pamundur që qoftë edhe Aleks Soros të ulet në tryezat e darkave dhe drekave formale e informale politike pa miratimin protokollar të Departamentit”, shton Bytyçi.

Sipas tij, mungon çfarëdo lloj transparence në shpjegim të rolit që Soros ka në këto tryeza.

“Askush nuk na ka thënë pse dhe si gjendet ai gjithmonë në rrethin e liderëve ballkanikë. Pra në samitet e Ballkanit Perëndimor. Aq i fuqishëm në hije është ai, sa e kemi vënë re të jetë prezent edhe në Procesin e Berlinit nën drejtimin e kancelarit Scholz! Nëse ai do të luante një rol pozitiv në këto samite dhe tavolina bisedimesh, dikush do ta thoshte. Nëse vjen thjesht për miqësi e për dashurinë që ka me këto vende dhe liderët e tyre, atëherë ai mund të vinte në çdo kohë dhe do të mungonte në ndonjë rast. Është enigmë se si ishte dhe është e mundur që ai nuk mungon asnjëherë?!”, thekson Bytyçi.

“Dikush mund të thotë se këto që po them janë paragjykime. Por sa kohë mungojnë sqarimet e nevojshme, do të ketë edhe dyshime, interpretime dhe dilema në veprimtari të tilla. Nuk besoj se dikush nuk do të donte të dinte shkaqet e prezencës së tij. Ai nuk ka asnjë funksion diplomatik ose politik. Është thjesht mik i familjes së sekretarit Blinken. Po a mjafton të jesh mik i një familjeje të caktuar, qoftë ky dhe Papa i Romës, që të jesh prezent në gjithmonë e jo rastësisht në samite të rëndësishme dhe të mëdha ndërkombëtare?!”, nënvizon profesor Bytyçi.

Për fund, Bytyçi ngre dyshime mbi ‘faturat’ që shtetet e Ballkanit duhet t’i paguajnë ndaj Soros.

“Ka nga ata që thonë se Soros financon këto lëvizje dhe veprimtari. Sa miliarderë mund të financonin samite të tilla, por nuk e bëjnë këtë?! Ndërkohë lind pyetja pse Soros financon në veprimtari politike e diplomatike të tilla? Cili është përfitimi që ai do të ketë nga këto financime?! Dhe cila është fatura që do ta paguajnë vendet e Ballkanit? Mua më intereson fatura që do paguajë Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut, e cila është gjithashtu edhe shtet i shqiptarëve! Pa Serbia e të tjerët le të paguajnë sa e çfarë të duan”, përfundon për “Bota sot”, profesor, doktor Enver Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat