Kosova 16 vjet shtet, sfidat dhe arritjet më të mëdha

Politika

Kosova 16 vjet shtet, sfidat dhe arritjet më të mëdha

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 17 shkurt 2024 Në ora: 20:28
Foto ilustrim

17 shkurti 2024 shënon ditën kur shteti i Kosovës mbush 16 vjet prej kur është shpallur i pavarur, ku deri më tani Kosovën e kanë njohur 117 shtete. Vendi i fundit që e njohu Kosovën është Izraeli.

Gjatë këtyre 16 viteve, Kosova është përballur me shumë sfida, por sfida me e madhe mbetet përballja me Serbinë fashiste, e cila edhe sot e kësaj dite e kërcënon Kosovën me luftë e destabilitet.

E sipas analistëve dhe njohëseve të çështjeve politike, 17 shkurti shënon datën më të rëndësishme për Kosovën dhe përmbylljen e sakrificës së popullit shqiptar të Kosovës për liri e pavarësi.

Sakrifica e popullit shqiptar

Image
Haki Latifi

“17 shkurti është festë e veçantë dhe kurorëzim i të gjitha përpjekjeve ndër breza të popullit tonë. Kosova 16 vjet shtet- është vlerë historike për të gjithë qytetarët e Kosovës. Është fat, nder dhe kënaqësi për brezin tonë që kemi pasur rastin historik të punojmë dhe të jemi aktorë të shpalljes së pavarësisë. Shpallja e pavarësisë në vetvete ngërthen shumë emocione, sidomos për ata që kanë kontribuar për këtë moment të paharrueshëm. 17 shkurtin e kujtoj si datën më të rëndësishme të historisë së Kosovës, e cila shënon një nga datat më të rëndësishme të historisë së Kosovës dhe përmbyll sakrificën e popullit shqiptar të Kosovës për liri e pavarësi”, thotë analisti Haki Latifi.

Sipas tij, nuk duhet te harrohet kurrë gjaku dhe sakrifica e të gjithë atyre që dhanë gjakun për lirinë e Kosovës.

“Kjo datë rrjedhë si kontribut i gjeneratave të tëra, të cilat kërkesë të vetme e kishin pavarësinë e Kosovës dhe çlirimin e saj prej Serbisë. Nuk duhet harruar gjakun e baballarëve, nënave, vëllezërve dhe motrave që u vranë, masakruan dhe terrorizuan nga ushtria dhe policia serbe në masakrën e Izbicës, Rezallës, Reçakut, Lybeniqit, Qyshkut, Studimes, Pastaselit, Krushës së Madhe, Burgun e Dubravës, dhe mijëra martirëve të tjerë. Nuk duhet harruar mërgata jonë gjithandej globit, të cilët u dërgonin të mira materiale familjeve të tyre në Kosovë, duke i mbajtur gjallë të afërmit e tyre, duke e përjetuar dhe ndarë çdo moment të përcjellur herë me lotë gëzimi e shumë herë me lotë dhimbjeje e trishtimit”.

Latifi thotë se sfida më e madhe për Kosovën është ajo e konsolidimit ushtarak përballë kërcënimeve serbe.

“Megjithatë, Kosova në këtë periudhe 16 vjeçare është përballur dhe vazhdon të përballet edhe me shumë sfida. Sfida më e madhe është se Kosova ende nuk është e konsoliduar sa i përket aspektit ushtarak, pra ende nuk e ka të kompletuar ushtrinë e saj, ngase ushtria është një nga elementet që garanton sigurinë dhe sovranitetin e këtij shteti. Pos kësaj, ambicia natyrale e Kosovës është të bëhet pjesë e NATO-s dhe kështu të realizohet ëndrra shekullore e shqiptarëve”, deklaron Latifi.

“Natyrisht se, si çdo qytetar edhe unë, do të doja që Kosova ta ketë një qeveri të përgjegjshme dhe të vetëdijshme për përgjegjësinë historike që ka karshi procesit të dialogut dhe sfidave me të cilat është duke u ballafaquar populli ynë. Uroj që kjo qeveri të këndellët sa më shpejt që të jetë e mundur dhe t’i kryejë detyrat e veta për çfarë ka marrë besimin e qytetarëve. E them me keqardhje për këto tre vjet, absolutisht kjo qeveri bie ndesh me të gjitha interesat dhe përcaktimet e popullit dhe kauzës sonë shtetërore”, shton Latifi.

Ai shprehet se institucionet e Republikës së Kosovës duhet t’i marrin seriozisht dhe me shqetësim deklarimet e Ndihmës-sekretarit Amerikan të Shtetit, James O’Brien.

“Marrëdhëniet e Kosovës me SHBA-në janë ekzistenciale. Kush nuk e kupton këtë nuk e meriton të jetë në krye të institucioneve. Bartësit e institucioneve të vendit e kanë për obligim të mirëmbajnë këto marrëdhënie të pacenueshme. Moskoordinimi i Qeverisë së Kosovës me aleatët, sidomos me SHBA-të po dëshmojnë mungesë bashkërendimi të veprimeve të Qeverisë Kurti, ku mundë të kenë pasoja për Kosovën. Për fat të keq kjo qasje e Qeverisë Kurti nuk i shërben integrimit euro-atlantik të Kosovës”, deklaron Haki Latifi.

Ai thotë se në prag të përvjetorit të Pavarësisë së Kosovës, sfidë në vete përbën mosnjohja nga pesë shtete anëtare të BE-së.

“Ky fakt ndikon direkt në stabilitetin e vendit dhe në perspektivën e qytetarëve të Kosovës. Një pjesë të madhe të përgjegjësisë e mbajnë edhe institucionet e Republikës së Kosovës, sidomos Ministria e Punëve të Jashtme, ambasadat, Konsulat dhe shërbimi diplomatik në përgjithësi. Për shkak se Qeveria e Kosovës në shumicën e rasteve ka akrdituar në diolomaci kuadra politik e shumë pak profesionistë dhe diplomatë të karrierës. Ky fakt ka ndikuar drejtpërdrejtë në stagnimin e njohjeve ndërkombëtare të shtetit të Kosovës, mungesën e bashkëpunimit ndërkombëtar e në veçanti dështimin e diplomacisë ekonomike dhe mungesën e investimeve e të huaja”.

“Pra, Kosova duhet të thelloj edhe më shumë bashkëpunimin me SHBA-në dhe BE dhe faktorë tjerë relevant në interes të rritjes së efikasitetit dhe shtimin e numrit tė njohjeve ndërkombëtare. Sfidë tjetër do të përmendja edhe aspektin e integrimit në organizata të ndryshme ndërkombëtare për Kosovën. Në këtë përvjetor, sfidë tjetër për Kosovën mbetet gjetja e 1600 trupave të pagjetur të personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë. Kurse sfida e radhës vazhdon të mbetët Asociacioni i Komunave me Shumicë serbe, ku që nga viti 2013 vazhdon të jetë temë debati në Kosovë, Serbi dhe në mesin e pranisë ndërkombëtare e ndërlidhet ngushtë me dialogun Kosovë-Serbi”, thekson Latifi.

Por pse po i mungon Kosovës anëtarësimi në organizata ndërkombëtare?

“Anëtarësimi i Kosovës në disa organizata ndërkombëtare është sfidë për shkak të mungesës e lobingut, fushatës së vazhdueshme të qeverisë serbe kundër Kosovës, si dhe kërcënimi nga përdorimi i veto-s nga disa shtete që nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës. Njëkohësisht, sfidat mund të jenë më të “lehta” që lidhet me organizata tjera ndërkombëtare, që nuk janë edhe shumë të vështira për t`u arritur, por që duhet një plan konkret i politikës së jashtme apo të hartohet një strategji kombëtare që do të planifikonte hapat konkret që duhet ndërmarrë, se në cilat organizata duhet të fillohet së pari të aplikohet dhe të anëtarësohet Kosova, siç janë p.sh. me UNESCO-n dhe Këshillin e Evropës”.

“Pra, pavarësia e Kosovës rrjedh mbi sakrificën e brezave të tërë dhe rëndësia e saj historike është e jashtëzakonshme, sepse është e vulosur me gjakun e heronjve, dëshmorëve dhe martirëve të kombit. Ata janë rojet e institucioneve të shtetit të Kosovës, janë emblema më e rëndësishme dhe më meritore për lirinë, demokracinë dhe pavarësinë e Kosovës. Prandaj, platformat kombëtare janë mbi platformat ideologjike e politike, sepse i pari është institucioni, shteti, për shkak se këto institucione, liria dhe pavarësia janë fituar me shumë mundime e sakrificë. Është obligim kombëtar, moral dhe njerëzor që primare ta kemi ruajtjen, konsolidimin dhe avancimin e institucioneve dhe shtetin e Kosovës.
Prandaj, ky 16 vjetor shënon pika të rëndësishme të zhvillimit, por njëkohësisht edhe sfida si çdo shtet tjetër që ka pasur ose i ka për të ardhme”, përfundon për “Bota sot”, analisti Haki Latifi.

Pasojat nga Thaçi

Image
Faton Mehmeti

Kurse, analisti Faton Mehmeti nënvizon se fajtor për stagnimin e Kosovës është qeverisja nga Hashim Thaçi.

“Për 16 vjet Kosova sigurisht ka bërë hapa para dhe hapa pas, në veçanti hapat mbrapsht janë bërë gjatë qeverisjes Thaçi 1 dhe Thaçi 2. Arsimi, ekonomia dhe shëndetësia jo që nuk u zhvilluan, por u punua aq keq sa pasojat po ndihen edhe sot e do të ndjehen edhe më tutje”, deklaron Mehmeti.

Ai thotë se rikthimi i sovranitetin në veri të Kosovës, është arritja më e madhe e qeverisë Kurti.

“Faktikisht në këto sektorë gjendje ende nuk është e mirë, duke u cilësuar ai dështimet më të mëdha, pra arsimi dhe shëndetësia. Derisa të arritura e që kanë ndodhur viteve të fundit do thoja shtrirja e sovranitetit në veri, luftimi i bandave dhe krimineleve atje. Po ashtu duhet theksuar si të arritur edhe liberalizimi i vizave, rritja pagave në sektorin publik si dhe formimi i Ushtrisë; forcimi i saj me armatim modern”.

“Kështu që, ish krahu i luftës ka sjellur dështimet e cekura, pas largimit të tyre shteti frymon lirshëm dhe po ecën tutje, ndonëse pasojat e keqqeverisjes së tyre po ndjehen dhe do të ndjehen për shumë kohë”, përfundon Faton Mehmeti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat