Me gjak në fytyrë shqiptari i shkon policisë dhe u thotë: Shpëtova nga banda e frikshme - Bota Sot
Me gjak në fytyrë shqiptari i shkon policisë dhe u thotë: Shpëtova nga banda e frikshme

Shqipëria

Me gjak në fytyrë shqiptari i shkon policisë dhe u thotë: Shpëtova nga banda e frikshme

Më: 29 dhjetor 2018 Në ora: 18:52
Foto ilustrim

Pasditen e të premtes, më datë 28 dhjetor 2018, rreth orës 16:00, shtetasi Aurel G. është marrë peng për llogari të një grupi kriminal shumë të njohur në Elbasan.

Nga Artan Hoxha

Ngjarja ka ndodhur në një nga rrugët më të populluara të qytetit, pranë Universitetit "Aleksander Xhuvani". Shtetasi me inicialet Bexhet M. në mirëbesim, për shkak të njohjes së mëparshme ka hipur në automjetin e viktimës, Aurel G. dhe janë drejtuar fillimisht drejt qendrës së qytetit dhe më pas kanë marrë drejtimin për te Universiteti "Aleksander Xhuvani".

Sapo kanë arritur aty, papritur Bexhet M. nxjerr pistoletën dhe ia vendos në koke drejtuesit të mjetit Aurel G. duke i thënë se nëse nuk do të ndiqte urdhrat e tij, ai do t’a vriste. Rrëmbyesi i ka dhënë viktimës një shirit plastik që Forcat Speciale zakonisht e përdorin në vend të prangave dhe i ka kërkuar që të lidh duart me të, në të kundërt do t’a qëllonte. Në atë moment, rrëmbyesi i ka thënë viktimës se ishte i detyruar t’a çonte atë pranë një objekti shumë të njohur në Elbasan, i cili njihet si pronë dhe bazë qëndrimi e grupit kriminal më të fuqishëm në qytet. Ndërsa ka qenë nën presionin e armës, viktima ka nuhatur rrezikun që i kanosej nëse përfundonte si peng për llogari të grupit kriminal, dhe ka tentuar t’i arratiset rrëmbyesit. Autori për shkak të faktit se kishte dëshmitarë në vendngjarje që mund t’a identifikonin nuk ka qëlluar me armë, por e ka goditur fort viktimën me qytën e pistoletës në kokë duke synuar t’a neutralizonte. Pavarësisht goditjes së rëndë që ka pësuar në kokë, Aurel G, ka dalë nga autovetura dhe i mbuluar me gjak në fytyrë ka vrapuar në drejtim të një patrulle policie që ndodhej rastësisht në rrugë për të shpëtuar nga duart e rrëmbyesit. Në këto rrethana pasi ka parë patrullën e policisë, e përbërë nga dy efektivë, një prej tyre police femër dhe pamundësinë për t’a kapur sërish Aurelin, autori i krimit Bexhet M. është larguar nga vendngjarja me shpejtësi duke marrë mjetin e viktimës. Automjeti i Aurel G. është gjetur disa orë pas ngjarjes nga vëllai i tij, i braktisur në një nga rrugicat e periferisë së qytetit pasi i ishte ndërruar targa e parë. I tmerruar nga ajo që i kishte ndodhur dhe i trembur se mund t’i rrezikohej sërish jeta, Aurel G. është paraqitur i plagosur dhe i gjakosur në komisariatin e Elbasanit për të kërkuar mbrojtje nga policia dhe për të kallëzuar pengmarrjen.

Sipas informacionit të marrë nga policia e Elbasanit thuhet se: "Aurel G. ka denoncuar se është marrë peng dhe më pas është plagosur me qytën e pistoletës nga shtetasi Bexhet M. me të cilin kishte njohje prej 10 vitesh. Autori i ka thënë viktimës se ishte detyruar t’a bënte këtë gjë për llogari të një grupi kriminal shumë të njohur në Elbasan. Bexhet M. ka tentuar t’a dorëzojë pengun të lidhur me pranga tek vendqendrimi i këtij klani të njohur për llogari të drejtuesit të tij. Autori i ka deklaruar viktimës se ishte detyruar të merrte përsipër edhe ekzekutimin e një personazhi tjetër të njohur ne qytetin e Elbasanit, me inicialet K.M.". 

Oficerët e policisë që kanë kontaktuar fillimisht me viktimën, sapo kanë marrë vesh se kush fshihej pas kësaj pengmarrje kanë hezituar t’a marrin kallëzimin. Por kur kanë hasur në këmbënguljen e viktimës nuk kanë patur rrugë tjetër veçse të marrin deklarimet e tij. Por në vend që viktimës t’i ofrohej mbrojtje nga Policia, atij i është dhënë një vërtetim në të cilin duhej të paraqitej te mjeku ligjor për të ekzaminuar nivelin e dëmtimit që kishte pësuar nga goditja me qytën e pistoletës në kokë.

Viktima edhe pse ka dorëzuar në Polici, në cilësinë e provës materiale dhe telefonin celular, është kërcënuar që të tërhiqte denoncimin pasi në të kundërt ai dhe familja e tij do kishin pasoja tepër të rënda. Kërcënimi i është bërë duke i dërguar fjalë pranë familjes së tij me persona të tretë për të heshtur dhe tërhequr kallëzimin.

Disa orë pas ngjarjes, vëllai i viktimës ka dorëzuar në Polici mjetin e Aurel G. me të cilin autori ishte larguar nga vendngjarja dhe më pas e kishte braktisur. Policia e Elbasanit edhe pse ka marrë kallëzimin, ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale mjetin e viktimës dhe celularin e tij, nuk ka bërë asnjë tentativë për të arrestuar autorin apo shoqëruar personat për llogari të të cilëve ishte porositur kjo pengmarrje. Policia lokale vetëm ka shpallur në kërkim Bexhet M. por nuk ka patur asnjë kontroll të banesave të tyre apo të vendit ku pretendohet se do të dorëzohej pengu. Për më tepër, viktima nuk është marrë në mbrojtje të menjëhershme nga policia lokale, duke iu lënë dorë të lirë autorëve t’a kërcënojnë me jetë atë dhe familjen e tij. 

Ky është rasti i radhës, duke filluar nga pranvera e këtij viti, kur në qytetin e Elbasanit, kanë ndodhur një seri rrëmbimesh dhe pengmarrjesh të qytetarëve të ndryshëm, kur janë djegur me zjarr apo lëndë eksplozive banesa, biznese private apo automjete të personave që dyshohen si lidhje e kundërshtarëve. Të gjitha këto veprime janë kryer nga një klan i njohur kriminal që bën ligjin në Elbasan prej afro dy dekadash dhe autorët jo vetëm që nuk janë arrestuar në asnjë rast, por hetimet janë pezulluar ose arkivuar për mungesë provash dhe autorësh. Sëpaku deri tani, personat e marrë peng, pasi janë rrahur dhe torturuar janë lënë sërish të lirë me "porosinë dashamirëse" që të mos flasin, ndryshe nga në Vlore apo në Shkodër ku kufomat e të rrëmbyerve nuk janë gjetur më.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...