Gjykata e Krimeve të Rënda drejt transformimit

Shqipëria

Gjykata e Krimeve të Rënda drejt transformimit

Më: 5 janar 2019 Në ora: 17:20
Gjykata e Krimeve të Rënda

Pas ngritjes së Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor, institucionet e reja që pritet të ngrihen janë edhe Gjykata Antikorrupsion dhe Prokuroria e Posaçme. Gjyqtarët aktualë të Krimeve të Rënda kanë afat deri ne 12 shkurt për të dhënë pëlqimin nëse duhet të kalojnë apo jo në Gjykatën e Posaçme.

Pas vendimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor, Gjykata e Krimeve të Rënda ka nisur procesin e transformimit në Gjykatën Antikorrupsion.

Sipas Kushtetutës, Gjykata e re duhet të konstituohet dy muaj nga ngritja e Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Në dispozitat kalimtare është parashikuar se fillimisht në këtë gjykatë do të kalojnë gjyqtarët aktualë të Krimeve të Rënda, të cilët kanë afat deri në 12 shkurt për të dhënë pëlqimin e tyre për të kaluar në gjyqtarë në SPAK.

Nëse pranojnë, ata marrin një emërim provizor për këtë gjykatë deri në formimin e gjykatës së re.

Por dhënia e pëlqimit nga ana e këtyre gjyqtarëve do të thotë se ata dhe familjarët e tyre do të jenë në një regjim të rreptë kontrolli dhe mbikqyrjeje, që nga rishikimi periodik i llogarive të tyre financiare dhe deri te kontrolli i komunikimeve vetjake.

Pra ata duhet të nënshkruajnë një deklarate, sipas të cilës ata dhe anëtarë të afërt të familjes së tyre pranojnë kushtet për të qenë nën mbikqyrje.

Pas këtij momenti, në këtë gjykatë do të shqyrtohen vetëm dosjet e krimit të organizuar e të korrupsionit, ndërsa dosjet e tjera përfshi trafiqet apo vrasjet, do ti kalojnë gjykatave të rretheve.

Por pavarësisht kësaj procedure, Gjykata Antikorrupsion nuk mund të funksionojë si e tillë pa u ngritur dhe konstituar edhe Prokuroria e Posaçme, SPAK.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat