Balili në gjykatë/ ‘Escobari’ i qetë dhe i buzëqeshur, batutat në sallë

Shqipëria

Balili në gjykatë/ ‘Escobari’ i qetë dhe i buzëqeshur, batutat në sallë

Më: 18 janar 2019 Në ora: 09:18
Klement Balili

I shoqëruar nga forca të shumta policie, Klement Balili në orën 14:00 hyri në ambientet e Gjykatës për Krime të Rënda, për t’u njohur me masën e sigurisë “Arrest në burg” pa afat.

Për më shumë se dy vite, i ashtuquajturi si “Eskobari i Ballkanit”, kishte arritur t’i shmangej kafazit të xhamtë të Krimeve të Rënda, ndërsa Prokuroria kryente hetime për të. Gjatë seancës së djeshme ai u dukej i qetë dhe ndërsa priste shqyrtimin e kërkesës së Prokurorisë, në fytyrë ishte i buzëqeshur.

Seanca ku u bë vlerësimi i masës së sigurisë u zhvillua pjesërisht e hapur, kjo pasi prokurori i çështjes kërkoi nga Gjykata që të zhvillohej me dyer të mbyllura për shkak të sekretit hetimor dhe se ende nuk është zhvilluar seanca paraprake. Kjo e fundit pritet të mbahet brenda 8 ditësh, nga dorëzimi i kërkesës për gjykim, ku gjyqtarja Miliana Muça do të vendosë nëse çështja kalon në gjykim apo ka ende nevojë për hetime të mëtejshme.

Në një kohë që në ambientet e brendshme të Gjykatës së Krimeve të Rënda vlerësohej masa e sigurisë për Balilin, familjarë të shumtë të tij prisnin vendimin jashtë ambienteve të saj. Kujtojmë se edhe gjatë ditës së mërkurë, ai është vizituar prej tyre në ambientet e Drejtorisë së Policisë Tiranë, nga ku u largua dje rreth orës 13:30 për të marrë pjesë në seancën e djeshme.

SEANCA

Në seancën e zhvilluar me dyer të mbyllura, prokurori Eneid Nakuçi kërkoi lënien në fuqi të “Arrestit në burg”, ndërsa akuzoi Klement Balilin për trafikimin e rreth 670 kilogramëve kanabis sativa drejt një ishulli grek. Prokuroria e bazon akuzën e saj në disa përgjime të vëna në dispozicion nga autoritetet greke, ku personi i identifikuar me emrin Keli dyshohet se është Klement Balili dhe në përgjime rezulton se ai udhëzon dy skafistët se ku duhet të merrnin dhe çonin lëndën narkotike.

Më tej, personi me emrin Keli ka kontaktuar edhe me shtetasin grek, i cili do të priste mallin në Greqi. Ndërkohë, burime thonë se prokurori i ka paraqitur gjykatës edhe prova të tjera të administruara së fundmi, ku janë edhe disa dëshmi. Nga ana tjetër, avokatët mbrojtës të Balilit kanë rrëzuar pretendimet e akuzës, duke thënë se ky person me emrin Keli nuk është klienti i tyre.

Ata kanë kërkuar zëvendësimin e masës së sigurisë “Arrest në burg” me një masë më të lehtë, me argumentin se nuk ka prova që mbështesin akuzat e ngritura nga Prokuroria, por edhe me faktin se Balili është vetëdorëzuar dhe nuk ka asnjë arsye për t’iu shmangur drejtësisë. Por në fund, gjyqtarja Miliana Muça i vlerësoi pretendimet e mbrojtjes si të pabazuara në ligj dhe tha se ekzistojnë kushtet që i dyshuari të qëndrojë në masën e sigurisë “Arrest në burg”, duke komunikuar kështu lënien në fuqi të vendimit.

“Ekzistojnë kushtet dhe kriteret për caktimin e një mase sigurie, si ajo e ‘Arrestit në burg’. Kërkesat e revokimit të masës së sigurisë apo zëvendësimit të saj janë të pabazuara në ligj”, u shpreh gjyqtarja e seancës.

Ndërkohë, gjatë leximit të dispozitivit të vendimit, Klement Balili ishte në këmbë dhe i qetë, ndërsa mësohet se ai ka mohuar çdo gjë, duke u shprehur se nuk ka kryer asnjë vepër penale. Pas seancës ai është dërguar në qelitë e paraburgimit në Tiranë, ku do të presë seancën e radhës e që do të vendoset për dosjen.

Pergjigja

Ndërkohë që pritej shpallja e vendimit, gazetarët kanë shkëmbyer batuta me avokatët dhe vetë Balilin. Ky i fundit, ndër të tjera u pyet nga gazetarja Klodiana Lala, në lidhje me videot e shumëpërfolura në media të politikanëve. I pyetur nëse kishte prova komprometuese për politikanët, siç ka deklaruar ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, Klement Balili deklaroi se nuk disponon asnjë material të tillë.

VETËDORËZIMI

Klement Balili u dorëzua te numri një i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, para një godine të vjetër që ndodhet mes Delvinës dhe Finiqit në mëngjesin e 15 janarit. Pikërisht në atë vend, Balili zbriti nga automjeti “Mercedez ML”, me të cilin kishte udhëtuar deri në pikën e takimit dhe hipi në makinën “Range Rover” të Ardi Veliut. Nga aty u nisën drejt Tiranës, duke bërë ndalesën e parë në Komisariatin më të ri të kryeqytetit, atë Nr.6, që u inaugurua para pak ditësh.

“Peshku i madh”, Klement Balili, është i arrestuari i parë VIP që hyri i shoqëruar në ambientet e rikonstruktuara të Komisariatit në Kombinat. E që aty, pas procedurave standarde u transportua drejt Drejtorisë së Policisë së Tiranës dhe qëndroi aty deri dje, kur edhe doli për herë të parë para Gjykatës së Krimeve të Rënda. Prej afro dy vitesh, Policia e Shtetit kishte realizuar disa operacione për arrestimin e Klement Balilit dhe të gjitha kishin dështuar. Mediat dinë vetëm disa nga këto operacione, si ato që realizoheshin në fshatrat e Delvinës, por edhe në Shkodër.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat