Pamje mahnitëse nga avionët luftarakë mbi Tiranë, NATO: Shenjë nderimi për kontributin e Shqipërisë

Shqipëria

Pamje mahnitëse nga avionët luftarakë mbi Tiranë, NATO: Shenjë nderimi për kontributin e Shqipërisë

Më: 10 shkurt 2019 Në ora: 16:08
Pamje nga videoja

Mbi qiellin e Tiranës, në një distancë të ulët rreth 700 metra nga toka, fluturuan për herë të parë 5 avionë luftarakë të NATO-s, në shenjë nderimi dhe mbështetjeje për kontributin e Shqipërisë në NATO.

Ambasada e SHBA-ve në Tiranë ka shpërndarë videon e publikuar nga NATO, ku rreth dy javë më parë fluturuan për herë të parë mbi qiellin shqiptar avionët luftarakë “Eurofighter” dhe F-16, në kuadër edhe të zyrtarizimit të nisjes së investimit të NATO-së për riaktivizimin e bazës ajrore të Kuçovës.

Tre avionët F-16 ishin nisur nga Greqia, ndërsa dy avionë “Eurofighters Typhoon” nga Italia.

Nga kabinat e pilotimit të një prej avionëve Eurofighter të Aeronautikës Ushtarake Italiane pjesë e NATO. shfaqen pamjet mahnitëse të kryeqytetit.

“Shihni këtë fluturim të mahnitshëm mbi Tiranë, parë nga kabina e pilotit të njërit prej avionëve të Aeronautikës Ushtarake Italiane. Avionët e NATO-s fluturuan në qiellin shqiptar në shenjë nderimi dhe mbështetjeje për kontributin e Shqipërisë në NATO”, thekson  Ambasada Amerikane duke shpërndarë videon e NATO-s.

Fluturimi i avionëve u organizua në kuadër të vizitës së Komandantit të Forcave Ajrore Amerikane në Europë, gjeneralit Tod Wolters në Tiranë, ku ndër të tjera deklaroi se “Baza e Kuçovës përfaqëson mundësi të mëdha inovacioni, mundësi të mëdha përmirësimi të kontrollit të një hapësire sa më të madhe. Është një bazë që do ketë mundësinë të presë avionët luftarakë që kontrollojnë hapësirën”.

Për Gjeneralin e NATO-s, Kuçova “përfaqëson mundësi të mëdha inovacioni, mundësi të mëdha përmirësimi të kontrollit të një hapësire sa më të madhe. Është një bazë që do ketë mundësinë të presë avionët luftarakë që kontrollojnë hapësirën”.

Ndërkaq kanali televiziv i NATO-s, I kushtoi një kronikë kësaj baze ajrore, një projekt ky sa ambicioz, aq edhe i rëndësishëm jo vetëm për sigurinë tonë kombëtare, por mbi të gjitha për sigurinë rajonale.

“Në Shqipëri gjendet një varrezë aeroplanësh MIG. MIG 15, 17 dhe 19 nuk përdoren më. Aeroplanët i përkasin kohës së regjimit komunist dhe vendndodhja e tyre është baza ajrore e Kuçovës. Në Kuçovë ka pasur gjithnjë e më pak aktivitet me kalimin e viteve. NATO ka rënë dakord të investojë 51 milionë euro për të modernizuar Kuçovën”, thuhet në kronikën e kanalit televiziv të NATO-s. /ATSH

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat