Delegacioni i PE-së në Tiranë më 27 shkurt, do vlerësojë reformat e integrimit

Shqipëria

Delegacioni i PE-së në Tiranë më 27 shkurt, do vlerësojë reformat e integrimit

Më: 25 shkurt 2019 Në ora: 16:29
Parlamenti Evropian

“2019 është një vit thelbësor që do të formësojë të ardhmen afatgjatë të Shqipërisë”, ka deklaruar eurodeputeti Tunne Kelam, që kryeson delegacionin e eurodeputetëve prej shtatë anëtarësh që do vijë në Tiranë bashkë me raportuesin për Shqipërinë në Parlamentin Evropian PE, Knut Fleckenstein.

Në përbërje të delegacionit do të jetë edhe raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Evropian PE, Knut Fleckenstein, i cili shprehet se do të jetë në Tiranë më 27 shkurt, me një delegacion të punëve të jashtme këtë javë nga data 27.02-01.03, për të bërë një vlerësim të reformave në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut dhe për të diskutuar zhvillimet më të fundit.

Po ashtu, nëpërmjet një njoftim për shtyp të Parlamentit Europian, thuhet se anëtarët e Parlamentit Europian do të vlerësojnë aspiratat e pranimit në BE të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

“Një delegacion i eurodeputetëve do të shkojë në Tiranë dhe Shkup për të vlerësuar reformat drejt BE-së dhe gatishmërinë e vendeve për bisedimet e mundshme të pranimit. Anëtarët e Komitetit të PE për Punë të Jashtme do të vlerësojnë progresin e bërë në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut lidhur me zbatimin e reformave të nevojshme për të hyrë në BE, ndërkohë që ka mbetur më pak se katër muaj për të vlerësuar gatishmërinë e tyre për të hapur negociatat e pranimit në BE”, thuhet në deklaratë.

Gjithashtu, bëhet e ditur se “Delegacioni i përbërë nga shtatë anëtarë të parlamentit kryesohet nga  Tunne Kelam. Delegacioni do të takohet me lidershipin politik, përfaqësuesit e opozitës dhe shoqërinë civile në të dy vendet nga 27 shkurti deri më 1 mars.

“Vizita e ardhshme do të përqendrohet në çështjet e theksuara në rezolutat e PE mbi Ballkanin Perëndimor të miratuara në nëntor 2018, së bashku me zhvillimet aktuale në Shqipëri dhe zbatimin e Marrëveshjes së Prespës në Maqedoninë e Veriut. Anëtarët gjithashtu do të vizitojnë një projekt të financuar nga BE për të parë se si funksionojnë në praktikë financimet e veprave përpara anëtarësimit”, thuhet në deklaratën e PE-së.

Në prag të vizitës, Kelam thekson se: “2019 është një vit thelbësor që do të formësojë të ardhmen afatgjatë të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Ne e mirëpresim progresin e bërë deri më tani dhe i nxisim fuqishëm të gjitha forcat politike që të punojnë së bashku për të zbatuar reformat e nevojshme pa vonesë. Nuk ka kohë për të humbur përpara mbledhjes së Këshillit të qershorit në Bruksel, ku do të merren vendime për gatishmërinë e vendeve për të hapur negociatat e pranimit “.

Duke komentuar dorëzimin e mandateve nga Parlamenti të deputetëve të opozitës dhe protestat në Shqipëri, ai shtoi: “Ne dënojmë me forcë të gjithë retorikën politike që nxit dhunën dhe i bëjmë thirrje opozitës që të rifutet në procesin demokratik parlamentar. Qeveria dhe opozita duhet urgjentisht për ta qetësuar situatën përmes angazhimit konstruktiv”.

Në qershor 2019, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut shpresojnë të marrin dritën jeshile nga BE lidhur me hapjen e negociatave të anëtarësimit.

Delegacioni do të japë dy konferenca për shtyp, një në Tiranë në 28 shkurt dhe një tjetër në Shkup në 1 Mars. /ATSH

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat