Opozita e re, Gjylameti: Qytetarët kanë votuar listën e subjektit dhe jo kryetarin

Shqipëria

Opozita e re, Gjylameti: Qytetarët kanë votuar listën e subjektit dhe jo kryetarin

Më: 6 mars 2019 Në ora: 15:22
Blerina Gjylameti

“Qytetarët shqiptarë kanë votuar subjektin politik bashkë me listën e plotë dhe jo kryetarin dhe renditjen në këtë listë”, deklaroi sot deputetja e Partisë Socialiste, Blerina Gjylameti, duke komentuar betimin në Kuvend dje të 4 deputetëve të opozitës.

E ftuar në një studio televizive, deputetja e Partisë Socialiste Blerina Gjylameti foli për situatën politike në vend dhe djegien e mandateve nga opozita.

“Disa prej anëtarëve të listës së opozitës kanë pranuar mandatet. Qytetarët shqiptarë kanë votuar subjektin dhe jo individin dhe kryetarin e PD-së. Besoj që dje pati një moment reflektimi nga disa prej anëtarëve. Lista nuk është e ndarë në fitues apo jo, sepse lista hartohet me synimin që të fitohen të gjitha vendet. Ata janë përfaqësues të opozitës dhe qytetarët kanë votuar për listën dhe jo për renditjen”, tha Gjylameti.

Ajo uroi që përfaqësuesit e opozitës të dalin nga rrugëtimi pa krye që tre drejtuesit kanë arritur t’i japin, pasi nuk shqetësohet ndonjë qytetar nëse do të duhet të dalin përballë drejtësisë ata që ndër vite kanë cënuar të drejtat e shqiptarëve”.

“Opozita ka vendosur të ndërpresë kontratën me qytetarët shqiptarë. Ne si mazhorancë e konsoliduar tashmë dolëm nga zgjedhje të lira dhe të ndershme, të certifikuara nga ndërkombëtarët dhe nga opozita”, tha Gjylameti.

Sipas saj, opozita sot kërkon të ndahet pushteti në tavolinë. “Ajo që më shqetëson më shumë janë thirrjet për dhunë përkundrejt institucioneve kushtetuese. Shqipëria e vitit 2019 nuk duhet të jetë kjo që është dhe të kemi akte të tilla që dëmtojnë imazhin e Shqipërisë. Për shkak të një marrëzie dhe një rruge pa krye dëmtohen interesat e shqiptarëve”, tha Gjylameti.

Qytetarët, tha ajo, nuk e duan kaosin dhe dhunën, por duan ekonomi të qëndrueshme,  siguri, investime dhe më shumë cilësi në shërbime. Turizmi, sipas Gjylametit, është një sektor i rëndësishëm në zhvillim dhe këto imazhe dhune vetëm mirë që nuk na bëjnë.

Nuk ka precedent të tillë në botë që të kërkohet pushteti në tavolinë, tha Gjylameti, duke shtuar se “ky është një precedent shumë i rrezikshëm.

Deputetja e PS-së kujtoi se në vitin 2017 opozita ishte në krye të të gjitha institucioneve që kishin të bënin direkt apo indirekt me administrimin e zgjedhjeve.

“Nuk mendoj që vullneti i minorancës duhet t’i mbivendoset vullnetit të mazhorancës. Kurrë nuk mendoj që do të duhet ne të bëjmë hapa pas. Ndërkombëtarët kanë bërë deklarata të qarta për distancim nga dhuna dhe që të gjejmë gjuhën e dialogut dhe të arrihet në një marrëveshje. Përballja bëhet në tempullin e demokracisë. Është tërësisht e paprecedent që opozita ndërpreu kontratën me zgjedhësit e saj”, tha ajo.

Duke folur për Kodin Zgjedhor, Gjylameti tha se “prisja që disa kolegë të opozitës të dilnin jashtë rrethit për t’i thënë ‘jo’ kaosit dhe të miratonim ndryshimet në Kodin Zgjedhor që i japin përgjigje kërkesave të opozitës dhe rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it”.

“Ne jemi të hapur për dialogun, për përmirësimin e Kodit Zgjedhor dhe nuk kemi për të bërë hapa pas për të ndaluar rrugëtimin e drejtësisë që po shpejtohet. Çdo gjë mund të diskutojmë veç demokracisë dhe Kushtetutës”, tha Gjylameti.

Ajo tha se “ne kemi zgjedhje në 30 qershor dhe na takon të jemi të hapur të dialogojmë por jo të negociojmë pushtetin”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat