Turkish Airlines i jep urdhrin e dëbimit, Shenasi Rama: Kanë gisht autoritetet shqiptare

Shqipëria

Turkish Airlines i jep urdhrin e dëbimit, Shenasi Rama: Kanë gisht autoritetet shqiptare

Më: 16 mars 2019 Në ora: 07:28
Shenasi Rama

Profesori i Universitetit të Nju Jorkut, Shenasi Rama, denoncoi se autoritetet e Shqipërisë kanë gisht në ngjarjen që i ka ndodhur dje më 14 mars kur arriti në aeroportin Nënë Tereza të Tiranës dhe ku atje iu treguanë një urdhër deportimi i përcjellë nga kompania Turkish Airlines, për të cilin i thanë më vonë se kishte qenë një keqkuptim.

Shenasi Rama, shtetas amerikan dhe figurë e njohur për opinionin shqiptar, tha se me incidentin në aeroportin e Rinasit, reputacioni i tij ishte dëmtuar, sepse policia shqiptare i kishte kërkuar publikisht të zbriste nga autobusi që po transportonte për në terminal udhëtarët e mbërritur nga Stambolli, pasi sipas autoriteteve, emri i tij ishte në një listë personash që do të deportoheshin.

I pyetur nga Zëri i Amerikës, një zëdhënës i policisë tha se nuk ishte në dijeni.

Sipas zotit Rama, kompania Turkish Airlines i kishte thënë se i gjithë incidenti kishte qenë një gabim njerëzor.

Por në bisedën me Zërin e Amerikës, zoti Rama nguli këmbë se ajo që kishte ndodhur ishte qartazi një përpjekje për ta frikësuar.

Ai tha se mendonte që autoritetet shqiptare kishin gisht në incident, pasi përpara se ta mbanin, duhet ta kishin sqaruar situatën me kompaninë Turkish Airlines, që është kompani shtetërore turke.

Shenasi Rama tha se po përpiqet të kërkojë sqarime nga kompania Turkish Airlines, pasi nuk është e qartë se përse emri i tij gjendej në listën e personave për t’u deportuar.

Prof. Rama, i cili jeton prej shumë vitesh në SHBA, është i njohur si kritik i ashpër i klasës politike në Shqipëri, duke përfshirë krerët e partive poltike kryesore të vendit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat