Majko: Duhet marrëveshje pozitë-opozitë

Shqipëria

Majko: Duhet marrëveshje pozitë-opozitë

Më: 18 mars 2019 Në ora: 14:02
Pandeli Mjako, Edi Rama

Pandeli Majko, Ministri për Diasporën, thotë në një intervistë dhënë disa ditë më parë për median maqedonase “Almakos” se vetëm një marrëveshje mes maxhorancës dhe opozitës do ta zgjidhte situatën politike të krijuar në vend. Majko shprehet se nëse nuk do të ketë një marrëveshje, ai beson se do të jenë ndërkombëtarët që do t’u imponohen palëve për një zgjidhje përfundimtare.

“Padyshim që opozita ka zgjedhur një mënyrë shumë radikale për të krijuar ngjarje që të tërheqin vëmendjen e plotë mbi të. Sa do ia dalë, kjo është një pikëpyetje që rëndon më shumë mbi të se sa mbi maxhorancën. A do të kemi ndërmjetësim? Unë mendoj se po. Do të kemi ndërmjetësim. E mira do të ishte që kjo histori të mbyllej midis palëve. Por tani mendoj se kemi ardhur në një pikë që gjërat po vështirësohen, nuk po lehtësohen. Shqetësimi im është se do të vijnë ndërkombëtarët dhe do na thonë: Do bëni kështu dhe kaq”, – deklaron Majko për median maqedonase.

Majko thotë se nuk do të bëjë ndërmjetësuesin mes palëve, pasi, sipas tij, edhe pozicioni që ka si përfaqësues i qeverisë e bën të jetë në konflikt interesi.

“Jo, jo, nuk do pranoj të jem unë ndërmjetësues mes palëve. Unë kam konflikt interesi sepse jam anëtar i qeverisë. A kam unë marrëdhënie miqësore me kolegët e mi të opozitës? Po, është e vërtetë që kam marrëdhënie mjaft të mira me ta. Unë karrierën politike e kam filluar jo në Partinë Socialiste direkt, por në Lëvizjen Studentore, duke qenë një nga drejtuesit e saj. Më pas, qëndrova i majtë, nisur edhe nga arsye familjare”, – thotë ministri për Diasporën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat