Tahiri humb raundin e parë, karroca me dosje shkon në gjyq

Shqipëria

Tahiri humb raundin e parë, karroca me dosje shkon në gjyq

Më: 27 mars 2019 Në ora: 09:34
Saimir Tahiri

Dosja e prokurorisë kundër tij do të kalojë për gjykim, ndërkaq ish-ministri ka pranuar gjykim të shkurtuar, por kjo do të vendoset në seancën e parë të gjyqit, ku ai tashmë është zyrtarisht një i pandehur.

Erjon Dervishi

53 fashikuj të dosjes kundër ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahirit, janë mbartur drejt sallës së gjyqit me ‘karrocë’. Përveç karrocës së mbushur plot, një punonjëse mbante në duar fashikuj të tjerë. Pjesë e dosjes janë edhe Jaeld Çela, Sokol Bode dhe Gjergj Kohila, ish-zyrtarët e lartë të policisë së Vlorës në kërkim. Pas tetë orëve seancë gjyqësore, Gjykata për Krime të Rënda ka marrë vendim për ish-ministrin e Punëve të Brendshme Saimir Tahiri: Dosja e prokurorisë kundër tij do të kalojë për gjykim.

Seanca

Dje ka përfunduar seanca paraprake për ish-Ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri. Gjykata është tërhequr për vendim ndërsa prokuroria e Krimeve të Rënda kërkon dërgimin e çështjes në gjyq. Prokuroria për Krime të Rënda kërkoi nga gjykata kalimin e çështjes për gjykim, ndërsa mbrojtja e 4 të hetuarve, përfshi edhe Saimir Tahirin kërkuan pushimin e çështjes, pasi nuk ka prova. Në kushtet që pushimi i çështjes nuk u pranua, ish-ministri ka kërkuar gjykim të shkurtuar. Gjykimi i shkurtuar do të thotë se procesi në Gjykatën e Shkallës së Parë për Krime të Rënda do të përfundojë brenda pak seancash. Në seancën e parë të Themelit, ish-ministri do të përsërisë kërkesën për gjykim të shkurtuar dhe gjykata verifikon kërkesën ku pranimi i gjykimit të shkurtuar është vetëm një procedurë. Seanca e ditën së djeshme ka zgjatur tetë orë, që prej orës 09:30 të mëngjesit. Brenda pak ditësh dosja do të hidhet në short për të përcaktuar trupën gjykuese.

Ligji dhe Tahiri

Pranimi i gjykimit të shkurtuar do të thotë se në rast dënimi ai përfiton ulje të dënimit me 1/3 dhe prokuroria dhe avokatët nuk mund të shtojnë prova të reja. Por në këtë rast Saimir Tahiri u kujdes të theksojë se gjykimi i shkurtuar nuk do të thotë se ai ka pranuar fajësinë, por thjesht dëshiron që procesi gjyqësor ndaj tij të jetë i shkurtër dhe të mos zvarritet. Por si është e vërteta? Nëse i referohemi ligjit, i pandehuri i ka “dorëzuar armët”, pra nuk ka fuqi të kundërshtojë asnjë provë që ka dosja. Nga ana tjetër gjykata, e cila shpenzoi 8 orë për ta marrë vendimin, plus kohën deri në seancën e ardhsme, do shkoqisë të gjitha materialet për t’u bindur se nuk ka nevojë për hetim gjyqësor, pra mund të mbyllet procesi në bazë të materialeve që janë në dosjen e akuzës. Gjykimi i shkurtuar hyn në kategorinë e gjykimeve të posaçme, i cili është parashikuar nga nenet 403-406 të KPP-së. Gjykata, kur i pandehuri ka bërë kërkesë që të procedohet me këtë lloj gjykimi, nëse çmon se çështja mund të zgjidhet në gjendjen që janë aktet, vendos gjykimin e shkurtuar. Këtij gjykimi në dallim nga procesi i zakonshëm, i mungon faza e marrjes se provave dhe kërkesat lidhur me pavlefshmërinë e tyre. Në rast se palët kanë pretendime lidhur me pavlefshmërinë e akteve, qofshin pavlefshmëri absolute apo relative dhe kërkojnë konstatimin apo deklarimin e kësaj pavlefshmërie, gjykata duhet të revokoje vendimin për gjykim te shkurtuar dhe të urdhëroje vazhdimin e procedimit me gjykim të zakonshëm. Kur ligji parashikon se gjykata vendos të procedoje me gjykim të shkurtuar në gjendjen që janë aktet, nënkupton se gjykata ka detyrimin që përpara se të marrë vendimin për pranimin e kërkesës, duhet të shqyrtoje me imtësi aktet dhe në qoftë se ajo konstaton paraprakisht pavlefshmëri të tyre dhe e vënë atë përpara pamundësisë për të dhënë një vendim të bazuar, ajo duhet të mos e pranojë që në fillim kërkesën për gjykim të shkurtuar. Në këtë logjikë të ligjit, procesi ndaj Tahirit po shkon me shpejtësi ndaj një vendimi, i cili vështirë se do të jetë pafajësia.

Deklarata e Saimir Tahirit

Në daljen e tij para mediave Saimir Tahiri tha se: “Tani shkojmë në gjykim. Ky është një shans për mua për të treguar atë që kam thënë gjithmonë. Nuk dua të merrem me llojin e akuzës, jam refuzuar gjithmonë të komentoj drejtësinë, prokurorinë apo gjykatën, nuk do ta bëj as tani në respekt të një sistemi në të cilin kam kontribuar edhe unë. Kërkova që gjykimi të mos jetë një histori zvarritje e pafund, prokuroria ka pretendimet e saj unë kam shumë më shumë për të pretenduar se prokuroria, nuk ka nevojë për zgjatje pafundësisht. Saktësoni që unë vazhdoj dhe do vazhdoj deri në fund të argumentoj atë që kam pretenduar që në fillim, që nuk kam pikën e lidhjes me këtë çështje. Atë që verifikoi gjykata italiane, prokurorët pretendojnë që është vendimi i Italisë, mendojnë ndryshe, është çështje e tyre. Drejtësia prandaj është e bukur se nuk bën gjithmonë drejtësi, por në ato pak raste që bën drejtësi, ja vlen. I kërkova prokurorisë të më bëjë akuzë të qartë dhe të saktë, prokuroria ka detyrimin të më tregonte në seancë cilin veprim kam bërë unë që kam shkelur ligjin. Prokuroria nuk u përgjigj pas disa herëve që u interesova unë dhe gjykata. Nga sot e tutje që mbaron hetimi, kam folur vetëm unë, unë nuk kam folur për mënyrën si janë zhvilluar ngjarjet, sot e tutje do të flas edhe unë në gjykatë dhe me publikun, nuk mund të jetë më një proces i mbyllur, ku provat trafikohen nëpërmjet…( e pyesin për kongresin e PS-së) Nuk bëj politikë deri në momentin kur kjo çështje që më hapi politika të mbyllet. Çdo kusur që po përjetoj deri tani do ia dal deri në fund, nuk është dhe aq e kollajtë që të jem ose jo unë kurbani, nuk më shqetëson shumë kjo. Unë jam prapë ministri kampion të jeni të bindur, atë që kam bërë për policinë nuk mund t’i ktheni kurrë mbrapa”,- tha Tahiri para gazetarëve, pasi doli nga seanca maratonë gjyqësore. Treshja e prokurorëve pretendon se Tahiri ka përfituar dhurata nga grupi kriminal Habilaj duke i krijuar atyre lehtësi në trafikun e drogës nga Shqipëria në Itali. Kreu i këtij grupi kriminal, Moisi Habilaj është i arrestuar dhe po i nënshtrohet një procesi gjyqësor në Itali, ndërsa nga prokuroria e Antimafies italiane, e cila është dhe prova më e fortë ndaj ish-ministrit të Brendshëm, nuk faktohet përfshirja e Saimir Tahirit si bashkëpunëtor me grupin e organizuar të trafikut ndërkombëtar të drogës. Akuza të mohuara qysh në krye të herës prej Tahirit. Gjyqtarja Miliana Muça nuk ka lejuar kamerat duke vendosur që seanca të zhvillohet me dyer të mbyllura. Më 28 shkurt, Prokuroria për Krime të Rënda mbylli hetimet dhe çoi dosjen e Saimir Tahirit në Gjykatë me akuzën për “Trafikim të lëndëve narkotike” në kuadër të grupit të strukturuar kriminal “Habilaj” dhe “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë”.

Mbrojtja

Në seancën me dyer të mbyllura pati debat nëse ka prova që e implikojnë ish-Ministrin e Brendshëm apo jo. Nga pretendimet e avokatit të Tahirit Maks Haxhia, ish-Ministrit të Brendshëm, por edhe avokatëve të tre ish-drejtuesve të policisë pretendohet se Prokuroria nuk ka asnjë provë që i fajëson. Ata kërkojnë pushimin e çështjes pasi pretendojnë se nuk ka asnjë provë të vlefshme që çështja të shkojë në gjyq. Në seancën maratonë, si rrallë ndonjëherë nuk është bërë asnjë sekondë pushim. Pesë ditë më parë seanca u shty për shkak se organi i akuzës nuk kishte njoftuar të pandehurit e tjerë. Avokati i Tahirit, Maks Haxhia ka deklaruar se nëse vazhdon shtyrja e seancave do të detyrohet të kërkojë gjykim të shkurtuar.

Del lista me kandidatët për Gjykatën Kushtetuese

Janë 13 gjyqtarë kanë dorëzuar aplikimet për vendin vakant në Gjykatën Kushtetuese: Z. Alban Brati; Znj. Arta Vorpsi; Z. Avni Shehu; Znj. Elsa Toska; Znj. Fiona Papajorgji; Z. Ilir Mustafajl; Znj. Irena Reso; Znj. Kestrin Katro; Z. Klodian Rado; Z. Kostandin Kazanxhi; Znj. Marsida Xhaferllari; Znj. Mimoza Qinami; Znj. Valbona Bala (Pajo). Presidenca informon se pas përfundimit të afatit të aplikimit për “Vendin vakant” gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese, vakancë e plotë kjo që krijohet më datë 25.05.2019, e shpallur me Dekretin nr. 11133, datë 04.03.2019, të Presidentit të Republikës, rezulton se kanë aplikuar këta persona. Presidenca informon se lista me aplikantët e mësipërm, së bashku me dokumentacionin e dorëzuar, përcillen menjëherë pranë Këshillit të Emërimeve në Drejtësi për verifikim dhe vlerësim sipas ligjit.

Shkarkohet drejtuesi i Prokurorisë së Lushnjës

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi të martën shkarkimin e drejtuesit të Prokurorisë së Lushnjes, Çlirim Shahini. Vendimi u shpall nga trupa gjyqësore e kryesuar nga Brunilda Bekteshi, me relatore Xhensila Pine dhe anëtare Suela Zhegu. Hetimi administrative për kreun e Prokurorisë së Lushnjes u krye mbi kriterin e pasurisë dhe atë të pastërtisë së figurës. Sipas KPK-së, prokurori Shahini kishte probleme me justifikimin e burimeve për ndërtimin e një shtëpie dy-katesh në Sarandë si dhe mos deklarimin e një huaje prej 2.7 milionë lekësh, që subjekti kishte marrë nga ndërtuesi i vilës. Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar e konsideruar Shahinin të papërshtatshëm për vazhdimin e detyrës. Sipas të dhënave të bëra publike në seancën dëgjimore, kreu i Prokurorisë së Lushnjes kishte përdorur automjetin e një personi të dënuar për “dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit në Shqipëri dhe “trafik droge” në Greqi. Gjatë seancës dëgjimore, Shahini pretendoi se të ardhurat e tij ishin të ligjshme dhe se huanë e marrë ndaj ndërtuesit e kishte shlyer deri në vitin 2016. Ai i kërkoi Komisionit një hetim më të thelluar për kriterin e pastërtisë së figurës, duke pretenduar se raporti i Shërbimit Informativ ishte keqdashës kundrejt tij.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat