Hahn: Në maj rekomandojmë hapjen e negociatave me Shqipërinë

Shqipëria

Hahn: Në maj rekomandojmë hapjen e negociatave me Shqipërinë

Më: 2 prill 2019 Në ora: 16:01
Ilustrim

Komisioni Europian do të rekomandojë hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Komisioneri për Zgjerimin në BE, Johannes Hahn duke raportuar sot në Komisionin për Punët e Jashtme të Parlamentit Europian, u shpreh se në fund të majit do të paraqesim progresin tonë vjetor për vendet në rajon dhe Turqinë.

“Pres që në bazë të asaj që kemi parë, të bëjmë një rekomandim për Maqedoninë e Veriut dhe për Shqipërinë, të cilat duhet të futen në fazën përgatitore për negociatat e integrimit”, tha Hahn.

“Mendoj që çdo masë që ndikon politikën e jashtme të BE dhe çdo hap drejt zgjerimit kërkon votë unanime nga të gjitha vendet anëtare. Dhe për secilin nivel individual të procedurave të integrimit ka kritere, standarde, detyrime që duhen përmbushur nga partnerët tanë, dhe këto janë kushtet që kërkojnë miratimin unanim të vendeve anëtare”, tha Hahn.

“Jam shumë i bindur që nëse partnerët tanë i përmbushin kriteret në mënyrë të kënaqshme, kritere që kanë të bëjnë me kredibilitetin atëherë ne na mbetet barra të bëjmë detyrën tonë. Pra nëse partnerët tanë i përmbushin kriteret për fillimin e negociatave të anëtarësimit, sigurisht ne duhet të reagojmë në mënyrë pozitive”, u shpreh Hahn.

“Përveç faktit që ka disa njerëz që shqetësohen që shtetet mund të futen brenda natës. Të marrim shembullin e Kroacisë, me të cilën negociatat zgjatën 8 vjet. Kemi mësuar nga eksperiencat e mëparshme. Nuk duhet të mjaftohemi me shembujt e vjetër dhe të themi që partnerët tanë thjesht miratuan ligje të caktuara. Por në të ardhmen duhet të dimë sesi kjo mund të bëhet në mënyrë të qëndrueshme, si mund të aplikohet sistematikisht. Për shembull, në luftën kundër korrupsionit vendet kanë legjislacion adekuat që korrespondon me BE-në, por çështja është se si mund të zbatohet në mënyrë të qëndrueshme, sa i besueshëm është çdo amendim në legjislacion që të kemi një nivel të lartë garancie në fund të procesit dhe të themi po standardet e këtij vendi korrespondojnë me standardet europiane. Ne nuk duhet të nënvleftësojmë situatën, sepse ka fuqi të tjera politike në lojë si Rusia, Kina, por edhe Turqia etj”, tha Hahn.

Por, shtoi ai, në thelb nuk duhet të dëgjojmë frikën tonë dhe unë duhet të them se në aspektin ekonomik, 75% e investimeve në Ballkan vijnë nga vendet anëtare të BE. Sa i përket infrastrukturës mund të luajmë një rol të rëndësishëm. Nuk dua të futem në detaje, por mund të flasim për vende të caktuara. Kur flasim për zgjerimin çështjet ekonomike, shteti i së drejtës janë baza për të ardhmen. Mendoj se jemi në drejtimin e duhur”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat