“Regjistroni adresën e saktë brenda prillit”, Veliaj: Nxitoni, ndryshe vjen gjoba e famshme - Bota Sot
“Regjistroni adresën e saktë brenda prillit”, Veliaj: Nxitoni, ndryshe vjen gjoba e famshme

Shqipëria

“Regjistroni adresën e saktë brenda prillit”, Veliaj: Nxitoni, ndryshe vjen gjoba e famshme

Më: 20 prill 2019 Në ora: 13:53
Erion Veliaj

Kreu i bashkise se Tiranes, Erion Veliaj u ka bere thirrje gjithe banoreve te shfrytëzojnë hapësirën ligjore të vendosur nga qeveria deri në fund të prillit për të regjistruar adresën e saktë të banimit.

Sipas tij, ne këtë mënyrë do kenë mundësi të marrin më shpejt dhe të përfitojnë më shumë shërbime, duke shmangur gjobat.

“Thirrja sot për banorët, përveç mbjelljes së pemëve, zgjedhjes së administratorëve, ka të bëjë me diçka që lidhet drejtpërdrejt me shërbimet që ata marrin. Deri në fund të prillit kemi afat që të shfrytëzojmë pa pagesë hapësirën ligjore për t’u regjistruar në njësinë ku banon. Në mandatin e dytë dhe për çfarëdo lloj vendimmarrje tjetër, na lipset të dimë ekzaktësisht kush banon këtu. Të ndihmon për votimin, për të pasur një qendër votimi afër, për të pasur qendër shëndetësore e shërbimet falas, për regjistrimin në shkollë, kopsht, çerdhe të fëmijëve”, theksoi Veliaj.

Deri në fund të prillit, të gjithë qytetarët mund të transferojnë gjendjen civile në adresën e tyre të saktë pa asnjë sanksion.

“Bëje pa pagesë, sot deri në fund të prillit kemi afat! Përndryshe vjen prapë ajo gjoba e famshme, që është një mënyrë për të disiplinuar pak këtë proces të atyre që janë neglizhentë. Mos neglizhoni!”, tha kryebashkiaku.

Deklarata eshte bere sot, teksa Veliaj ka qene i pranishem në aksionin për shtimin e gjelbërimit të hapësirave të përbashkëta në bllokun e pallateve pranë rrugës “Jordan Misja”, ku u shpreh se falë zgjedhjes së administratorëve është rritur cilësia e jetës dhe njëkohësisht prona ka marrë një tjetër vlerë.

“Mjafton të shohësh dy anët e rrugës dhe dallohen pallatet që kanë zot dhe ato që janë pa zot. Kush nuk e ka ngritur asamblenë e pallatit, ju lutem nxitoni! 80% e Tiranës sot ka administrator. Më mirë të jemi me këtë 80% që do rregull, pastërti, disiplinë, se sa ai 20% që i bishtnon kësaj përgjegjësie. Në fund të ditës, kush nuk zgjedh administrator i bën vetëm dëm vetes, i degradon pallati, do të thotë i bie vlera pronës, higjiena, ndaj për të gjitha këto arsye duhet të ndjekim këtë shembull”, u shpreh ai. Veliaj u bëri apel qytetarëve që të shfrytëzojnë hapësirën ligjore të vendosur nga qeveria deri në fund të prillit për të regjistruar adresën e saktë të banimit. Në këtë mënyrë, qytetarët do të kenë mundësi të marrin më shpejt dhe të përfitojnë më shumë shërbime.

Administratori Simon Ulndreaj u shpreh se falë kësaj nisme të Bashkisë së Tiranës, jetesa në komunitet është përmirësuar ndjeshëm. “I kemi hyrë kësaj pune me bindje dhe me besim se komuniteti ka shumë nevojë për të ndryshuar kulturën, mentalitetin dhe konceptin për mënyrën e bashkëjetesës në komunitet. Pas një viti, të gjitha pallatet janë në një nivel shumë më të mirë, më të pastër dhe të rregullt”, u shpreh Ulndreaj.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...