Balla: Zero shanse që Shqipërisë t’i vihen vizat - Bota Sot
Balla: Zero shanse që Shqipërisë t’i vihen vizat

Shqipëria

Balla: Zero shanse që Shqipërisë t’i vihen vizat

Më: 23 prill 2019 Në ora: 16:29
Taulant Balla

“Ka zero shanse që Shqipërisë t’i vihen vizat”, deklaroi sot zv/kryetari i Këshillit Kombëtar të Integrimit, Taulant Balla, ndërsa vlerësoi se “Shqipëria ka krijuar baza të shëndosha për një sistem drejtësie të pavarur”.

Këshilli Kombëtar i Integrimit Europian u mblodh sot nën drejtimin e zv.kryetarit, Taulant Balla, në ambientet e Fakultetit të Drejtësisë, ku u zhvillua një bashkëbisedim me studentë dhe pedagogë lidhur me reformat e ndërmarra në kuadër të pavarësisë së sistemit gjyqësor (Kapitulli 23 i legjislacionit të BE).

Lidhur me kapitullin 23, Balla tha se Shqipëria ka hedhur baza të shëndosha për një sistem drejtësie tërësisht të pavarur.

“Sot jemi këtu për të diskutuar për kapitulli 23, i cili është kapitulli më i vështirë, pasi ka të bëjë me çështjet e zbatimit të ligjit dhe luftën pa kompromis kundër korrupsionit e krimit të organizuar. Shqipëria në kapitullin 23 ka hedhur baza të shëndosha për një sistem drejtësie tërësisht të pavarur”, tha Balla.

Ai nxiti studentët të diskutojnë pa “doreza”, ndërsa theksoi se “procesi i ligjbërjes për studentët e Juridikut ka një rëndësi shumë të veçantë”.

“Sa më mirë të njihni ju proceset se si bëhet një ligj, aq më të përgatitur jeni në profesionin që do të ushtroni pasi të merrni diplomën. Jam shumë krenar që sot arrijmë të realizojmë një angazhim që kemi marrë të një partneriteti mes Ministrisë së Drejtësisë dhe Fakultetit të Drejtësisë, ku dhe Kuvendi është i gatshëm të japë çdo kontribut në funksion të këtij pakti dhe partneriteti”, deklaroi Balla.

Duke ju përgjigjur interesit të studentëve lidhur me procesin e hapjes së negociatave të Shqipërisë me BE-në dhe qëndrimin e Holandës për vizat, Balla theksoi se “ka zero shanse që Shqipërisë t’i vihen vizat”.

“Ne jemi gati ta japim provimin në qershor dhe provimi jepet mbi bazën e një vlerësimi që bën termometri i Komisionit Europian. Sipas raportit të vlerësimit, Shqipëria i ka përmbushur detyrat për të hapur negociatat. Sa të mbarojnë zgjedhjet e 26 majit për Parlamentin Europian dhe sa kohë që ka një rritje të partive populiste, të cilat kondicionojnë qasjen e tyre me pengimin ndaj zgjerimit, ka dhe vende si Holanda. Ka zero shanse që Shqipërisë t’i vihen vizat”, tha Balla.

Vetë qeveria holandeze, sipas tij, “nuk është dakord me iniciativën e një deputeteje ekstremiste, ndërkohë që nuk është vetëm Holanda që merr vendimet brenda BE-së”.

“Para disa ditësh një përfaqësues i lartë i Parlamentit francez tha në Tiranë që kjo nuk ndodh kurrë. Qeveria në këto 4 vite ka bërë një punë të shkëlqyer për të ulur një prej shqetësimeve që kanë vendet e BE-së, që është kërkesa për azil”, përfundoi Balla.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...