Mynyr Koni rikthehet në detyrë

Shqipëria

Mynyr Koni rikthehet në detyrë

Më: 7 maj 2019 Në ora: 15:49
Mynyr Koni

Më 13 prill ministrja e arsimit, Besa Shahini, pezulloi nga detyra rektorin e UT-së, Mynyr Konin. Tre javë më vonë, presidenti Ilir Meta e rrëzoi vendimin e Ministres, duke e rikthyer Konin në detyrë.

“Siç e shikoni sot vazhdoj detyrën si rektor. Ashtu sic u shpreh edhe presidenti në relacionin përkatës mbrojti autonominë e Arsimit të Lartë si dhe lirinë akademike. Nga ana ime nuk do të ketë asnjë ngërç, unë jam i hapur dhe do të bashkëpunoj vazhdimisht me ministrinë dhe çdo institucion”, tha Mynyr Koni.

Në vend të tij për më pak se një muaj u emërua Bernard Dosti, i cili sot u kthye sërish në postin e zv/ rektorit. Kjo situatë e krijuar në Universitetin e Tiranës, ka prekur edhe studentët, të cilët mendojnë se lufta nuk bëhet për ta.

“Duket sikur është dyluftim politik mes krahut të majtë dhe presidentit, çka do të thotë se nuk i shërben askujt por vetëm interesave të njërit dhe tjetrit. Studentët që në fillim të protestës e kishin kërkuar këtë vendim, ndonëse vonoi erdhi, por çudirat ndodhin këtu te ne dhe ja ku u rikthye. Mendoj se është vendim i gabuar”, u shprehën disa studentë.

Nga ana tjetër, Ministria e Arsimit nuk ka reaguar ende për dekretin e Presidentit, që hedh poshtë vendimin e saj.

Pavarësisht këmbënguljes, interesimit të Top Channel ministrja e Arsimit iu përgjigj me heshtje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat