Furnizimi i cigareve, DPT: Llogaritja e TVSH-së dhe përcaktimi i çmimit maksimal

Shqipëria

Furnizimi i cigareve, DPT: Llogaritja e TVSH-së dhe përcaktimi i çmimit maksimal

Më: 21 maj 2019 Në ora: 15:03
Foto ilustrim

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka njoftuar të gjithë furnizuesit e cigareve mbi llogaritjen e TVSH për këtë mall, çmimit dhe faturimeve të furnizimit.

Disa nga termat që DPT ka shpjeguar për këtë qëllim janë: “Furnizues kryesorë” konsiderohen importuesit dhe prodhuesit vendas të cigareve. “Furnizues të ndërmjetëm” konsiderohen tatimpaguesit që furnizohen me qëllim për të rishitur furnizues të tjerë të ndërmjetëm dhe/ose te njësitë e shitjes me pakicë. “Njësi të shitjes me pakicë” konsiderohen tatimpaguesit që furnizohen për të shitur te blerësit, konsumatorë finalë. “Furnizim i parë” është furnizimi që furnizuesi kryesor bën për furnizuesit e ndërmjetëm apo për njësitë e shitjes me pakicë. “Çmim i shitjes me pakicë” është çmimi i paguar nga blerësi, konsumator final. TVSH për cigaret paguhet tërësisht nga “Furnizuesi kryesor” në “Furnizimin e parë”.

DPT tha se furnizuesi kryesor e llogarit TVSH-në mbi vlerën e tatueshme të bazuar në çmimin me pakicë për çdo furnizim të kryer. Furnizuesi kryesor zbret direkt në faturë vlerën e ndërhyrjes në treg për të gjithë furnizuesit e mëvonshëm pa ndikuar TVSH-në e llogaritur.

Për sa i përket çmimit maksimal, në njoftim thuhet se “Furnizuesi kryesor” përcakton çmimin maksimal të shitjes me pakicë të cigareve dhe është i detyruar ta deklarojë atë çmim në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve dhe në Drejtorinë Rajonale Tatimore ku është i regjistruar, jo më vonë se 10 ditë para datës së aplikimit të çmimit të ri.

Gjithashtu, “Furnizuesi kryesor” është i detyruar të publikojë deklaratën e ndryshimit të çmimit maksimal të shitjes me pakicë për çdo lloj cigareje dhe pakete në jo më pak se dy gazeta ditore kombëtare dhe jo më vonë se 5 ditë nga data e aplikimit të çmimit të ri. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat