“Bindjes” nuk i binden; Tre kandidatë të partisë së Patozit ndryshojnë mendje

Shqipëria

“Bindjes” nuk i binden; Tre kandidatë të partisë së Patozit ndryshojnë mendje

Më: 21 maj 2019 Në ora: 15:34
Astrit Patozit

Bindjes Demokratike po i kthehen kandidatët në “të pabindur”. Kur na ndajnë pothuaj 40 ditë nga data e zgjedhjeve, 3 kandidatë kanë dorëzuar zyrtarisht tërheqjen nga gara pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

I pari që u pendua është Dejvis Hebibasi, i cili do të rivalizonte në Skrapar kandidatin e PS Adriatik Mema. Vetë kandidati nuk dha shpjegime as për publikun dhe as për partinë, e cila lajmëroi se ai u tërhoq për shkak të kercenimeve. Por, telashet per partinë e astrit Patozit, duket se nuk kanë fund. Edhe dy kandidatë të tjerë këtë herë me dëshirën e tyre, Salvador Kaçaj në Lezhë dhe Bledar Sinella për Kavajën, lajmëruan se kanë ndërruar mendje duke iu bashkuar kauzës së opozitës jashtë parlamentare.

“Në media jam njohur me faktin se Bindja Demokratike e ka depozituar kandidaturën time në KQZ. Zgjedhjet janë të vërteta, kur ka garë reale. Rruga e duhur për Kavajën dhe Shqipërinë dhe jo zgjedhjet fasadë”, shprehet Bledar Sinella, kandidat i Bindjes Demokratike në Kavajë.

“Unë nuk mund të shërbej si fasadë e përpjekjes për të rikthyer në Shqipëri një regjim njëpartiak, të përzier me krimin. Është bindja ime më e thellë se zgjedhjet farsë, pa opozitën e vërtetë do të ishin shkatërrimtare për qytetarët e Lezhës dhe të të gjthë Shqipërisë”, ka thënë Salvador Kacaj, kandidat i Bindjes Demokratike në Lezhë.

Për valën e tërheqjeve reagoi Astrit Patozi, u cili në pak rrjeshta përmblodhi arsyet sepse sipas tij kandidatët e Bindjes krejt papritur po kthehen në “të pabindur”.

“Kurrë më parë nuk ka ndodhur që një partie politike, ndonëse fare e re, t’i sulmohen, përgjohen dhe merren peng, që nga firmëtarët e deri tek kandidatët e saj për zgjedhjet e 30 qershorit. Nuk ia vlen të merreni me inkuizitorët, ndonëse i njohim me emra, ua dimë edhe zyrat ku i kanë thirrur të penduarit, në prani të dëshmitarëve mediatikë. Sepse koha e tyre po skadon me shpejtësi. Është koha e Bindjes Demokratike”, ka qenë reagimi i Astrit Patozit, koordinator i Bindja Demokratike.

Krahas goditjeve të brendshme, Bindja Demokratike po kundërshtohet edhe nga jashtë nga opozita, ajo jashtëparlamentare, e cila kërkon çregjistrimin e saj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat