Hajdari: Ç’kusur kam unë të më thonë jam palë me ju. Rama: Kjo është politika

Shqipëria

Hajdari: Ç’kusur kam unë të më thonë jam palë me ju. Rama: Kjo është politika

Më: 30 maj 2019 Në ora: 13:35
Rudina Hajdari dhe Edi Rama

Kryetarja e grupit të demokratëve në Kuvend, Rudina Hajdari është përfshirë në replika me kreun e qeverisë, Edi Rama, teksa e ka quajtur fjalën e mbajtur prej tij në Kuvend retorikë dhe propagandë e dalë boje.

Niveli i diskutimit në Kuvend, sipas Hajdarit duhet të ndryshojë dhe të mos ketë më diskutime për fantazmat e të shkuarës siç tha ajo duke ju referuar opozitës joparlamentare. E quajti një kusur që nuk ka përse ta përballojë faktin që opozita jokuvendore e akuzon si njeri të Ramës. Ajo tha se ka bindjet e saj dhe se do të qëndrojë deri në fund së bashku me grupin e saj për të luftuar për një elitë të re politike.

“Zoti kryeministër të dëgjova me vëmendje siç më takon për të dëgjuar këtë parlament, këtë kryeministër, që foli për shumë gjëra, për integrim, për shëndetësi, për rrugë, tendera, por ama si ka mundësi që ju mbani këto zonja të dashura këtu dhe nuk vinë ato të flasin për këto tema, por jeni ju ai që diktoni të gjitha temat. Nëse doni një parlament konstruktiv duhet të jemi sa më gjithë përfshirës dhe konstruktiv, me ministrat dhe deputetë. Ku ka shëndetësi në Shqipëri? Ku një doktor paguhet 780 mijë lekë të vjetra. Ju flisni për rrugë por nuk keni bërë asnjë rrugë të re. Keni vënë traun, dhe kërkoni të vini akoma më shumë tra. Keni vënë traun në rrugën Tiranë-Durrës, në rrugën e Kombit.

Ju flisni për integrimin, por e dini që ka fshatra që duan ujë, bukë, drita, duan infrastrukturë. Këto gjëra elementare akoma mungojnë në Shqipëri. Ç’kusur kam unë të merrem me kusuret e kundërshtimeve, e cdo gjëje që ka ndodhur në këtë kuvend, ç’kusur kam të merrem me opozitën që thotë se jam palë me ju, pse unë sot mund të mos kem bindjet e mia në këtë vend, të mos merremi me fantazmat e së shkuarës, unë kam bindjet e mia dhe do të qëndrojë në këtë vend bashkë me këtë grup se ne luftojmë për një elitë politike. Nëse jeni për retorikë bëjeni siç duhet por jo me propaganda të dalë boje”, u shpreh Hajdari.

Në replikë, kryeministri Edi Rama në një përgjigje për të, tha se fakti që kanë zgjedhur të merren me politikë nuk i përjashton dot këto "kusure".

“Zonja Hajdari këtë kusur të gjithë e kemi zgjedhur kur kemi vendosur të merremi me politikë. Për fat të keq politika në këtë vend është ende larg së qeni arti i të marrurit vesh mes njerëzve. Përsa i takon kusurit që ju thonë gjëra që nuk doni ti dëgjoni, ju siguroj që nuk jeni vetëm. Por është pjesë e zgjedhjes që bëjmë. Është e drejta dhe puna juaj, nuk mund t’i ankoheni askujt se atë kusur e keni për vete. Siç do thoshte Kujtim Gjuzi, çdo kush mban kryqin e vet”, tha Rama.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat